BARDHA NERGJONI
Mbyllja e bareve dhe restoranteve gjatë muajve të karantinës, rezultoi me pasoja edhe për furnizuesit e tyre. Në qarkun e Elbasanit, prodhuesit e verës dhe të vajit të ullirit, që furnizojnë këto njësi shërbimi edhe në Tiranë, pësuan humbje të konsiderueshme. Një fabrikë vaji në Shirgjan, raporton se pësoi humbje në masën 20-30% për shkak të mbylljes në muajin mars. Agropërpunuesit thonë se e kishin të domosdoshme mbështetjen nga shteti, ashtu siç ndodhi në Kosovë, por qeveria e konsideroi bujqësinë si një sektor që pati rritje gjatë pandemisë.
Ministri Bledi Çuçi më 6 maj të këtij viti, duke folur për A2 CNN tha:
“Bujqësia ka shumë halle, por për shkak të pandemisë nuk ka pësuar rënie. Përkundrazi, ka pasur rritje në prodhim, eksporte dhe shitje. Atëherë, pse duhet të kemi një paketë të veçantë? Paketat e veçanta jepen për ato sektorë që janë dëmtuar nga koronavirusi”.
Ndërkohë, Kosova ka miratuar paketa rimëkëmbjeje për bujqësinë duke injektuar para’ nëpërmjet subvencioneve të ndryshme. Ministri i Bujqësisë Besian Mustafa, nëpërmjet një deklarate në mesin e muajit maj konfirmoi përgatitjen e paketave mbështetëse deri në 47 milionë euro për sektorët e dëmtuar të bujqësisë.
Shqetësimet e fermerëve në Shqipëri, i ka ngritur në media edhe kreu i partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka. Ai deklaroi se bujqësia është prekur shumë dhe fermerët janë detyruar t’i hedhin produktet e tyre për shkak të mungesës së tregut të shitjes dhe mundësisë për eksport. Sipas tij, në dy paketat e qeverisë bujqësia nuk përmendet fare.
Agropërpunuesit dhe fermerët e serave në qarkun e Elbasanit konfirmojnë se pasojat për ta kanë qenë të mëdha dhe mbështetja nga shteti, që nuk erdhi kurrë, ishte e domosdoshme.
Një fermer, që ka ndërtuar 5 dynym serë, konfirmon për “Faktoje” se ky vit ka qenë i zi për fitimet. G. Cepa shprehet se për gati dy muaj, kungulli mbeti pa u vjelur dhe u hodh në masë, pasi ishte parashikuar për t’u eksportuar, por kufizimet që shkaktoi karantina në transport penalizuan shumë fermerë si ai.
“Ne u dëmtuam shumë nga pandemia, por askush nuk foli për pasojat që kishim. Unë mbjell kungullin që e kam porosi për eksport. Nga fillimi i marsit e deri në maj, grumbulluesit nuk erdhën tek ne dhe u detyruam ta hedhim. Më pas, kur filloi lëvizja, çmimi i kungullit ra ndjeshëm dhe 1 kg kungull shkoi deri në 200 lekë të vjetra, kur ne e kemi shitur trefish më shumë në të njëjtën periudhë. Llogariteni vetë sa humbje kemi pasur! Nga shtatori mund të themi që jemi më ndryshe, por në rast të një mbylljeje të dytë, jemi shumë të pasigurtë se si do shkojë me prodhimet tona” – thotë i shqetësuar fermeri.
Të dëmtuar nga kufizimet e pandemisë janë sidomos agropërpunuesit dhe kryesisht ata të verës dhe vajit të ullirit. Ata furnizojnë kryesisht restorantet në kryeqytet dhe në qytetin e Elbasanit dhe mbyllja bëri që të ndalnin shitjet.
“Nga marsi deri në shtator ne kemi humbje që shkon deri në 50% të fitimit, krahasuar me një vit më parë. Fillimisht kufizimi i pandemisë me mbylljen e restorantave na penalizoi shumë, më pas edhe pse restorantet u hapën konsumi ka qenë i ulët, për shkak se frekuentimi i tyre ka qenë i ulët nga frika e infektimit. Vjeshta solli bollëk në prodhimin e verës, por asgjë nuk është sigurtë dhe nuk dihet si do të jetë dimri, për shkak të Covid-it”- thotë Fatmiri për “Faktoje”.
