Që prej 1 janarit 2025, pensionistët e Tiranës udhëtojnë falas në transportin urban, duke përfituar “Abonenë e Pensionistit”. Megjithatë, procesi i tërheqjes së kësaj aboneje është shoqëruar me radhë të gjata dhe shqetësime për shpërndarjen e saj. Ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj ka deklaruar se janë shtuar pikat e shpërndarjes, përfaqësues të Shoqatës së Transportit Urban thonë se nuk ka ndryshime në numrin e tyre. Në kryeqytet janë aktualisht 8 pika për shpërndarjen e aboneve për pensionistët. Përfaqësues nga shoqatat e Transportit argumentojnë se pikat janë të mjaftueshme, teksa bëjnë të ditur se kanë kërkuar që abonetë për pensionistët të prodhohen më herët, për të shmangur radhët.

Më 3 shkurt, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj foli sërish në lidhje me abonetë e pensionistëve. Në fjalën e mbajtur gjatë inaugurimit të godinave në Qytetin Studenti, Veliaj pranoi se ka radhë të gjata të të moshuarve, duke theksuar se janë shtuar pikat për tërheqjen e aboneve.

“Janë mbi 30 mijë pensionistë që tashmë e kanë tërhequr abonenë. Janë të tjerë që i shoh përditë në radhë dhe dua t’i qetësoj, ka abone për të gjithë. Nuk ka nevojë të shkojmë të gjithë në 7 të mëngjesit, jemi të hapur deri në 7 të darkës. Kemi shtuar pikat për këtë muaj dhe më vjen mirë që në total për çdo pensionist është 192 mijë lekë në vit kontributi me abonenë falas”, deklaroi Veliaj.

Por, si është aktualisht situata?

Faktoje pyeti në disa pika të shpërndarjes së aboneve për pensionistët mbi fluksin në këto kioska. Në kioskën pas 15 katëshit në qendër të Tiranës, shitësit ngritën shqetësimin për radhët e gjata që krijohen nga pensionistët për të marrë abonenë.

“Ditët e para ka shumë radhë, në të gjitha pikat. Është e pamundur të gjesh një pikë të lirë, Imagjinoje, të bësh 850 vetë brenda ditës, nuk është e lehtë. Abonetë vijnë zakonisht në fund të muajit dhe ne i shpërndajmë”, tregon një prej shitësve në këtë pikë.

Shitësit në kioskën pranë “Ushtarit të Panjohur” thonë se ata dhe pikat e tjera shpërndajnë abonetë çdo fund dhe fillim muaji, nga ora 7 e mëngjesit deri në 7 të darkës.

“Ne funksionojmë nga ora 7 e mëngjesit deri në 7 të darkës. Në të gjitha këto pika mund të merren abonetë nga pensionistët”, bëjnë të ditur shitësit në këtë kioskë.

Dashnor Memaj nga Shoqata e Transportit Urban i tha Faktoje.al se deri më tani nuk janë shtuar pika të reja për shpërndarjen e aboneve për pensionistët.

“Janë diku te 8 pika për shpërndarjen e aboneve, nuk janë shtuar të reja”, argumenton Memaj.

Pikat ku shpërndahen abonetë

Pajisja me abone pensionisti bëhet në këto 8 pika në Tiranë:

Kioska tek Biblioteka Kombëtare, rruga “Luigj Gurakuqi”;

Kioska pranë Inxhinierisë së Ndërtimit, rruga “Muhamed Gjollesha”;

Kioska tek Stacioni i Trenit”, rruga “Reshit Petrela”;

Kioska tek 15 Kateshi, rruga “Urani Pano”;

Kioska tek Brryli, bulevardi “Zan d’Ark”;

Kioska pranë shkollës “Sabaudin Gabrani”;

Kioska pranë rrugës “Llazi Miho” tek stacioni i linjës nr.15 Kombinat-Kinostudio;

Kioska pranë rrugës ”Hoxha Tahsim” tek Kubi.

Kostandin Foni, nga Shoqata e Transportit Publik Tiranë tha për Faktoje.al se kioskat për shpërndarjen e aboneve për pensionistët janë të mjaftueshme, por duhet që të ketë një shpërndarje të të moshuarve.

“Radhët krijohen, sepse pensionistët dalin në mëngjes herët. Gjithashtu, radhët krijohen sepse shkojnë familjarë për të tërhequr abonenë për pensionistë dhe kjo nuk lejohet. Përfituesit e Abonesë së Pensionistit duhet që të paraqiten personalisht për tërheqjen e abonesë, pranë pikës së shpërndarjes, ku të jenë të pajisur me kartën e identitetit dhe foto.

Ne kemi kërkuar që abonetë për pensionistët të prodhohen më herët sesa abonetë e tjera. Abone ka plot, prodhohen më shumë sesa kërkesa dhe abonetë në këto pika qëndrojnë 10-14 ditë, që pensionistët t’i tërheqin kur të duan”, sqaron Foni.

Për pensionistët, tërheqja e aboneve çdo muaj është sfiduese, ndaj kërkojnë që të paktën të paraqiten njëherë në 6 muaj.

“Minimumi, aboneja duhet të jetë 6-mujore ose 1-vjeçare. Në çdo 6 muaj deklarohemi në bankë ku marrim pensionin. Presim 4 orë për të marrë atë abone, shpresojmë që do të ndreqet si problem”, thotë Qemali, pensionist.

Faktoje.al i është drejtuar me një kërkesë për informacion edhe Bashkisë së Tiranës për të mësuar ku janë shtuar pikat e reja të tërheqjes së aboneve për pensionistët, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kemi marrë një përgjigje nga institucioni në fjalë.

Në një verifikim të kryer më herët, Faktoje.al ka vërejtur radhë të gjata të të moshuarve për të marrë abonentë.

Nga 1 janari 2025, pensionistët e Tiranës udhëtojnë falas në linjat e transportit urban në kryeqytet. Për të përfituar ‘abonenë e pensionistit’, të moshuarit duhet të paraqiten pranë njësisë administrative për të bërë regjistrimin. Më pas, qytetarët e regjistruar në portalin e përfitimit të ‘Abonesë së Pensionistit’ duhet të paraqiten çdo fund muaji për të përfituar abonenë e pensionistit për muajin pasardhës në pikat përkatëse të shpërndarjes. Ata duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe foto.