.

.

BallinaProjekteUnë bëj Fact-Checking!A u tërhoqën vërtet 9 shtete nga njohja e pavarësisë së Kosovës?

A u tërhoqën vërtet 9 shtete nga njohja e pavarësisë së Kosovës?

Në fillim të vitit 2023 presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç gjatë konferencës së përvitshme vjetore deklaroi se 9 shtete ishin tërhequr nga njohja e pavarësisë së Kosovës. Lajmi u publikua në mediat shqipfolëse në Shqipëri dhe në Kosovë. Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës në Kosovë deklaroi se pranë këtij institucioni dhe as pranë misioneve diplomatike të Kosovës, nuk ka patur asnjë njoftim të tillë.

Albina Kastrati

Në fillimin e këtij viti më datë 4 janar 2023 presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, u shpreh se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Sipas presidentit të Serbisë edhe një vend tjetër, i dhjeti, po pritet të veprojë njësoj.

Presidenti Vuçiç gjatë konferencës vjetore në fillim të Janarit 2023, burimi Tajung

“Kemi nëntë shtete që kanë tërhequr njohjen – Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Eswatini, Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Shën Lucia, Maldivet. Po presim vendin e dhjetë që do ta tërheqë njohjen. A mund të bëjmë diçka për Këshillin e Evropës? Vështirë. Për në UNESCO? Do të luftojmë!”, ka deklaruar presidenti serb.

Kjo deklaratë është bërë gjatë konferencës së përvitshme për median, siç raporton agjencia serbe e lajmeve Tanjug.

Menjëherë lajmi, i ndarë nga kjo agjenci lajmesh shtetërore serbe, është shpërndarë në mediat në Kosovë dhe në Shqipëri, që kanë ripublikuar deklaratën e presidetit serb.

Screenshot: Ripublikime të lajmit në mediat shqipfolëse

Sipas faqes zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, këto shtete figurojnë që e kanë njohur Kosovën sipas këtyre datave:

  • Republika Federale e Somalisë ka njohur Kosovën më 19.05.2010
  • Burkina Faso ka njohur Kosovën më 23.04.2008
  • Republika e Gabonit ka njohur Kosovën më 15.09.2011
  • Libia ka njohur Kosovën më 25.09.2013
  • Republika e Guinesë ka njohur Kosovëm më 12.08.2011
  • Antigua dhe Barbuda ka njohur Kosovën më 19.05.2015
  • Shën Luçia ka njohur Kosovën më 19.08.2011
  • Republika e Maldiveve ka njohur Kosovën më 19.02.2009
  • I vetmi shtet njohja e të cilit nuk i figuron në këtë listës është Eswatini

Vetë Ministra e Jashtme e Kosovës e ka mohuar këtë deklaratë edhe publikisht, por dhe në përgjigjen e kërkesës për informacion që i ka dërguar Faktojes.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, njofton që nuk ka ASNJË njoftim në MPJD dhe as në misionet e Republikës së Kosovës, rreth pretendimeve të djeshme të presidentit serb se disa shtete paskan tërhequr njohjen.

Një pretendim i tillë nuk është vërtetuar as pas bisedave me përfaqësues në nivele të ndryshme të këtyre shteteve, por as pas konsultimit me partnerët e rëndësishëm të vendit tonë.”- shkruan në përgjigjen e saj kjo Ministri.

Përgjigja zyrtare nga Ministria e Jashtme e Kosovës

Ndërkohë që Faktoje iu drejtua me një kërkesë zyrtare për informacion edhe përfaqësive të vendeve, duke pyetur nëse vendi i tyre është tërhequr nga njohja e Kosovës dhe ende presim një përgjigje prej tyre.

Pak ditë pas kësaj deklarate, në 11 janar 2023 Ambasadori i Kosovës në Kanada, z. Adriatik Kryeziu publikoj në Twitter një foto pas gjatë takimit me kolegen e tij nga Gaboni, znj. Engone Rosine Epouse Oliveira. Sipas Kryeziut gjatë takimit janë diskutuar marrëdhëniet bilateriale mes Kosovës dhe Gabonit.

 “Kisha një takim dhe diskutim të mrekullueshëm për marrëdhëniet aktuale dypalëshe dhe bashkëpunimin e ardhshëm mes Kosovës dhe Gabonit me kolegen time nga Republika e Gabonit në Kanada, H.E znj. Engone Rosine Epouse Oliveira”, është shprehur Kryeziu.

Source: Twitter @Adriatik_k

Nuk është e para herë që Vuçiç, paralajmëron për çnjohjen e Kosovës nga vende të tjera. Edhe më parë Faktoje ka publikuar ku sipas presidentit serb disa vende kanë tërhequr njohjen e tyre për Kosovën.

Sipas marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, Serbia ishte pajtuar që për një vit të ndalonte përpjekjet për të lobuar kundër pavarësisë së Kosovës, ndërkaq Kosova ishte pajtuar që brenda kësaj periudhe të mos aplikonte për anëtarësim në ndonjë mekanizëm apo institucion ndërkombëtar.

*Ky shkrim u publikua si pjesë e nismës “Unë bëj Fact-Checking”, që ka si qëllim të trajnojë dhe mentorojë gazetarë në Kosovë, nën projektin e UNESCO-s “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore dhe Turqisë – Faza II”, mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img