Incidenti në ish uzinën e armëve në Gramsh, me tre shtetas nga Rusia dhe Ukraina ngriti dyshime për veprimtari të agjenturës ruse në Shqipëri. Por të dhënat kontradiktore mes vetë autoriteteve qeveritare krijuan çoroditje në opinion ndërkohë që gjykata vendosi masën e arrestit me burg për të ndaluarit. Kryeministri Rama u kujdes t’i konsideronte si qesharake akuzat për spiunazh, ende pa përfunduar hetimet, ndërsa SHISH ka lënë pa përgjigje kërkesën e Faktoje në lidhje me cënimin e sigurisë, pasi mbi tre të ndaluarit u paraqit akuza për dhënie të informacioneve sekrete.
Ardi Pulaj
E shtuna e 20 gushtit nuk ishte një ditë e zakonshme vere plazhi në Shqipëri në sezonin që ka parë më shumë turistë të huaj, pas pandemisë së Covid-19. Ndryshe nga raportimet për shtimin e numrit të turistëve në vend dhe vlerësimit të tyre për bregdetin shqiptar, tre “turistë” kishin zgjedhur një tjetër destinacion të pazakontë: uzinën ushtarake të Çekinit në Gramsh.
Rrjedha normale e transmetimeve televizive dhe raportimet e portaleve nga një rutinë lajmesh të një të shtune në mbrëmje ndryshoi, duke sjellë para publikut një ngjarje me spiunë, që kishte ndodhur pasdite, por që zyrtarisht u njoftua në mbrëmje, pas orës 23:00. Njoftimi i policisë rajonale të Elbasanit sqaronte:
“Nga shërbimet e Uzinës Ushtarake Çekin në Gramsh, është njoftuar se ne afërsi të rrethimit të uzinës është konstatuar një shtetas i paidentifikuar me aparat fotografik në dorë, i cili ka tentuar të fotografojë ambientet e zonës ushtarake. Në momentin që 2 ushtarakët që ruanin objektin, e kanë pikasur dhe i janë afruar ta ndalojnë dhe ta kapin, shtetasi i huaj iu është kundërpërgjigjur me spray neuroparalizues, por 2 ushtarakët që ruanin uzinën kanë bërë të mundur neutralizimin e tij. Shërbimet e Policisë me të marrë njoftim kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë shoqërimin e shtetasit rus, M. Z., 24 vjeç, në ambientet e Komisiaratit të Policisë Gramsh, për veprime të mëtejshme. Gjithashtu, shërbimet e Policisë nga veprimet paraprake hetimore kanë marrë informacion se ky shtetas ishte shoqëruar edhe nga dy shtetas të tjerë dhe menjëherë kanë ngritur pika kontrolli dhe kanë kontrolluar zonën. Shërbimet e Policisë bënë të mundur që në afërsi të kësaj zone të konstatojnë dhe të bllokojnë automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse S.T. 33 vjeçe dhe shtetasi ukrainas F. A., 25 vjec, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme.”
Dy ditë më vonë, më 22 gusht, dy ministrat e Mbrojtjes dhe ai i Brendshëm, deklaruan se ish Uzina nuk kryente prej kohësh aktivitet ushtarak, dhe konsiderohet objekt i deklasifikuar. “Nuk na shqetëson se çfarë kanë fotografuar apo tentuar të fotografojnë në Gramsh. Por nga ana tjetër, mund të kenë patur edhe synim për shembull, për të devijuar vëmendjen nga një skenar tjetër. Jetojmë në një kohë të prishjes së ekuilibrave gjeolopolitik, dhe çdo ngjarje meriton ta shohim jo vetëm drejtpërsëdrejti por dhe në mënyrë të tërthortë”, tha ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Por në media u publikua një email dërguar një vit më parë, ku konfirmohej nga ministria e Mbrojtjes se në këtë uzinë po demontoheshin dhjetra-mijëra armë dhe municione, përfshi 5 ton lëndë plasëse.
Të huajt kishin ditë që qëndronin në Shqipëri, ku kishin hyrë në kohë dhe nga rrugë kalimi të ndryshme. Pranë ish uzinës së Gramshit ata ishin parë dhe të paktën një ose dy ditë para ngjarjes. Udhëtimi me një makinë sportive, me ngjyra të ndezura bënte që lëvizjet e tyre të mos kalonin pa u vënë re.
