ANXHELA RUÇI
Disa shkolla në Gjirokastër kanë detyruar prindërit e nxënësve në arsimin bazë të blejnë një pjesë të librave dhe fletoret e punës. Librat janë shitur në mjediset e shkollave dhe pa kupon tatimor, ndërkohë që sipas nismës së Ministrisë së Arsimit, tekstet mësimore nga klasa e parë në të pestën duhet të jepeshin falas.
————————————————————————————————————————————————————
Prej dy vitesh Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë një fushatë për shpërndarjen e teksteve shkollore falas për arsimin bazë. Në këtë vit të ri shkollor, rreth 155 mijë nxënës nga klasa e parë në të pestën pritej t’i përfitonin librat falas.
Më herët, kryeministri Edi Rama në Vlorë dhe ministrja e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë Besa Shahini në Kukës kanë shpërndarë libra falas në disa familje, nismë e promovuar edhe nga deputetë të tjerë të Partisë Socialiste.
Ndërsa shumica e nxënësve kanë përfituar nga nisma e qeverisë, kjo nuk ka ndodhur në qytetin e Gjirokastrës, të paktën në dy shkolla ku “Faktoje” ka bërë verifikim.
Nga kontaktet që “Faktoje” ka pasur me prindër të nxënësve në këtë qytet, rezulton se fletoret e punës dhe disa libra janë blerë me para në dorë, brenda ambjenteve të shkollës.
Aris në klasën e tretë ka blerë gjashtë tekste shkollore, ndër të cilat pesë fletore pune dhe librin e muzikës. Kostoja totale e këtyre teksteve shkon 2000 lekë.
Foto:Anxhela Ruçi, libra të blerë me lekë në ambjentet e shkollës
E njëjta situatë është dhe për Emën, nxënëse në klasën e pestë. Ajo ka blerë shtatë tekste shkollore, pesë fletore pune dhe librat e muzikës dhe edukimit fizik, sporte dhe shëndeti.
Prindërit e saj kanë paguar 2050 lekë, ndërkohë që këto libra duhet t’i kishte marrë falas nisur nga premtimet e dhëna nga Qeveria Rama.
Të gjitha librat që nxënësit kanë blerë me lekë janë shpërndarë brenda ambjentit të shkollës ku ata mësojnë dhe nuk janë shoqëruar me kupon tatimor ashtu siç ligji e kërkon.
Për këtë situatë “Faktoje” kontaktoi ministrinë e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë, e cila na sqaroi se nuk ka qenë në dijeni të këtij fakti dhe se çdo akt i tillë është në kundravajtje me ligjin dhe përbën shkelje.
Për të njëjtin rast “Faktoje” komunikoi edhe me Zyrën Arsimore Gjirokastër, për të mësuar nëse kanë qenë në dijeni të kësaj shkelje dhe për masat që do të merren pas këtij denoncimi.
ZA Gjirokastër tha se ka ngritur një grup pune për të verifikuar rastin dhe në vijim do të na njohë me përfundimet që ka nxjerrë si dhe me masat që do të merren për të zgjidhur këtë rast shkeljeje.
Abuzimi me shpërndarjen e librave është një situatë e përsëritur. Edhe vitin e kaluar “Faktoje” ka denoncuar shkeljet që janë bërë po në Gjirokastër me shpërndarjen e teksteve shkollore falas.
Premtimin e qeverisë se tekstet shkollore do të jenë falas për nxënësit nga klasa e parë në klasën e pestë do ta klasifikojmë GJYSMË TË VËRTETË, pasi “Faktoje” identifikoi raste kur këto libra janë blerë me detyrim brenda mjediseve të shkollës.