Si prodhuesh vere ai kërkon që qeveria të konsiderojë edhe ndihmën për agropërpunuesit, përndryshe pasojat do të jenë fatale për shumë prej tyre duke i çuar drejt falimentimit.
Ullinj të vjelë
Prodhuesit e vajit të ullirit janë një tjetër kategori e sektorit të bujqësisë, të prekur nga pasojat e kufizimeve të pandemisë. Në Shirgjan të Elbasanit, vitet e fundit është duke funksionuar një kooperativë moderne që ka bashkuar shumë fermerë të zonës. Kjo kooperativë ka edhe një fabrikë që grumbullon ullinjtë e të gjithë zonës për prodhimin e vajit të ullirit të cilësisë së lartë. Për shkak të llojit të përpunimit, vaji i prodhuar nga kjo kooperativë, parashikohej të dilte në treg, në mars kur me akt normativ u pezulluan të gjitha aktivitetet, përshirë njësitë e shërbimit, si bare e restorante, të cilat konsiderohen si tregu kryesor për produktet e kësaj kooperative.
Fermerët e kooperativës gjatë vjeljes
Një prej drejtuesve të saj, Agron Çakalli deklaron se dëmi i pësuar si pasojë e pandemisë ishte i konsiderueshëm.
“Mund të themi se gjatë periudhës së pandemisë ne nuk tregtuam fare vaj ulliri dhe vetëm në muajin korrik shitja filloi normalisht. Kjo na penalizoi shumë, pasi vaji i ullirit ka një proces të caktuar dhe shitja duhet të bëhet brenda vitit. U detyruam që të ulim çmimin dhe ta shesim të gjithë sasinë e vajit që kishim për shkak se me prodhimin e vajit të ri, i vjetri e humb vlerën. Mund të them që kemi pasur 20 deri në 30% humbje si pasojë e kësaj situate. Nuk kemi siguri se çfarë do të ndodhë në vazhdim, por edhe viti 2021 pritet të jetë një vit i vështirë për ekonominë tonë”. -thotë sipërmarrësi për “Faktoje”.
Vaji i ullirit
Fermerët kërkojnë nga qeveria të hedhë sytë nga bujqësia, nëpërmjet subvencioneve, rimbursimit të çmimit për produkte të ndryshme dhe forma të tjera mbështetjeje, në mënyrë që të lehtësojë pasojat e pandemisë në bujqësi.
Edhe Drejtori Rajonal i Bujqësisë, Vullnet Gjolla konfirmon se sektorët e bujqësisë që furnizojnë restorantet, janë dëmtuar nga pandemia. Ai tha se sektori i bujqësisë ka qenë më pak i prekur, por kjo nuk do të thotë se nuk ka pësuar dëme nga kufizimet e pandemisë.
“Në asnjë moment fermerët nuk janë ndalur të shkojnë në punën e tyre apo të nxjerrin produktet në treg, por është e vërtetë që fermerët që furnizonin restorantet janë penalizuar nga mbyllja e tyre.”-pranon Gjolla.
Sipërfaqe me ullinj dhe sera
Qarku i Elbasanit ka të regjistruar 6615 hektarë sipërfaqe me ullinj dhe 141 hektarë sera. Sipas parashikimeve të Drejtorisë së Bujqësisë, këtë vit parashikohet një prodhim prej rreth 182 mijë ton ullinj dhe rreth 20 mijë ton vaj ulliri. Ndërkohë, serat pritet të kenë një prodhim deri në 24 mijë ton, deri në fund të vitit, duke e kthyer Elbasanin ndër zonat më me peshë sa i takon produkteve bujqësore, jetike për familjet e zonave rurale dhe që garantojnë furnizimin e tregut kryesisht për Elbasanin, Tiranën dhe për eksportin.