Pretendimi: Kreu i PD Sali Berisha është në gjendje jo të mirë shëndetësore, gjë që dëshmohet nga çfarë ndodhi kur ai u ngrit në Parlament

Verdikti: Mungon konteksti, clickbait

——————————————————————————–

“Sali Berisha ne gjendje jo te mire shendetesore! Dalin pamjet nga Parlamenti, ja cfare ndodhi kur u ngrit”, njofton titulli i artikullit të portalit apkpro.online.

Megjithatë, kushdo që hap këtë lajm me dëshirën për të kuptuar se çfarë ndodhi në Parlament dhe gjendjen shëndetësore të Berishës, do të zhgënjehet.

Ajo që duket se artikulli ofron si provë e gjendjes jo të mirë shëndetësore të Berishës është fakti se ai “si rrallëherë ka zgjedhur të flasë nga karrigia në Parlament,” gjatë seancës plenare të 26 qershorit 2025.

Megjithatë, edhe kjo ‘provë’ hidhet poshtë nga vetë artikulli, i cili pranon se Berisha, megjithëse fillimisht zgjodhi të fliste nga vendi, “nuk zgjati as dy minuta nga koha e tij, [dhe] ai vendosi t’i drejtohet foltores në Kuvend.”

Artikulli madje përmban edhe një video që tregon pikërisht Berishën duke u ngritur nga karrigia e Parlamentit dhe duke iu drejtuar foltores.

Ky është një shembull i abuzimit që portalet online bëjnë duke njoftuar në titull zbardhjen e një informacioni, i cili më pas nuk gjendet aspak në brendi të tekstit. Qëllimi edhe në këtë rast është mbledhja e sa më shumë klikimeve për përfitime dhe jo informimi i lexuesve.