Kumari është fenomeni që po gërryen shoqërinë tonë në mënyrë të heshtur. Ndryshe nga varësia ndaj drogës për të cilën flitet më shumë dhe mbi bazë shifrash, për kumarin është e pamundur të gjesh një institucion ku të referohesh, edhe pse në 2018-n u premtua ngritja e një qendre rehabilituese për këtë ves. Faktoje ju njeh me Enean, 25 vjeç që rrëfen se mbyllja e pikave të basteve ka hapur një rreth vicioz të rrezikshëm. Luhet online, në mënyrë të pakontrolluar dhe ‘me të njohur’ që në fillim të joshin vetë duke ofruar hua. Por të njëjtët kthehen në përndjekës të personave që fundosen dëshpërimisht në borxhe miliona lekë, në kërkim të biletave fituese.
Enea ishte vetëm 10 vjeç, kur e nisi bixhozin, si një “lojë” mes shokëve. Sot, pas 15 vitesh, ai pranon se kjo varësi i ka kushtuar shumë.
“E kam nisur që në moshë të vogël, në fillim si shaka, hajde vendosim 50 lekë-100 lekë që na jepnin prindërit. Isha 10 vjeç. Bëheshim bashkë me shokët ‘ sa lekë ke ti’, ‘unë kam 100 lekë’. ‘A ikim vendosim?’, ‘po hajde ikim’.
Nisëm me skedinat, pas skedinave filluan të gjitha veset me radhë, me garat me qen, me kompjuterat, të gjitha veset që ka kumari.
Ka filluar si shaka, pa e ditur se çfarë ishte dhe kryesisht ka ndikuar ambienti. Të gjithë shokët e lagjes, të pallatit, të klasës, të shkollës, çdo shok kishte të njëjtin ves. Në fillim shpenzoja të gjitha lekët që më jepnin prindërit. Pastaj, duke u shtuar të ardhurat, shtoheshin edhe lekët që lija në bixhoz, në të gjitha llojet e bixhozit”, rrëfen 25-vjeçari.
Ai tregon se ndonëse në vitin 2018 u vendos mbyllja e basteve sportive, kjo nuk e pengoi që të vazhdonte të luante Madje, Enea në atë kohë 20 vjeç thotë se atë periudhë u zhyt edhe më shumë në këtë ves.
“Në momentin që qeveria ka mbyllur qendrat e basteve është shtuar bixhozi në masë. Jo vetëm nga ana ime, por nga ana e njerëzve që unë njoh. Përshembull, nëse më përpara luanim në bixhoz vetëm paratë që kishim në xhep, me mbylljen e basteve filluam të luanim, duke marrë edhe borxh. Pjesa që është online, rregulloheshim me njëri-tjetrin. Në online ti nuk kishe limit, mund të luaje sa të doje dhe të faturoheshin, i kishe në kurriz në muajt në vijim. Borxhi në periudhën që luaja online më ka shkuar deri në 6 milionë lekë të vjetra. Kam arritur që të shlyej një pjesë të borxheve, duke marrë kredi dhe duke bërë dy punë”, thotë ai.
25-vjeçari shprehet se pasojat që vijnë për shkak të këtij vesi janë të shumta, duke nisur që nga stresi, distancimi nga familja e shoqëria, agresiviteti dhe sigurisht humbjet e mëdha financiare.
“Pjesa e stresit është shumë e madhe. E kam ndjerë sigurisht edhe financiarisht, duke e privuar veten nga shumë gjëra, veshje të reja, ndonjë makinë, disa qejfe. Por nuk është ky problemi kryesor. Problemi kryesor është stresi, ankthi, pjesa e adrenalinës kur je në pritje pasi ke vendosur bastin, që të mban mbërthyer. Kthehesh në parazit, harron familjarët, u kthehesh me nerva njerëzve të shtëpisë, nuk ke dëshirë të dalësh me shokët. Edhe nëse del do e kesh mendjen te telefoni, fitova apo jo. Gënjen të shtëpisë kur të pyesin ku i çon lekët, duke sajuar lloj-lloj justifikimesh”, thekson i riu.
Enea thotë se askush nuk ka dalë i fituar nga bixhozi dhe ai është i vetëdijshëm për këtë, por e ka shumë të vështirë ta lerë.
“Nuk kam kërkuar ndonjëherë për ndonjë qendër rehabilitimi, pasi është një çështje delikate. Nuk mund t’i shprehesh asnjërit për këtë temë, as psikologut vetë. Të vjen zor t’i thuash. Është çështje që edhe ti vetë e di që po gabon, por të çon prapë ai mikrobi. Ia them vetes në shumë raste, ‘lëre se nuk ia ke parë hajrin’ se më të vërtetë asnjë nuk ia ka parë hajrin. Por, pastaj çohesh ditën tjetër, është një moment që të kap dhe nuk rri dot pa luajtur. Dhe ato lekë që ke ‘kursver’ duke mos luajtur një ditë më parë, i harxhon dyfish ditën tjetër. Thjesht vesi, është jashtëzakonisht shumë e vështirë që të heqësh dorë.
Kam marrë dhe kërcënime nga borxhlinjtë, por u kam thënë do t‘ua jap dhe nëse kërcënoni, ju humbni. Por, shumica e atyre që na japin borxh e njohin njëri-tjetrin”, e mbyll rrëfimin e tij 25-vjeçari nga Tirana.
Qendra e premtuar e rehabilitimit për varësinë ndaj kumarit nuk ekziston
Në lidhje me problemin e varësisë nga bastet, në vitin 2018, Ervin Bushati, deputet i Partisë Socialiste dhe anëtar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave deklaroi se do të ngriheshin qendra rehabilitimi.
“Do të trajtohet si ves dhe do ketë edhe qendra rehabilitimi”, deklaroi Bushati 5 vite më parë.
