Ina Allkanjari
Pak javë pas ceremonisë së mbajtur më 17 janar për dhënien e çelësave për apartamentet e reja në Laç, në prani të presidenit turk Erdogan, PD kritikoi qeverinë se kishte bërë propagandë. Në 4 shkurt, zëdhënësja e PD Ina Zhupa, tha se asnjë familje nuk kishte hyrë në banesat e reja edhe pse kishin kaluar 3 javë nga ajo ditë. Bashkia Kurbin pranoi se shpërndarja e çelësave bëhej pas një procedure të caktuar që niste me VKM për kalimin e pronësisë, ndërsa Faktoje verifikoi se banorët i morën në dorëzim apartamentet ndërmjet datave 11-16 shkurt.
——————-
“Gati 3 javë më parë, Edi Rama përdori presidentin e Turqisë për të mashtruar me apartamentet e ndërtuar nga turqit në Laç. Rama dhe Erdogan u dhanë çelësat 4 familjeve, por, në të vërtetë, ato ishin vetëm sa për propagandë”- deklaroi zëdhënësja e Partisë Demokratike Ina Zhupa në 4 shkurt. Reagimi i zëdhënëses së PD erdhi disa ditë pas vizitës njëditore në vendin tonë të Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili më 17 janar ishte i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të çelësave të shtëpive për banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.
Nisur nga kjo deklaratw, më datë 16 shkurt Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion Bashkisë Kurbin ku ndër të tjera kërkuam të na vendoste në dispozicion të dhëna se sa pallate kanë përfunduar procesin e rindërtimit në Laç dhe sa familje janë akomoduar. Deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje nga Bashkia Kurbin.
Screenshot, kërkesa për informacion drejtuar Bashkisë Kurbinë datë 16.02.2022
Në datë 17 shkurt Faktoje vendosi të shkojë në Laç, për të mësuar më shumë rreth ecurisë së rindërtimit të pallateve të financuara nga Qeveria Turke dhe nëse banorët kanë marrë çelësat e apartamenteve të tyre.
Foto datë 17 shkurt, pallatet e ndërtuara në Laç me financim nga Qeveria Turke
Nga verifikimi mësuam se një pjesë e madhe e banorëve përfitues të apartamenteve në lagjen nr.4 në Laç, të rindërtuara me financim nga qeveria Turke, kanë marrë në dorëzim çelësat. Ata na konfirmuan se shpërndarja e çelësave është realizuar nga data 11 shkurt deri në datën 16 shkurt.
“Jemi shumë të kënaqur, nuk jemi futur akoma pasi nuk jemi gati, çelësat i kemi marrë përpara dy ditësh. Po merremi me mobilimin e apartamentit”- tregon për Faktoje një prej banorëve përfitues i një prej apartamenteve në pallatet e rindërtuara nga qeveria Turke.
Foto datë 17 shkurt, banarë duke u akomoduar në apartamentet e ndërtuara në Laç me financim nga qeveria Turke
Një tjetër banore e cila me çelësa në duar po hynte në apartamentin e saj të ri, tregon se në datë 16 shkurt ka qenë dita e fundit e shpërndarjes së çelsave, ndërsa thekson se ky proces ka zgjatur rreth 4-5 ditë.
“Unë jam duke pastruar shtëpinë, përfitova një apartament 2 plus 1, jam shumë e lumtur. Çelësat janë shpërndarë këto ditë, filloi shpërndarja nga data 11 shkurt dhe në datë 16 ka qenë dita e fundit e shpërndarjes së çelësave. Mund të ketë ngelur pa i marrë çelësat ndonjë familje e cila nuk jeton në Shqipëri”- tregon për Faktoje, Eva një tjetër banore përfituese nga programi i rindërtimit.
Foto datë 17 shkurt, pallatet e ndërtuara në Laç me financim nga qeveria Turke
“Këto ditë kanë filluar të futen banorët në apartamentet e tyre. Unë kam pas jetuar në një pallat i cili u dëmtua nga tërmeti dhe në datë 14 shkurt mora çelësat për apartamentin e ri 1 + 1 që përfitova. Deri në fund të muajit shkurt do të përfitojmë bonusin e qerasë nga shteti, pastaj do të ndërpritet”- tregon një tjetër banore.
Foto datë 17 shkurt, pallatet e ndërtuara në Laç me financim nga qeveria Turke
Dy ditë pas pas deklaratës së zëdhënëses së Partisë Demokratike Ina Zhupa, në 6 shkurt reagoi Kryetarja e bashkisë së Kurbinit Majlinda Shqalsi Cara. Ajo sqaroi të gjithë banorët që përfitojnë apartamente në kuadër të procesit të rindërtimit të zonës 1/1 për zhvillim në Laç, në lidhje me vonesën e dorëzimit të çelësave.
“Komisioni Shtetëror i Rindërtimit ka marrë Vendimin nr. 99, datë 04.02.2022, me të cilin i kërkon Këshillit të Ministrave kalimin në pronësi të të gjithë apartamenteve Bashkisë Kurbin. Për këtë çështje, ditën e mërkurë, datë 9 Shkurt 2022, Këshilli i Ministrave mori vendim për kalimin e të drejtave mbi këtë pronë tek Bashkia Kurbin”- u shpreh Cara.
Ndërtimi i 522 apartamenteve, 37 njësi shërbimi, 375 vendparkime, qendër tregtare, njësi shërbimi dhe infrastrukturë, sipas standardeve europiane kanë qenë pjesë e procesit të rindërtimit në Laç, me financim nga qeveria Turke me vlerë 42 mln euro. Familjet përfituese i morën çelësat e banesave të reja thuasje 1 muaj pas ceremonisë së përurimit që u realizua më 17 janar, në prani të presidentit të Turqisë Erdogan.