JOEL ÇELA & AURORA SHPATAJ
Strehimi mbetet problem madhor, edhe pse po mbushet 1 vit nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit. Krahas rindërtimit të shtëpive dhe lagjeve të reja, qeveria premtoi edhe riparimin e banesave të dëmtuara në kategoritë DS1 deri në DS3. Sipas një zotimi i të Ministrit të Rindërtimit, Arben Ahmetaj, banorët e prekur do t’i merrnin paratë brenda muajit korrik. Por kur ka kaluar java e parë e shtatorit, procesi jo vetëm s’ka përfunduar, por sipas dëshmisë së disa banorëve ende s’u kanë kaluar pagesat në llogari.
Më 16 qershor, gjatë një takimi online mbi shpërndarjen e granteve në Bashkinë Shijak, ku ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj si dhe kryetari i Bashkisë Shijak, Elton Arbana u diskutua për shpërndarjen e granteve për shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti, me shkallë dëmi DS1-DS3.
Në këtë takim ministri Ahmetaj tha:
“Të gjitha Bashkitë që do bëjnë vlerësimin final dhe kontraktimin, siç e ka bërë Bashkia e Shijakut, ne ju premtojmë që brenda korrikut, të gjitha familjet do të marrin paratë. Shuma totale mendohet të shkojë rreth 75 mln dollarë, vetëm programi i granteve.”
Një muaj pas këtij premtimi, më 18 gusht, “Faktoje” u dërgoi 6 bashkive më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, respektivisht Bashkisë Tiranë, Durrës, Krujë, Kavajë, Shijak, Lezhë dhe Kurbin, kërkesa për informacion ku interesohej se në ç’fazë ishte shpërndarja e granteve. Ne iu drejtuam edhe Ministrisë së Rindërtimit për informacionin e përgjithshëm në shkallë vendi.
Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli morëm përgjigje vetëm nga 4 bashki, Tiranë, Durrës, Shijak dhe Lezhë. Ministria e Rindërtimit nuk iu përgjigj kërkesës sonë për informacion, për të disatën herë.
Bashkia Tiranë
Bashkia Tiranë në përgjigjen e dërguar më datë 2 shtator, konfirmon:
“Procesi i pagesës së granteve ka filluar me miratimin e bllokut të parë me 3000 perfitues me VKB 73 datë 19.06.2020 dhe është shtuar me VKB 81 date 27.07.2020 me 1561 përfitues. Pra gjithsej janë miratuar 4561 përfitues.
Deri më tani janë paguar 1206 familje. Kjo shifër ndryshon përditë për shkak të pagesave që vijojnë.”
Marrë nga përgjigjja e Bashkisë Tiranë
Bazuar në këtë përgjigjë, shpërndarja e granteve në këtë bashki jo vetëm që nuk ka përfunduar në fund të korrikut, por nuk është realizuar ende as për gjysmën e familjeve që janë miratuar si përfituese të grantit që në 19 qershor.
Bashkia Durrës
Bashkia Durrës i ka kthyer përgjigje kërkesës sonë për informacion më datë 27 gusht. Ashtu si Tirana, edhe në Durrës, ende nuk ka përfudnuar procesi i pagesës as për gjysmën e familjeve përfituese.
Marrë nga përgjigjja e Bashkisë Durrës
Pavarësisht se Bashkia Durrës ka vazhduar miratimin e listave edhe gjatë gushtit, deri në fund të atij muaji nuk ish janë paguar ende familjet që janë shpallur fituese në korrik.
Bashkia Lezhë
Bashkia Lezhë iu përgjigj kërkesës sonë për informacion më 27 gusht dhe na vuri në dijeni se janë miratuar 1073 familje përfituese, nga të cilat janë paguar 1004.
Marrë nga përgjigjja e Bashkisë Lezhë
Marrë nga përgjigjja e Bashkisë Lezhë
Në fund të gushtit nuk kishte përfunduar shpërndarja e granteve DS1-DS3 as në këtë bashki, ndërsa ky proces ka filluar më 24 korrik, siç informon vetë institucioni.
Bashkia Shijak
Bashkia Shijak i ktheu përgjigje kërkesës sonë për informacion më 21 gusht ku informonte se ishin shpërndarë grantet për 96% të familjeve përfituese.
Marrë nga përgjigjja e Bashkisë Shijak
Bashkia Shijak ishte e para që nisi shpërndarjen e granteve të meremetimit të banesave, më datë 6 qershor, por deri në momentin e kthimit të përgjigjes nuk e kishte përfunduar shpërndarjen.
Ne biseduam me dy qytetarë, që u shpallën fitues të grantit për banesat e dëmtuara nga tërmeti, por ata na konfirmuan se ende nuk i kanë marrë paratë.
Një qytetar që jeton në Gjirin e Lalzit, të cilit i është dëmtuar shtëpia nga tërmeti i 26 nëntorit shprehet:
“Nuk kam marrë asnjë grant edhe pse sipas bashkisë duhet të merrja. Sipas ekspertëve ndërtesa ime është për rikonstruksion, por është e pamundur ta rregulloj, sepse nuk kam para”.
“Faktoje” bisedoi gjithashtu edhe me një kryefamiljar, i cili banon në zonën e Shkozetit.
“Ndërtesa ime është shpallur e rikonstruktueshme, por unë nuk kam marrë akoma para për të. Shkoj në bashki, ato më thonë i kemi derdhur në llogari, kur shkoj tek banka më thonë që nuk është derdhur gjë” – thotë ai.