Bashkia e Kamzës nuk ka ende një stacion të transferimit dhe impiant të diferencimit të mbetjeve, edhe pse në 23 maj të këtij viti mbushen plot 4 vite nga firmosja e kontratës koncesionare me afat 12-vjeçar. Nga një verifikim në terren, Faktoje konstatoi se nuk ekziston një stacion i tillë në Valias, edhe pse ka përfunduar tashmë 1/3 e periudhës së kontratës PPP. Kamza është pjesë e qarkut Tiranë dhe mbetjet e saj duhej të trajtoheshin në landfillin e Sharrës, sipas parashikimeve në koncesionin për inceneratorin e Tiranës, duke qenë e përfshirë njëkohësisht në dy kontrata koncensionare për menaxhimin e mbetjeve.
————————————————————————————–
Rreth 5 vite më parë, kryebashkiaku asokohe i Kamzës, Xhelal Mziu deklaronte se qeveria kishte penguar ndërtimin e landfillit për depozitimin e mbetjeve në Kamzë, edhe pse Këshilli Bashkiak kishte votuar në vitin 2016 për ndërtimin e tij.
“Kryebashkiaku Xhelal Mziu i bëri sërish thirrje qeverisë, por edhe ndërkombëtarëve, për të gjetur zgjidhje, për ngritjen e një landfilli dhe dhënien e lejes mjedisore për hedhjen e mbetjeve urbane, pasi në kushtet në të cilat ne jemi, është vërtetë një situatë shumë kaotike, e cila kërkon patjetër një zgjidhje emergjente dhe zgjidhja e vetme është miratimi i lejes mjedisore për hedhjen e mbetjeve urbane në Valias”, njoftonte Bashkia Kamzë më 31 korrik të vitit 2017.
Kjo deklaratë erdhi vetëm një muaj përpara firmosjes së kontratës koncensionare për ndërtimin e landfillit të Tiranës, ndërkohë që po sipas kontratës, landfilli dhe inceneratori i Tiranës do t’i shërbente të gjithë qarkut Tiranë, ku Bashkia Kamzë ishte pjesë e tij. Kjo procedurë konkurrimi për këtë kontratë kishte filluar përpara deklaratës së 31 korrik të vitit 2017 të zotit Xhelal Mziu. Duke qenë se sipas kontratës për landfillin e Tiranës, ky landfill do t’i shërbente të gjithë qarkut Tiranë dhe mbetjet e këtij qarku ishin dhënë monopol koncensionarit fitues nga njësitë vendore të qarkut Tiranë, kërkohej firmosja e formatit të angazhimit mbi detyrimet kontraktuale ndaj landfillit të Tiranës.
Screenshot nga kontrata e inceneratorit të Tiranës
Pavarësisht kësaj kontrate të firmosur në gusht të vitit 2017, një vit më vonë Bashkia Kamzë vijoi me firmosjes e kontratës koncesionare për “dhënien me koncesion PPP të shërbimit të pastrimit, grumbullimit, transportimit he seleksionimit të mbetjeve urbane”.
Në këtë kontratë koncensionare të firmosur nga Bashkia Kamzë, koncesionarit nuk i kërkohet më ndërtimi i landfillit, por sipas nenit 3 kërkohej: “ndërtimi i stacionit të transferimit dhe instalimi i impiantit të diferencimit të mbetjeve”.
Sipas nenit 10 të kësja kontrate, afati për ndërtimin e stacionit të transferimit duhej të kryhej brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e kontratës.
Por, çfarë po ndodh aktualisht me ecurinë e punimeve për stacionin e menaxhimit të mbetjeve në Bashkinë e Kamzës, kur kanë kaluar 4 vite nga firmosja e kësaj kontrate? Kontrata për dhënien me koncension PPP të shërbimit të pastrimit, grumbullimit, transportimit dhe seleksionimit të mbetjeve urbane për qytetin e Kamzës e nënshkruar më 23 maj 2018 specifikon:
“Koncensioni jepet për një periudhë prej 12 vjetësh nga data efektive dhe përfundon në ditën e përvjetorit të 12-të të datës efektive”- thuhet ndër të tjera në këtë kontratë.
