Pretendimi: ShBA po harxhonte 50 milionë dollarë për prezervativë në Gaza

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————-

Gjatë konferencës së parë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, zëdhënësja e administratës së Donald Trump, Caroline Leavitt tha se agjencia e re e efikasitetit të qeverisë (DOGE), e kryesuar nga miliarderi Elon Musk, kishte zbuluar dhe ndaluar pagesën e “50 milionë dollarëve në fondet publike që duhet të kishin shkuar për të siguruar prezervativë për Rripin e Gazës”.

Pretendimi i Leavitt është përsëritur dhe shpërndarë në mënyrë jo kritike nga një sërë mediash dhe portalesh shqipfolëse.

Pretendimet e Leavitt janë në kuadrin e vendimit të presidentit të ri amerikan për të pezulluar përkohësisht ndihmën financiare të ShBA në mbarë botën. 

Megjithatë, ato nuk bazohen në asnjë provë.

E pyetur për burimin e informacionit të saj nga Washington Post, Leavitt citoi një artikull të Fox News, e cila thoshte se një zyrtar i paidentifikuar i Shtëpisë së Bardhë tha se Departamenti i Shtetit kishte “ndaluar disa milionë dollarë që shkojnë për prezervativët në Gaza fundjavën e kaluar”, por jo 50 milionë dollarë.

Sipas informacioneve të Associated Press (AP) nga bisedat me përfaqësues të administratës së re amerikane, Trump dhe Leavitt po i referohen grantit që Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) i ka ndarë organizatës ndërkombëtare joqeveritare Trupat Ndërkombëtare Mjekësore (IMC). Fondet e akorduara kapin vlerën e 102.2 milionë dollarëve dhe synojnë të ofrojnë shërbime mjekësore në Gaza.

një njoftim për shtyp, IMC shpjegoi punën e organizatës në Rripin e Gazës, duke deklaruar se “asnjë financim i qeverisë amerikane nuk është përdorur për të blerë ose shpërndarë prezervativë ose për të ofruar shërbime të planifikimit familjar”. Që nga fillimi i luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor 2023, IMC ka marrë 68 milionë dollarë nga USAID, të cilat janë përdorur për dy spitale të mëdha të përkohshëm, thuhet në deklaratë.

Që nga janari i vitit 2024, thuhet në deklaratë, organizata “ka ofruar kujdes shëndetësor për më shumë se 383,000 civilë të cilët nuk kishin akses tjetër në shërbime apo trajtime, duke përfshirë kryerjen e rreth 11,000 operacioneve, me një të tretën e atyre të kategorizuara si procedura të mëdha ose të moderuara. Ne kemi ndihmuar në lindjen e rreth 5000 foshnjave, rreth 20% e tyre me prerje cezariane. Përveç kësaj, IMC ka ekzaminuar 111,000 njerëz për kequshqyerje, ka trajtuar 2,767 për kequshqyerje akut, ka shpërndarë suplemente mikronutriente për 36,000 njerëz dhe më shumë.”

Ndalimi i fondeve nga ShBA do të ndalonte punën e ICM në spitalet e Gazës, duke përfshirë lindjen e foshnjave dhe kujdesin për të porsalindurit vulnerabël, ndihmën për fëmijët e kequshqyer, operacionet dhe shërbimet e urgjencës, thuhet gjithashtu në deklaratë.

Washington Post vuri në dukje se SHBA ka një program, Planin e Emergjencave të Presidentit të SHBA për Ndihmën për SIDA, ose PEPFAR, i cili shpërndan prezervativë në vende të tjera për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së infeksionit HIV. Por PEPFAR nuk punon me asnjë komb në Lindjen e Mesme.

Kontraceptivët dhe prezervativët shpërndahen gjithashtu në mbarë botën përmes mbështetjes së USAID.

Raportet vjetore të publikuara në faqen e internetit të USAID mbi furnizimet me kontraceptivë për vendet në mbarë botën nga viti 2007 deri në vitin 2023 tregojnë se asnjë dërgesë nuk është bërë në Rripin e Gazës. Në vitin 2023, Shtetet e Bashkuara ofruan kontraceptivë dhe prezervativë me vlerë 60.8 milionë dollarë në katër rajone, duke përfshirë Lindjen e Mesme, Afrikën, Azinë dhe Amerikën Latine.

Raporti tha se 89% e fondeve për kontraceptivë shkoi në Afrikë, 9% në Azi dhe 2% në vendet e Amerikës Latine. Një vend në Lindjen e Mesme, Jordania, mori një dërgesë me vlerë 45,681 dollarë. Dërgesa përfshinte kontraceptivë oralë dhe të injektueshëm, por jo prezervativë (f. 21).

Raporti i vitit 2024 ende nuk është publikuar.

Vlen të përmendet se nën administratën e parë Trump (2016-2020), USAID dërgoi mallra me vlerë 1.1 milion dollarë në Yemen, të cilat përfshinin prezervativë për meshkuj dhe femra, si dhe disa lloje kontraceptivësh.

Presidenti i Refugees International, Jeremy Konyndyk, i cili ishte zyrtari kryesor i USAID për Covid-19 nën administratën Biden, tha se 50 milionë dollarë do të blinin 1 miliardë prezervativë.

“USAID blen prezervativë për rreth 0,05 dollarë copa. 50 milionë dollarë do të ishin një miliard prezervativë. Ajo që po ndodh këtu nuk është një miliard prezervativë për Gazën. Ajo që po ndodh është se tipat në DOGE me sa duket nuk dinë të lexojnë dokumentet e qeverisë,” shkroi ai.