Prej shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme në Serbi, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka ngritur pretendimin se opozita, përmes mediave, po sulmon familjen e tij dhe kështu edhe të gjitha familjet serbe, me akuzat se babai biologjik i Vuçiç është një gazetar shqiptar. Një verifikim i Faktoje tregon se teza, që përsëritet prej të paktën 10 vitesh, është risjellë në vëmendje nga vetë Vuçiç. Hulumtuesi Nikola Petrovic nga ISAC Fund Serbia e sheh këtë si një strategji të Partisë Progresiste Serbe për të diskretituar opozitën për para zgjedhjeve të 17 dhjetorit.
Jona Plumbi
Serbia është nën ethe paraelektorale.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç shpërndau qeverinë dhe vendi shpalli zgjedhje të parakohshme parlamentare në 17 Dhjetor, si dhe zgjedhje lokale në disa qytete dhe komuna, përfshi kryeqytetin serb, Beogradin.
Me nisjen e fushatës elektorale në Serbi u “ringjall” edhe një fantazmë e vjetër, që edhe pse riciklohet prej të paktën 10 vitesh, gjithsesi arrin të marrë vëmendje të shtuar në Serbi dhe më pas në rajon.
Pretendim i ricikluar
Pretendimi i ngritur dhe shpërndarë edhe nga mediat serbe është se babai biologjik i presidentit serb Aleksandar Vuçiç është, në fakt, shqiptari i Kosovës, gazetari Fahri Musliu. Ky pretendim qarkullon të paktën 10 vitesh në Serbi.
- 2014 – Kontribute të reja në biografinë e Aleksandër Vuçiqit: Djali i Fahrias
- 2017 – Shokuese: Shqiptar në krye të Serbisë
- 2018 – U tha se është babai i Vuçic, gazetari shqiptar: Ia njoh të ëmën, por nuk…
- 2022 – Nano befason me deklaratën: Vuçiç është shqiptar, ja faktet
Por risjellja në vëmendje e kësaj teze “rozë” të politikës serbe, këtë herë ka ardhur nga vetë presidenti serb Aleksandar Vuçiç.
Në 29 Tetor mediat serbe raportuan se në një intervistë disa-orëshe në televizionin serb Prava, duke folur për sulmet e opozitës në Serbi, Vuçiç risolli në vëmendje tezën e prejardhjes së tij.
“Më sulmojnë se kam buzë të shëmtuara, nuk i kam bërë gjë buzëve, fajin e ka nëna ime që më ka lindur kështu. Është çështje gjenetike. Më akuzojnë se babai im është Fahrudin Musliu. Me këtë rast u them se babai im quhet Angjelko Vuçiq e jo Fahrudin Musliu”, raportohet të ketë thënë Aleksandar Vuçiç. Vuçiç në deklaratën e tij nuk e specifikon se cilët janë “ata” që e akuzojnë.
Nga një kërkim i thelluar në rrjet nuk gjendet asnjë deklaratë apo artikull mediatik që flet për këtë temë, të paktën nga momenti i shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme. Për të vërtetuar gjetjet tona ne pyetëm gazetaren Sanja Kljajic, korrespondente e Deutsche Welle për Serbinë, e cila na konfirmoi se ishte “vetë Vuçiç ai i cili e solli në vëmendje tezën e babait të tij”.
“Ai nuk përmendi dikë specifikisht, por tha se po i përgjigjej çështjeve për të cilat “ata” e sulmojnë. Se cilët janë “ata” natyrisht mbeti e papërcaktuar.” – Sanja Klajic, Deutsche Welle, Serbia
Pavarësisht kësaj, ajo që del me bollëk në rrjet, janë deklaratat e Vuçiç që mohon të ketë baba shqiptar.
- Vuçiç: Më akuzojnë se babai im është Fahrudin Musliu – 29 Tetor
- Vuçiç: Babai im është Andelko Vuçiç, jo Fahrudin Musliu! – 30 Tetor
- Vuçiç: Jua them edhe njëherë, babai im është Andelko – 3 Nëntor
Kronologjia
Pak ditë pas intervistës së 29 Tetorit, kur Vuçiç risolli në vëmendje të publikut serb tezën që ngre dyshime për babain e tij biologjik, media “Danas” publikoi një artikull referuar kësaj deklarate të Vuçiç me titull “Shqiptar në Beograd: Kush është Fahri Musliu, për të cilin Vuçiç thotë se nuk është babai i tij?”
Danas shkruan se gazetari Fahri Musliu ‘vuajti vite më parë për shkak të deklaratave të disa gazetarëve serb që prentendonin se ai është babai biologjik i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç’.