Mediat njoftuan në vazhdën e raportimeve pandërprerje për ngjarjen se një nga rusët e arrestuar në Gramsh ka pranuar se ishte porositur për të bërë foto në disa vende të Shqipërisë.
Një lajm i Top Channel që i referohej burimeve dhe që u ripublikua edhe nga portalet, raportonte se shtetasi rus ka rrëfyer se është kontaktuar nga agjentë rusë për të bërë foto të objekteve të rëndësisë të veçantë si uzina ushtarake, porte dhe ujësjellës në vendin tonë, por thotë se nuk ka më shumë informacione. Një gjë e tillë u konfirmua kur Gjykata e Elbasanit la në burg dy rusët dhe ukrainasin, që u arrestuan në uzinën e armëve në Gramsh, pasi sulmuan dy ushtarë, duke dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për të tre personat e arrestuar në flagrancë. Ndaj dy shtetasve rusë, 33-vjeçaren Svetlana Timofoeva, 23-vjeçarin Mikhail Zorin, si dhe atij ukrainas Fiodor Mihailoviq rëndojnë akuzat “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Goditja për shkak të detyrës”, teksa u vlerësua i ligjshëm arrestimi i tyre.
Ndërsa Gazeta Si, në një raportim theksonte se rusët “kishin aplikuar e gjetur shtëpi përmes Booking ku dhe qëndruan kalimthi. Por përtej blogerëve të famshëm, njëri prej tyre kimist, fotograf dhe social coworker, ata ishin me siguri agjentët më të mirë rusë”. Gazeta i referohet bisedës që ka zhvilluar me një burim pranë Shërbimit Informativ Shtetëror që “së bashku me SHIK-un kanë kaluar në gjendje alarmi.” Faktoje iu drejtua SHISH për të konfirmuar këto detaje, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk ka marrë një përgjigje.
Arrestimi sjell përplasjen diplomatike Moskë-Tiranë
Nga ana tjetër avokatët e rusëve dhe ukrainasit deklaruan më 24 gusht, pasi gjykata i la në burg të dyshuarit se kërkuan masën detyrim paraqitje, duke pretenduar se klienti i tij është trembur pasi u ndoq nga ushtarët ndaj përdori spray. Ky ishte pretendimi i avokatit Demir Çiftja i cili ka marrë në mbrojtje rusin Mikail Zorin. Ndërsa avokati Sajmir Visha, i cili ka marrë në mbrojtje ukrainasin, është shprehur se klientit të tij nuk i janë plotësuar të gjitha kushtet, pasi nuk kishte përkthyes në gjuhën ukrainase dhe se spray neutralizues që u përdor nuk ishte një armë kimike. Ai tha se nuk është cënuar perimetri i uzinës pasi ka pasur mungesë sinjalistike dhe ata nuk kishin nga ta dinin nëse ishte e ndaluar hyrja.
E pyetur për arrestimin e shtetasve të saj në Gramsh, ambasada ruse në Tiranë duke iu përgjigjur interesimit të Top Channel për ngjarjen më 24 gusht tha se ”nuk ka marrë asnjë informacion nga autoritetet zyrtare shqiptare lidhur me ndalimin e e shtetasve rusë të dyshuar për infiltrim më datë 20 gusht të këtij viti në Gramsh.” Ambasada ruse thotë se “i ka kërkuar ministrisë së Jashtme shqiptare informacion për incidentin e ndodhur dhe akuzat e ngritura ndaj rusëve, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.”
“…nuk mund të mos ngjallë keqardhje fakti që pala shqiptare shmang zbatimin e dispozitave të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore 1963, e cila përcakton detyrimin e organeve kompetente të vendit pritës për të informuar menjëherë përfaqësuesit konsullorë për ndalimin dhe incidente të tjera që ndodhin me shtetasit e vendit që ata përfaqësojnë,” vijon më tej sqarimi i ambasadës ruse.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë (MEPJ) reagoi ndaj këtyre deklaratave më 25 gusht duke thënë: Nota është hartuar në datën 22 gusht dhe ka hyrë në MEPJ në datën 23 gusht pasdite. Në mënyrë të menjëhershme MEPJ i është drejtuar me kërkesë për informacion autoriteteve kompetente. Theksojmë se në këtë pikë MEPJ është pikë ndërlidhëse mes kërkuesit dhe strukturave të tjera dhe nuk ka asnjë kompetencë tjetër për çështjen në fjalë”, thuhet në njoftim. Sipas ministrisë, autoritetet shqiptare e kishin të pamundur të njoftonin ambasadën e Rusisë për ndalimin e këtyre dy shtetasve, sepse sipas saj, Konventa e Vjenës përcakton se shteti pritës, në këtë rast Shqipëria, duhet të njoftojë për ndalimin e tyre përfaqësinë diplomatike të shtetit dërgues, në këtë rast Rusia, vetëm nëse të ndaluarit kërkojnë vetë të kontaktojnë ambasadën e tyre.