Screenshot nga kontrata koncensionare për menaxhimin e mbetjeve të Kamzës
Në nenin 10 të këtij dokumenti thuhet se kontrata hyn në fuqi menjëherë pas nënshkrimit, duke përcaktuar edhe detyrat e koncensionarit.
“Koncesionari merr përsipër të vërë në punë stacionin e transferimit për seleksionimin e mbetjeve brenda 6 muajve nga dita e hyrjes në fuqi të kësaj kontrate.
Koncensionari merr përsipër të fillojë menjëherë nga dita e nesërme ora 00:01, kryerjen e shërbimit të pastrimit, grumbullimit, transportit dhe depozitimit të mbetjeve sipas zërave të përcaktuar në aneksin 2 të kësaj kontrate”, sqarohet ndër të tjera në dokument.
Screenshot nga kontrata koncensionare e Kamzës
Mirëpo, edhe pse janë bërë 4 vite nga nënshkrimi i kontratës në fjalë, për menaxhimin e mbetjeve të Bashkisë Kamzë, nga verifikimi në terren rezulton se ndërtimi i stacionit të transferimit dhe impiantit të diferencimit të mbetjeve nuk ka nisur ende.
Një tjetër kontratë koncesionare ku përfshhet Bashkia e Kamzës është ajo: “Për ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitim i venddepozitimeve ekzistuese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike”. Pra, ekzistojnë dy kontrata koncensionare ku përfshihet Bashkia e Kamzës.
Screenshot nga kontrata koncensionare e Tiranës
Kontrata në fjalë e firmosur 9 muaj para kontratës PPP për mbetjet e Kamzës, sqaron qartësisht se mbetjet depozitohen në landfillin e Sharrës.
Shoqëria koncesionare që merret me menaxhimin e mbetjeve është “Eco Cleaning”. Bashkia ka lidhur një kontratë koncesioni mes Bashkisë Kamëz si Autoritet Kontraktues dhe shoqërisë koncesionare “Eco Cleaning” sh.p.k dhe konsiston në financimin, vënien në punë të shërbimit të pastrimit, grumbullimit, transportit dhe seleksionimit të mbetjeve urbane nëpërmjet impiantit të diferencimit të mbetjeve për qytetin e Kamzës, depozitimin e mbetjeve në vendet përkatëse dhe transferimin e shërbimit nga Koncesionari tek Autoriteti Kontraktues në fund të periudhës 12-vjeçare.
Data efektive e kontratës është data 24.05.2018. Subjekti “ECO CLEANING” sh.p.k, ka aplikuar për leje mjedisi për ndërtimin e një Stacion Transferimi mbetjesh të parrezikshme (Grumbullim, Transport dhe Magazinim i Përkohshëm i Mbetjeve të Parrezikshme, larja, pastrimi, sprucimi ose veshja e konteniereve dhe ambalazheve në mënyre që të ripërdoren).
Mbetjet e tjera të pariciklueshme do të depozitohen në Landfillin e mbetjeve urbane në Sharrë. Ky stacion transferimi është projektuar të ndertohet në fshatin Valias, Bashkia Kamëz, prona me Nr. Pasurie: 343, zona kadastrale 2066, por projekti ka hasur në kundërshtim nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe nga banorët e zonës.
Verifikimi në terren
Faktoje ishte në zonën e Valiasit më datën 9 maj, aty ku ishte planifikuar që të ndërtohej landfilli dhe më pas stacioni i transferimit për mbetjet urbane të Bashkisë Kamzë, Nga verifikimi në terren dhe bisedat me banorë të zonës, na u bë e ditur se landfilli nuk u ndërtua asnjëherë. Zona ku ishte planifikuar të ngrihej landfilli ishte një fushë e madhe, pranë disa banesave private.
