.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookAksidenti tragjik i 19-vjeçarit në Itali riciklohet nga portalet

Aksidenti tragjik i 19-vjeçarit në Itali riciklohet nga portalet

Lajmi ku pretendohet se një 19-veçar shqiptar ka humbur jetën në një aksident në Itali, është i ricikluar për të tërhequr klikime. Keqpërdorja e artikujve të tillë me tragjedi njerëzore ringjall dhimbjen tek familjarët dhe të afërmit e tyre.

Në një artikull që mban datën 20 nëntor 2022, portalet kanë raportuar mbi një aksident të ndodhur në Itali, ku ka humbur jetën tragjikisht një 19-vjeçar shqiptar. “Aksident Tragjik Në Itali, Humb Jetën 19-Vjeçari Shqiptar”, shkruan portali exprsnews.com. Për shkak të interesit publik dhe ndjeshmërisë që ka ky artikull, “Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të tij. Titulli i lajmit është shkruar në mënyrë jo korrekte nga ana drejtshkrimore, duke nxitur dyshimet mbi seriozitetin e portalit.

Screenshot, lajmi i publikuar nga portali

Më tej, në brendësi të këtij artikulli thuhet: “Një aksident tragjik është regjistruar mbrëmjen e të martës në autostradën A14 në Itali, ku ka humbur jetën një 19-vjeçar dhe kanë mbetur të plagosur 3 persona të tjerë. Aksidenti ndodhi të martën, rreth orës 6 të pasdites në hyrje të Riminit”.

Mirëpo, gjatë një kërkimi të bërë në Google, rezulton se ngjarja ka ndodhur në janar të vitit 2021 dhe jo këtë vit, si shkruan portali në fjalë.

Gjithashtu, nga kërkimi online shihet se lajmi është publikuar gjerësisht asokohe edhe në mediat në Shqipëri. Pra, ndryshe nga çfarë pretendon portali, ngjarja tragjike ka ndodhur rreth 2 vite më parë. Raste të ngjashme të riciklimit të lajmeve me aksidente dhe tragjedi të të rinjve që jetojnë jashtë vendit, publikohen shpesh nga portale jo serioze me qëllim që të tërheqin vëmendjen e lexuesve dhe të sjellin përfitime financiare për autorët e tyre.

Riciklimi apo keqpërdorja e lajmeve të tilla me tragjedi njerëzore jo vetëm ringjall dhimbjen tek familjarët dhe të afërmit e tyre, por krijon ankth të panevojshëm edhe për shumë lexues të tjerë, të cilët shqetësohen për fatin e familjarëve të tyre emigrantë.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img