Vetë kryeministri Edi Rama, që u prononcua më 26 gusht për çështjen e rusëve dhe ukrainasit e arrestuar, i quajti akuzat për spiunazh si qesharake, duke i vënë theksin rëndësisë që të zbulohet qëllimi i vërtetë që fshihet pas akteve të këtyre shtetasve të huaj.
“Të thuash që bëhet spiunazh duke fotografuar ato mbetje arkeologjike të komunizmit, është qesharake. Ajo që duhet të na shqetësonte është se çfarë qëllimesh kanë këta persona. Por një mision spiunazhi që shfaqet me një veturë sportive që duket; aman hajde më kapni, është qesharake. I takon hetimit të nxjerrë më shumë. Shqetësimi unë është se ku është qëllimi i vërtetë,” tha Rama.
Si Rama mendon dhe ish kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi. Pyetjeve të Faktoje për rastin e Gramshit, se si ka qenë pozicioni i SHISH dhe autoriteteve te sigurisë, gjendjen e shërbimeve të inteligjencës përballë shënjestrimeve të vendeve jo mike të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, Klosi iu përgjigj: “Mendoj se kryeministri i vuri kapak këtij diskutimi në deklarimin e sotëm!”
Interpretimi i ngjarjes nga ekspertët pasi u njoftua zyrtarisht
Mediat vijuan të përcillnin ngjarjen në Gramsh duke sjellë edhe opinionet e ekspertëve të kriminalistikës dhe sigurisë. Një prej tyre ishte Ervin Karamuço, statusi i të cilit në Facebook bëri xhiron e portaleve.
“Me dhjetra e-maile po shkëmbehen dhe disa takime diplomatike po planifikohen, me synimin për të liruar Lanën. Por me një shtet të NATOS do e kenë pothuajse të pamundur. Gjithsesi, Gledisi vajti dje urgjentisht në Elbasan dhe rriti masat e sigurisë në qytet, se ekziston edhe rreziku i ndonjë operacioni nga njësia 29155 e GRU për t’i liruar me pahir ose për t’i eleminuar”, shkroi Karamuço, që gjithsesi saktësonte se duhet pritur përfundimi i hetimeve.
Bedri Elezi, ekspert sigurie deklaroi për Euronews se edhe më shqetësuese se ndërhyrja e forcave ruse në Gramsh, është arrestimi i tyre pas denoncimit të qytetarëve. Sipas tij, dy rusët dhe ukrainasi që u futën në depon e armatimit në Gramsh janë rrezik për sigurinë dhe nuk kanë qenë duke u vëzhguar siç tha ministri Peleshi, pasi po të ishte ashtu nuk do të arrestoheshin pas denoncimit të qytetarëve. Për Elezin, ngjarja mund të përshkallëzohej pikërisht sepse autoritetet shqiptare kanë reaguar me vonesë dhe nuk i kanë pasur në survejim të drejtpërdrejtë.
Ngjarja pati jehonë edhe në Kosovë, ku eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi i tha RTV21 se prapa ngjarjes në Gramsh të Shqipërisë qëndron inteligjenca ruse. Sipas tij, Rusisë nuk po i mjafton lufta që po zhvillon në Ukrainë dhe se po synon që të destabilizojë vendet e Ballkanit përmes aleatëve të saj, siç janë Serbia dhe Republika Serbe e Bosnjës. Ai i ka bërë thirrje autoriteteve në Kosovë që të koordinojnë veprimet e tyre me faktorin ndërkombëtar dhe KFOR-in në mënyrë që të mos lejohet destabilizimi i veriut në kohën kur pritet zbatimi i reciprocitetit me Serbinë.
*Foto kryesore e marrë nga Gazeta Express
*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor