Konferenca e Donatorëve, e mbajtur vjet në shkurt, premtoi 1.15 mld euro për rindërtimin pas tërmetit të vitit 2019. Nga kjo shumë, rreth 850 milionë euro planifikohej të ishin kredi, ndërsa 300 milionë euro grante. Në shkurt të këtij viti, ministri Arben Ahmetaj deklaroi se 150 milionë euro hua ishin në proces. Por, Ministria e Financave dhe Ekonomisë në përgjigjen e kërkesës për informacion, dërguar nga Faktoje në maj të këtij viti, mohoi të ketë ndonjë marrëveshje kredie dhe aq më pak ndonjë vlerë të disbursuar për rindërtimin, deri më tani.
Në konferencën donatorëve të mbajtur më 17 shkurt 2020, vendi ynë mori garancinë se nga Konferenca e Donatorëve për 1.15 miliardë euro për procesin e rindërtimit. Kjo vlerë, siç specifikoi ambasadori i BE, zoti Luigi Soreca, konfirmuar edhe qeveria shqiptare, do të ndahej në 850 milionë euro kredi dhe 300 milionë euro grante.
Por një vit pas kësaj konference, më 2 shkurt 2021, Ministri i Rindërtimit, zoti Arben Ahmetaj duke dhënë përditësimet mbi ecurinë e procesit të rindërtimit, shpjegoi se deri në përfundim të vitit 2020 ishin marrë në projekte aktive me donatorët 289.5 milionë euro grante nga 295 milionë të premtuara, ndërsa ishin në proces 150 milionë euro kredi.
Marrë nga prezantimi i ministrit Ahmetaj, 2 shkurt 2021
Ky fakt na u konfirmua edhe disa muaj më vonë nga Ministria e Rindërtimit, e cila në përgjigje të një kërkese për informacion nga Faktoje, dërguar më 7 maj 2021, na informoi se në buxhetin e rindërtimit ishin të përfshira 150 milionë euro kredi.
Përgjigja e Ministrisë së Rindërtimit, 7 maj 2021
Pak ditë më vonë, më 18 maj 2021, ne i dërguam një kërkesë për informacion Ministrisë së Rindërtimit dhe asaj të Financave dhe Ekonomisë, të cilat, ndër të tjera, i pyetëm se sa është vlera totale e kredive të nënshkruara për rindërtimin, si dhe sa është vlera totale e kredive të disbursuara deri në atë moment.
Pyetjet 3 dhe 4 në kërkesën dërguar dy ministrive, 18 maj 2021
Për të dyja kërkesat për informacion morëm përgjigje vetëm pas ankimimit tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit, duke qenë se afatet ligjore për kthimin e përgjigjes u shkelën nga të dyja ministritë, një proces që mori dy muaj kohë.
Dy pyetjet mbi kreditë Ministria e Rindërtimit ia delegoi Ministrisë së Financave, me arsyetimin se “është brenda fushës së saj të përgjegjësisë për informacionin e sistemit të thesarit të fondeve të rindërtimit.”
Ndërkohë për pyetjet që lidhen me donacionet, Ministria e Rindërtimit na këshilloi që t’u drejtohemi donatorëve.
Përgjigja e Ministrisë së Rindërtimit, 8 korrik 2021
Në përgjigjen e MEF, mbërritur në javën e parë të korrikut, sqarohet se deri në atë moment nuk ishte nënshkruar ndonjë marrëveshje kredie për rindërtimin dhe si rrjedhojë nuk ka asnjë vlerë të disbursuar për këtë qëllim.
Përgjigja e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, 7 korrik 2021
Edhe këtë herë transparenca e Ministrisë së Rindërtimit ka ceduar, duke ngritur më shumë pyetje se sa duke dhënë përgjigje. Nga ana tjetër, informacioni i dhënë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë vë në pikëpyetje të dhënat e bëra publike nga Ministria e Rindërtimit në lidhje me shifrat dhe marrëveshjet e nënshkruara.