Pretendimi: Futbollisti amerikan Khyree Jackson vdiq si pasojë e vaksinës anti-Covid.

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————-

Konspiracionistët mbeten të vendosur ta lidhin çdo vdekje të bujshme me vaksinën anti-Covid edhe kur kanë kaluar më shumë se 3 vite nga fushatat e vaksinimit. Më së fundmi, vdekja tragjike e futbollistit amerikan Khyree Jackson po insinuohet se është shkaktuar nga vaksinimi anti-Covid.

Si zakonisht, këto pretendime nuk shoqërohen me asnjë provë apo referencë.

Në fakt, vdekja tragjike e 24-vjeçarit Khyree Jackson, i cili i ishte bashkuar ekipit Minesotta Vikings dy muaj më parë, erdhi si pasojë e një aksidenti me makinë.

Sipas policisë së Maryland, Jackson dhe dy miq të tij, një 23-vjeçar dhe një 24-vjeçar, mbetën të vdekur në aksidentin e shkaktuar kur një makinë tjetër që po tentonte të ndryshonte korsinë me shpejtësi të lartë goditi mjetin e tyre. Ky i fundit doli nga rruga dhe u përplas me disa trungje pemësh. Hetuesit mendojnë se alkoli mund të ketë patur gjithashtu rol në aksident.

Kështu, Khyree Jackson nuk u vra nga vaksina anti-Covid, por nga një aksident rrugor.