.

.

BallinaFaktometerPa kategoriA u rrit mirëqenia më shumë se sa borxhi, siç Beqaj deklaroi?

A u rrit mirëqenia më shumë se sa borxhi, siç Beqaj deklaroi?

Ish-ministri i Shëndetësisë, aktualisht deputet i Partisë Socialiste, Ilir Beqaj, gjatë seancës plenare në Parlament, të enjten e 23 korrikut, deklaroi se shqiptarët jetojnë më mirë falë “Rilindjes”. Beqaj argumentoi se në 6 vite, Borxhi Publik u rrit me 18 për qind ndërsa të ardhurat për frymë me 25 për qind. “Faktoje” bëri një kërkim për të verifikuar vërtetësinë e deklaratës së Beqajt.


Meqë opozita jashtëparlamentare ka dy javë që thotë sesi borxhi publik i ka varfëruar shqiptarët, ja ku është e vërteta, 2013-2019. Këta jemi ne. Në 6 vite borxhi u rrit me 18%, por u rritën me 25% të ardhurat për frymë. Shqiptarët jetojnë më mirë jo, falë borxhit. Ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka – u shpreh ish-ministri i Shëndetësisë të enjten, më 23 korrik në seancën plenare të Kuvendi

A është e vërtetë deklarata e Beqajt?

Nëse i referohemi të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Borxhi Publik i Shqipërisë në vititn 2013 ishte në vlerën 884 miliardë lekë. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, Borxhi Publik ishte në nivelin e 62 për qind.

Referuar të dhënave të MFE, niveli i Borxhit Publik në fund të vitit 2019 arriti në vlerën e 1,112,000,000,000 lekëve. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, Borxhi Publik ishte në nivelin e 67 për qind.

Pra, rritja e Borxhit Publik nga viti 2013-2019, nuk është 18 për qind sa ç’deklaron zoti Beqaj, por mbi 25,8 për qind.

Pandemia “Covid-19” mund ta rrisë borxhin në 80 për qind të PPB-së.

Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard & Poor’s, në një raport të publikuar në fillim të muajit gusht, paralajmëroi se Borxhi Publik mund të rritet në nivelin 80 për qind.

Ne projektojmë që raporti i borxhit të përgjithshme ndaj PBB-së të rritet në gati 80% të PBB-së në vitin 2020, ndërsa pritet të ulet nga viti 2021 e më tej, si rezultat i shuarjes së masave të jashtëzakonshme dhe rimëkëmbjes së ekonomisë – thuhet në raportin e Standard and Poor’s.

Mungesë në të dhënave zyrtare koherente për të ardhurat për frymë.

Për sa i përket të ardhurave për frymë, Instituti i Statistikave nuk jep të dhëna për periudhën të cilës Beqaj i referohet (2013-2019), por sipas të dhënave të INSTAT, në dy vitet e fundit të raportuara ( 2017 dhe 2018), rritja ka qenë me 2,5 për qind.

Referuar të dhënave nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, për vitin 2019 Shqipëria u rendit në vendin e 102-të në botë dhe ndër të fundit në Europë për të ardhurat për frymë.

Të ardhurat për frymë, burimi FMN 2019

Statistikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të përditësuara në “Pasqyrën Ekonomike Globale tetor 2019” tregojnë se të ardhurat për frymë të pritshme të shqiptarëve ishin 5,732 dollarë për vitin 2019, duke na pozicionuar në vendin e 102 në botë nga 192 shtete gjithësej, në nivele të ngjashme me Irakun, Paraguajin, Libanin, Libinë etj.

Erald Pashaj, drejtor i EPPC Albania & Kosovo në një intervistë për “Monitor Ekonomi”, më 18 korrik argumentoi se ndër arsyet kryesore të diferencës në nivelin e të ardhurave të shqiptarëve në raport me popujt e tjerë, është tregu i punës.

Ekonomia jonë kaq prodhon dhe kjo matet me prodhimin e brendshëm bruto për banor. Në rajonin tonë, ne kemi prodhimin e brendshëm bruto për frymë të parafundit në Europë, pas nesh është Kosova. Për rrjedhojë, ky treg prodhon edhe më pak produkte dhe paga më të ulëta. Faktorë të tjerë janë mungesa e investimeve të huaja, mendësia që kemi për punën, kundrejt sendeve dhe investimeve kapitale, shoqëruar këto me korrupsion dhe informalitet, që kanë bërë që ne të kemi pagat më të ulëta si minimale, ashtu dhe mesatare në rajon – argumentoi Pashaj.

Para publikimit të artikullit ne kontaktuam edhe ish-ministrin e Shëndetësisë, Beqaj, lidhur me deklaratën që verifikuam.

Sa i takon treguesve mbi të ardhurat për frymë, zoti Beqaj na komunikoi se në fakt ishte një përllogaritje  tij në raportin e vlerës nominale të PPB të krahasuar me numrin e popullsisë së vendit dhe jo burim zyrtar.

Për sa i përket Borxhit Publik, gjithashtu z. Beqaj, i tha “Faktojes” se raportimin në Kuvend e kishte bërë në bazë të arkivit të tij, me të dhëna nga Ministria e Financave, INSTAT dhe Banka e Shqipërisë.

Deklarata e Beqajt lidhur me rritjen e Borxhit Publik me 18 për qind në 6 vitet e fundit është e pavërtetë.

Deklarata e Beqajt lidhur me rritjen me 25 për qind të të ardhurave personale të qytetarëve në 6 vitet e fundit, nuk mundëm ta verifikojmë në mënyrë ezauruese për shkak të pamundësisë së të dhënave zyrtare.

Deklaratën në tërësi të ish-ministrit Beqaj do e kategorizojmë si “Pa kategori”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img