“Nuk kanë bërë gjë deri tani. Kanë ardhur 100 herë dhe nuk i kanë lënë banorët”, tregon një mesogrua që jeton prej vitesh në Valias.
Fusha në Valias ku ishte planifikuar të ndërtohej landfilli, 9 maj 2022
Një tjetër banor shprehet se kanë protestuar si komunitet disa herë për të mos lejuar ndërtimin e tij, duke theksuar se personat përgjegjës nuk kishin lejet e nevojshme për ngritjen e landfillit në këtë zonë.
“Kemi bërë protesta 5 herë për këtë fushën këtu. Këtu ishte planifikuar të bëhej, por më duket janë tërhequr. Ata u tërhoqën se ishin pa leje mjedisi, pa leje për hedhjen e mbetjeve. Erdhi Sadri Abazi edhe njëherë dhe u tërhoq edhe ai, para dy vitesh.
Këtu është afër bregut të lumit, ata thonë që nuk lejohet në lumë. Është edhe afër aeroportit. Na ka tronditur kaq shumë kjo puna e plehrave këtu, e kemi mbrojtur, kemi bërë disa protesta! Unë gjithë këtë shtëpi nuk e bëj dot më, nuk e blej dot më”, thotë një tjetër banor.
Fusha në Valias ku ishte planifikuar të ndërtohej landfilli, 9 maj 2022
Në lidhje me çështjen e mbetjeve dhe ku i depoziton Bashkia Kamzë ato, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion këtij institucioni më 9 maj.
Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Kamzë, 9 maj 2022
Ne morëm një përgjigje nga ky institucion më 19 maj, ku ndër të tjera bëhet e ditur se Bashkia Kamzë gjeneron 93 tonë mbetje në ditë.
Më tej sqaron se “Bashkia Kamzës bashkë me Ndërmarrjen e Pastrim Gjelbërimi e ka dhënë me koncesion edhe depozitimin e mbetjeve. Për këtë është firma koncesionare që bën depozitimin e mbetjeve”.
Përgjigja e Bashkisë Kamzë, 19 maj 2022
Në vijim të verifikimit në terren, Faktoje në datë 11 maj dërgoi një kërkesë të dytë të detajuar për Bashkinë Kamzë,
Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Kamzë, 11 maj 2022
Ne morëm një përgjigje për këtë kërkesë për informacion më 23 maj, ku ndër të tjera pranohet se nuk është ndërtuar stacioni i transferimit të mbetjeve, si dhe janë aplikuar penalitetet sipas kontratës ndaj koncesioarit, duke mos specifikuar llojin e penalitetit. Duke qenëse përgjigja e Bashkës Kamzë ishte e paplotë, Faktoje e ankimoi atë te Komisioneri Për Të Drejtën e Informimit.
Përgjigjia e Bashkisë Kamzë për Faktoje, 23 maj 2022
Në një artikull të publikuar në vitin 2018, revista Monitor raportonte se Kamza kishte kaluar pastrimin dhe grumbullimin e mbetjeve me koncesion, me vlerë 10 milionë euro për 12 vite, por në realitet mbetjet e kësaj bashkie depozitohen sipas parashikimeve të kontratës koncensionare të inceneratorit të Tiranës, e cila mban si datë nënshkrimi 31 gushtin e vitit 2017, pra 9 muaj para se të firmosej kontrata tjetër PPP me objekt menaxhimin e mbetjeve të bashkisë Kamzë.
Ndërtimi i stacionit, ndërkohë që janë bërë 4 vite nga firmosja e kontratës, e cila do të përfundonte brenda 6 muajve të parë të saj dhe që është pjesë e faturës financiare për të cilën Bashkia Kamzë paguan koncesionarin, nga verifikimi në terren nuk rezulton i ndërtuar në vendndodhjen e deklaruar nga ish-kryebashkiaku Mziu.
Bashkia Kamzë duhet ende të informojë sa është kostoja që zëri për ndërtimin e stacionit dhe impiantit zë në faturën totale prej 10 milionë eurosh.