Pastrimi i qytetit të Kavajës ishte një nga përparësitë e kryetarit të Bashkisë, Fisnik Qosja. Verifikimi në terren tregoi përmirësime në nivelin e pastërtisë brenda qytetit, ndërkohë që në zonat periferike vërehej ende nevoja për ndërhyrje të mëtejshme.
Kryebashkiaku Fisnik Qosja e cilësoi pastrimin e qytetit si përparësi të tij në krye të Bashkisë së Kavajës, gjatë fushatës së zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023.
“Puna e parë në krye të bashkisë do të jetë çështja e pastrimit. Asnjë qytetar, turist apo sipërmarrës nuk do të shohë më pamjet e shëmtuara të makinës së pastrimit në mes të ditës, orë e pa orë”- deklaroi Fisnik Qosja më 23 shkurt të vitit 2023.
Nisur nga ky premtim i zotit Qosja, Faktoje bëri një verifikim në Kavajë më 6 nëntor për të parë nga afër situatën në këtë terren.
Në hyrje të qytetit dhe në brendësi të tij shiheshin kosha kudo, afërsisht çdo 20 apo 50 metër dhe ishin të pastruar. Qyteti dukej i pastër dhe kjo konfirmohet për Faktoje edhe nga qytetarë, të cilët bënë të ditur se ka ndryshim për sa i përket pastrimit të qytetit, krahasuar me një vit më parë. Mirëpo, theksojnë se duhet bërë edhe më shumë në këtë drejtim.
“Çdo ditë pastrohen trotuaret, janë të përnatshme, por duhet të ketë pak më shumë pastërti. Situata ka ardhur duke u përmirësuar. Aty e kam unë fiksimin, te pastërtia, sidomos te parku ku vijmë me fëmijët”, tha një 60-vjeçare për Faktoje.al, e cila nuk pranoi të identifikohej.
Mirëpo, edhe pse në brendësi të qytetit gjithçka kishte ndryshuar, në rrethina situata ishte disi më shqetësuese. Kosha të tejmbushur dhe mbetje të shpërndara përtokë mund të shihje në disa pika jashtë qendrës së qytetit të Kavajës.
Faktoje.al iu drejtua me një kërkesë për informacion edhe Bashkisë Kavajë në lidhje me çështjen e pastrimit në qytet. Institucioni bëri të ditur zyrtarisht se pastrimi i qytetit bëhet çdo ditë, pas orës 24:00, teksa pranojnë që ka ende probleme, kryesisht me mbetjet inerte.
“Në qytetin e Kavajës shërbimi i pastrimit ofrohet gjatë 7 ditëve të javës, pas orës 24:00. Në NJA Synej, Luz i Vogël, Helmes shërbimi ofrohet gjatë 6 ditëve të javës dhe në NJA Golem, gjatë sezonit turistik shërbimi ofrohet 7 ditë në javë, ndërsa në dimër 6 ditë në javë. Sigurisht si në çdo qytet tjeter dhe në Bashkinë Kavajë hasen problematika të vogla, kryesisht me mbetjet inerte, por është punuar për zgjidhjen e tyre”, bën të ditur Bashkia e Kavajës.
Nisur nga verifikimi i kryer vendosëm që premtimin për pastrimin e menjëhershëm të qytetit ta kategorizojmë pjesërisht të mbajtur.
* Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.