Kryetari i ri i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit, premtoi transformimin e parkut të madh të qytetit. Faktoje bëri një verifikim në terren në mesin e muajit tetor, ku konstatuam se parku ishte mbuluar nga mbetjet, mungonin stolat dhe gjelbërimi. Edhe bashkia e Kavajës pranon zyrtarisht se ende nuk është mbyllur procesi për nisjen e punimeve, ndërsa qytetarët kavajas ankohen se parku nuk ka as element bazikë për një mjedis shlodhës.
Një prej premtimeve të bëra nga Fisnik Qosja, gjatë fushatës elektorale për Bashkinë e Kavajës, ishte transformimi i Parkut Rekreativ të qytetit.
“Pas 14 Majit, Parku i Madh i qytetit do të kthehet në një destinacion jo vetëm për familjen e madhe kavajase, por edhe për vendet përreth”-premtoi Qosja më 18 prill.
Postimi i shpërndarë në Facebook
Pas marrjes së mandatit në krye të Bashkisë së Kavajës, Qosja bëri një tjetër postim në lidhje me Parkun Rekreativ të Kavajës. Kryebashkiaku njoftoi nw 27qershor se kishte nisur puna për fazën e parë të rijetësimit të tij.
“Parku rekreativ i Kavajës është një nga projektet e mia më të dashura dhe një premtim i imi për qytetarët më 14 maj. Kemi nisur punën për fazën e parë të rijetësimit të këtij aseti të çmuar për familjet kavajse, i cili për turp ishte lënë tërësisht në mëshirë të shkurreve e plehrave”, shkruante në Facebook kryebashkiaku Qosja.
Postimi në Facebook, 27 qershor 2023
Në lidhje me këtë zotim të zotit Qosja, Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë së Kavajës, ku ndër të tjera e pyetëm se në çfarë faze ishin punimet për ndërtimin e Parkut Rekreativ në Kavajë.
Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Kavajë, 6 shtator 2023
Në përgjigjen zyrtare, më shumë se një muaj pas kësaj kërkese për informacion, Bashkia Kavajë bën të ditur se ende nuk ka nisur puna për transformimin e tij.
“Për Parkun Rekreativ Kavajë jemi në fazën e mbylljes së procedurave me firmën përkatëse, e cila do të fillojë punimet”, njoftoi Bashkia Kavajë më 9 tetor.
Faktoje ishte në Kavajë më 20 tetor, për të verifikuar situatën në terren. Ajo që vihej re në këtë park ishin mbetje të shpërndara kudo, mungonin stolat, pemët ishin të rralla dhe në tërësi parku ishte lënë në mëshirë të fatit.
Mirela Çaushi, banore e Kavajës thotë se asnjë investim nuk është kryer për parkun, apo “shpirtin” e Kavajës siç e quan ajo.
“Asnjë lloj investimi nuk është bërë për parkun. Të paktën të kishte stola. Ka vetëm ca drita natën, që bëjnë ecje qytetarët dhe kaq. Nuk po kërkojmë lojëra se ato janë luks në këto kushte, por ne po kërkojmë stola. Bën pleqëria një xhiro dhe do të ulet, gjëja më minimale, të vënë disa stola!
Qyteti e ka shpirtin aty, te parku, nuk kanë ku shkojnë. Unë për vete i hipi makinës dhe iki në plazh me një shoqe, kurse këtu darkave, i gjithë qyteti bën xhiro. Mirëpo, ai që bën xhiro ka dëshirë edhe të ulet. Duhen shumë gjëra, kënd lojërash, banjo. Vetëm park nuk është ky”, shprehet ajo.
Një grup fëmijësh që ndeshëm gjatë verifikimit tonë në park, thanë për Faktoje: “Sapo dolëm nga shkolla dhe menduam të vijmë të kalojmë pak kohë këtu. Duam të ketë lodra në park, sepse nuk kemi ndonjë mundësi tjetër argëtimi këtu”.
Nisur nga verifikimi i kryer, vendosëm që premtimin për transformimin e parkut ta kategorizojmë deri tani të pambajtur.
* Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.