Sikur mos të mjaftonte që tabloidët po ia bëjnë jetën e mjerë, është edhe Vuçiçi i cili pak nga pak dhe publikisht (pa asnjë nevojë) thotë se Musliu nuk është babai i tij. – shkruan Danas në artikull.
Pa kaluar 24 orë reagoi Ministria serbe e Informacionit.
Ajo dënoi artikullin e Danas me pretendimin se shkrimi vë në dyshim besueshmërinë e presidentit të Serbisë dhe familjes së tij dhe shkel Kodin e Gazetarisë të serbisë.Veçanërisht theksojmë se ky tekst fyen drejtpërdrejt personalitetin dhe besueshmërinë e Presidentit të Republikës së Serbisë, roli i të cilit me ligj shpreh unitetin e Republikës së Serbisë, si dhe fyen anëtarët e familjes së tij”, thuhet në komunikatën e ministrisë serbe.
Retorika
Një ditë pas reagimit të Ministrisë së Informacionit për artikullin e Danas, Vuçiç publikoi një video në Instagramin e tij. Krah babait të tij, Vuçiç shprehu vlerësimin për prindërit si dhe ngriti pretendimin se sulmet ndaj familjes së tij, janë në fakt sulm ndaj familjeve serbe në tërësi.
“Ata nuk sulmuan vetëm familjen tonë, nënën time, gruan e babait tim, si dhe mua dhe babain tim, ata sulmuan çdo familje në Serbi, ata duan shkatërrimin e familjeve tona”. – thotë Vuçiç në video.
Edhe pse “ata” që sulmojnë mbetën të paidenfifikuar, mediat e raportuan gjerësisht këtë retorikë të Vuçiç si përgjigjen e tij ndaj atyre që e akuzojnë.
Në video Vuçiç thotë se është e nevojshme t’i përgjigjet sulmeve të shumta, edhe pse arrin të citojë vetëm artikullin e Danas të 2 Nëntorit si “akuzuese”.
Nikola Petrovic, studiues dhe themelues i Fondacionit ISAÇ në Serbi tha për Faktoje se narrative të tilla si ajo e babait biologjik të Vuçiç ringjallen nga Vuçiç dhe ekipi i tij si pjesë e fushatës elektorale të Partisë Progresive Serbe.
“Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe lokale në Serbi janë caktuar për në 17 dhjetor të këtij viti dhe si çdo herë tjetër më përpara ekipi i SNS (Serbian Progressive Party) po përdor strategji për të diskretituar partitë opozitare dhe mediat pro opozitës, duke nisur fushatë parandaluese përmes nxitjes së narrativave të tilla keqinformuese, sikur ato janë narrativa dhe qëllimi i vërtetë i opozitës. Ndaj edhe fjalia “…ky është sulm ndaj presidentit Vuçiç dhe familjes së tij…” është dëgjuar qindra herë në dekadën e fundit si nga elita e SNS dhe mediat pro-qeveritare”.– argumenton Petrovic për Faktoje.
Vuçiç dha dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Progresiste Serbe në maj të këtij viti, por vijon fushatën për partinë e tij. Në anën tjetër është opozita serbe që ka vendosur të bashkohet, pas organizimit të protestave disa mujore kundër Vuçiçit dhe qeverisë së tij, pas dy rasteve të të shtënave masive me armë ndodhën në më pak se 48 orë duke lënë 17 të vdekur përfshi tetë fëmijë.
Përfundim
Shpërndarja e narrativave dizinformuese në rrjete sociale dhe media për efekt të fushatave elektorale është kthyer në strategji të mirënjohur tashmë. Pikërisht në këtë kategori bie edhe narrativa që ngre dyshime mbi babain e vërtetë të presidentit serb Alexandar Vuçiç.
Në shah, lojtarët bëjnë një lëvizje që njihet me emrin “gambit”. Sipas kësaj lëvizjeje, lojtari që në fillim sakrifikon një ose më shumë gurë pa shumë rëndësi, për të arritur një pozicion më të avantazhuar më pas dhe për të fituar lojën. Risjellja në vëmendjen e publikut dhe medias nga vetë Vuçiç të një teze që hedh dyshime për prejardhjen e tij, deklaratat e vijueshme për të mohuar një akuzë aspak politike apo serioze, dhe përdorimi i retorikës së ky sulm i drejtohet të gjitha familjeve serbe, duket si një lojë “gambit” e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç në kërkim të një pozicioni më të mirë, përpara zgjedhjeve të 17 dhjetorit.
*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor
Redaktoi Viola Keta & Aimona Vogli