Video e një automjeti që shpërthen në autostradë po përdoret për të pretenduar se makinat elektrike janë më të rrezikshme se ato me hidrokarbure. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se video tregon, në të vërtetë, shpërthimin e një kamioni që transportonte bombula gazi.

———————————–

Video e shpërthimeve të njëpasnjëshme të një automjeti po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse me pretendimin se tregon një makinë elektrike. Përdoruesit e kanë shpërndarë si ‘provë’ se makinat elektrike janë të rrezikshme: “Ja si duket një makinë elektrike kur shpërthen në flakë 💥💥💥💥Kjo nuk ndodh me një makinë normale, makinat elektrike janë të rrezikshme për jetën tuaj❗”.

Për të verifikuar vërtetësinë e këtij pretendimi, “Faktoje” përdori motorin e kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search

Nga ky kërkim, rezultoi se video e mësipërme është postuar fillimisht në Youtube dhjetë vite më parë, më 13 korrik 2013

Aksidenti, është xhiruar edhe nga kënde të tjera. Në një nga këto video duket se automjeti që shpërthen është një kamion që po transportonte bombula gazi.

Kjo shpjegon edhe shpërthimet e njëpasnjëshme që duken në video. 36 bombula gazi shpërthyen përgjatë 10 minutash në Moskë, Rusi.

Aksidenti i mësipërm risillet në vëmendjen e internetit në mënyrë periodike. Ai ka qenë edhe baza për një artikull shkencor të botuar në 2016.

Pretendimi se makinat elektrike kanë më shumë gjasa të shpërthejnë se ato me hidrokarbure si nafta, benzina dhe gazi është i pavërtetë, dhe kundërintuitiv. Në fund të ditës, ka kuptim që makinat që transportojnë lëndë të ndezshme, dhe funksionojnë me djegie, kanë më shumë gjasa të shpërthejnë apo digjen se sa ato elektriket.