Kërkesa për informacion dërguar Agjencisë për Median dhe Informimin, 4 prill 2023
Faktoje kontaktoi zotin Bushatin nëpërmjet një mesazhi në whatsapp në lidhje me këtë zotim, por nuk morëm një përgjigje nga ai. Gjithashtu ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Agjencisë për Median dhe Informimin, nëse ishte ngritur një qendër rehabilitimi për personat që kanë varësi nga bixhozi.
MIA sqaron zyrtarisht:
“Këshilli i Ministrave ende nuk ka miratuar një vendim për ngritjen e një qendre të tillë rehabilituese. Aktualisht drafti për Lojërat e Fatit Online është në fazën e konsultimit publik, duke u dhënë mundësinë grupeve të interesit të bëjnë sugjerimet e tyre.
Për ngritjen e një qendre specifike që juve adresoni në kërkesën tuaj, ju lutem referojuni edhe institucioneve të tjera në rast se ka patur iniciativa personale të deputetëve, në lidhje me ngritjen dhe funksionimin e saj”.
Ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe Ministrisë së Drejtësisë, nëse është ndërmarrë ndonjë nismë ligjore për ngritjen e këtyre qendrave.
Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Drejtësisë, 5 prill 2023
Zyrtarisht Ministria e Drejtësisë tthekson se nuk ka ndërmarrë nismë për ngritjen e qendrave për trajtimin e personave që kanë varësi nga bixhozi (lojrat e fatit). Ky institucion ia delegon përgjegjësinë për këtë kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Faktoje iu drejtua zyrtarisht edhe Kuvendit të Shqipërisë mbi këtë nismë. Në përgjigjen zyrtare, Kuvendi i Shqipërisë dërgon një link, ku na drejton për të marrë informacionin e kërkuar.
Kërkesa për informacion dërguar Kuvendit të Shqipërisë, 5 prill 2023
“Kuvendi i Shqipërisë, mbështetur në ligjin nr. 119/2014 ‘Për të Drejtën e Informimit’ bën publike në faqen e internetit çdo nismë ligjore, përkatësisht në www.parlamenti.al. Për këtë arsye sjellim në vëmendjen tuaj se, nëse në faqen e internetit të Kuvendi nuk ndodhet një nismë ligjore për ngritjen e qendrave rehabilituese për personat që kanë varësi nga bixhozi, nënkupton që nuk është paraqitur një e tillë”, njofton Kuvendi i Shqipërisë. Gjatë një kërkimi në faqen zyrtare të Parlamentit, nuk rezulton të ketë një nismë të tillë.
Henri Telharaj, drejtues i Këshillit Shqiptar për problemet e lojërave të fatit thotë për Faktoje se në vendin tonë nuk ka asnjë qendër shtetërore, e cila kujdeset për rehabilitimin e personave me varësi nga lojërat e fatit.
“Problematikat e ardhura nga lojërat e fatit janë shumë, pasi ne jemi në dijeni se varësia nga lojërat e fatit prek jetën e individit (dhe jo vetëm) në shumë drejtime, në atë psikologjik, financiar, por edhe në prishje të marrdhënieve të punës, familjare, shoqërore etj. Rreziku më i madh që i kanoset këtyre personave është vazhdimësia e situatës së errët në të cilën ndodhen. Duke mos e trajtuar problemin e tyre ata do të zhyten gjithnjë e më shumë në errësirë duke humbur veten e tyre, kohën por edhe të dashurit përreth”, thotë Telharaj.
Më tej ai thekson se problemi është shumë shqetësues, pasi kushdo ka akses online që të futet në faqet online të basteve.
“Ligjërisht nuk ekziston asnjë pikë bastesh në vendin tonë, por ilegalisht do të flisnim për një numër të barabartë me qarkullimin e smartphonëve duke qenë se është lehtësisht e mundur dhe e disponueshme 24 orë të luash në site bastesh vendase dhe të huaja. Për të frenuar fenomenin ka një sërë masash ligjore që duhen ndërmarrë, përfshirë këtu mbrojtjen e minorenëve deri te parandalimi dhe mbrojtja e qytetarëve nga rrjeta e varësisë”, argumenton drejtuesi i Këshillit Shqiptar për problemet e lojërave të fatit, Henri Telharaj.
Telharaj shton se nga puna në terren gjatë katër viteve që u ndalua aktiviteti i lojërave të fatit dhe basteve sportive, rezultoi që ato nuk kanë qenë të mbyllura asnjëherë. “Kemi pasur 4300 pika llotosh. Ndalimi i tyre edhe pse në dukje ishte e mirë, përshkallëzoi tendencën për të shkuar online. Që nga 1 janari 2019 numërohen mbi dy milionë pika bastesh. Varësia nga lojërat e fatit prek mesatarisht 7 deri në 10 persona në jetën e një individi. Çdo lloj telefoni është një platformë për të luajtur”, shprehet ai.
Nga ana tjetër, një raport i Prokurorisë së Përgjithshme tregon se në vitin 2021 policia ka zbuluar 70% më shumë raste të zhvillimit të lojërave të fatit të palejuara. Po në të njëjtin vit, shqiptarët shpenzuan 80 milionë euro në bixhoz.
Ndërkohë, ekspertët ngrenë alarmin se varësia ndaj lojërave të fatit po shton përdorimin e alkoolit apo substancave të tjera.
“Varësia ndaj lojërave është njësoj si drogat e tjera, ato lidhen zinxhir me njëra-tjerën dhe kombinohen me njëra- tjetrën. Statistikisht nëse dikush ka varësi ndaj alkoolit mund të jetë i ekspozuar dhe të ketë varësi ndaj substancave të tjera”, theksojnë mjekët toksikologë.