A e fituam betejën me qeset plastike?

996

Beteja kundër qeseve plastike njëpërdorimshe në Shqipëri po rezulton e humbur. Të prodhuara ilegalisht apo pasi kanë hyrë kontrabandë, qeset vijojnë të qëndrojnë në tezgat apo tregjet e vogla në mbarë vendin. Nga mbi 2500 inspektime gjatë këtij viti, agjencitë ligjzbatuese raportojnë vetëm 7 raste abuzimi të ndëshkuara me gjobë. Ekspertët thonë se nisma nuk po gjen zbatim për mungesë vullneti të autoriteteve në luftën kundër informalitetit.

Esmeralda Topi

“1 qershorin ua dhurojmë fëmijëve pa qese, sepse sot miratuam në Parlament ndryshimet ligjore që ndalojnë prodhimin, tregtimin, importimin dhe përdorimim e qeseve plastike njëpërdorimshe.”, deklaronte në mars 2022 ministrja e Mjedisit dhe Turizmit Mirela Kumbaro, fill pasi parlamenti miratoi me 80 vota pro ndryshimet ligjore që ndalojnë përdorimin e qeseve plastike njëpërdorimshe në vendin tonë.  

Por verfikimet tregojnë se beteja kundër qeseve plastike njëpërdorimshe është humbur. Pasi nuk arriti të ishte vendi i parë në Europë pa qese plastike, Shqipëria po rrezikon të humbasë edhe luftën me ndalimin e qeseve njëpërdorimshe.

Fotografi nga Atdhe Mulla

Qeset njëpërdorimshe ‘lulëzojnë’ kudo

Çdo familje në Shqipëri përdor të paktën dy qese në ditë për blerje të ndryshme. Luljeta, një zonjë tek të 60-at teksa bën pazaret e ditës pranë një tregu të vogël fruta-perimesh pranë rrugës së Elbasanit, në kryeytet na thotë:

“Qëkur u bënë me lëkë qeset, unë i mbledh dhe i përdor disa herë derisa të më çahen.”. Ndërkohë nxjerr nga çanta e saj një qese plastike të mbështjellë me kujdes, të cilën e bën gati për të vënë frutat dhe perimet që ka blerë.

“Megjithatë ka raste kur marr edhe nga ato qeset e holla pa lekë nëpër tezga fshatarësh.”, shton ajo duke kujtuar se dikur përdorte edhe trastat për të bërë pazaret e ditës.

“Para viteve 90’ kemi përdorur trastat dhe gjatë këtij viti shoh që janë kthyer në modë prapë”, thotë e buzëqeshur Luljeta.

Prej një viti, prodhuesit lejohen të nxjerrin në treg qese plastike, të cilat janë shumëpërdorimshe, më të mëdha, më të trasha dhe të riciklueshme. Por të prodhuara ilegalisht ose që kanë hyrë kontrabandë, qeset njëpërdorimshe i gjen thuajse në çdo tezgë ku shiten fruta- perime apo produkte të tjera në Tiranë.

Pëllumb Dafku, tregtar fruta – perimesh në Tiranë, thotë se prej një viti i ofron blerësve vetëm llojet e qeseve plastike që lejon ligji, kundrejt një tarife prej 10 lekësh. 

“Unë po i shes me 10 lekë, sepse është rritur kostoja, por ka shumë të tjerë vetëm pak metër larg meje që japin falas qese njëpërdorimshe.”, pohon ai duke theksuar se vetëm moshat e treta mbajnë qese apo trasta me vete kur shkojnë të blejnë produkte.

“Shumica e të rinjve i blejnë, vetëm moshat e treta vijnë me qese me vete, trasta apo çanta të tjera lecke.”, tregon ai për Faktoje.

Prej një viti, thuajse çdo dyqan, i vogël apo i madh, ka afishuar në vende të dukshme se çdo qese për blerjet e tyre kushton nga 10 deri në 20 lekë për fije. 

2539 inspektime, por vetëm 7 gjoba për qeset

Qeset që ndalohen me ligj janë ato njëpërdorimshe, me trashësi më të vogël se 70 mikron dhe kapacitet më pak se 10 kilogramë. Pwr shkelësit, ligji parashikon gjoba nga 500 000 deri në 1,500,000 lekë, sekuestrim të qeseve, deri në heqje të licensës së aktivitetit.

E megjithatë, gjatë thuajse një viti Agjencia Kombëtare e Mjedisit së bashku me Inspektoriatin Shtetëror të Mbikqyrjes së Tregut kanë zbuluar vetëm shtatë raste abuzive, nga 2539 inspektime që kanë bërë në të gjithë vendin.

“Agjencia Kombëtare e Mjedisit në bashkëpunim me Inspektoriatin Shtetëror të Mbikqyrjes së Tregjut gjatë hyrjes në fuqi të VKM – së Nr. 367, datë 30.5.2022 “Për përcaktimin e masave të hollësishme dhe institucioneve përgjegjëse për ndalimin e përdorimit, hedhjes në treg, prodhimit, importimit apo futjes në territorin e Republikës së Shqipërisë të qeseve plastike mbajtëse, si dhe qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo- biodegradueshme” i ndryshuar, ka vendosur 7 masa administrative.”, shkruan në përgjigje të kërkesës për informacion Ministria e Mjedisit, teksa shton se institucionet ligjzbatuese kanë sekuestruar 111 kg qese njëpërdorimshe në të gjithë vendin.

Këto rezultate të dobwta ua vuri në dukje autoriteteve përgjegjëse edhe ministrja e Mjedisit Mirela Kumbaro në takimin që i parapriu njëvjetorit të ndalimit të përdorimit të qeseve plastike njëpërdorimshe në vend.

“Me hyrjen në fuqi të ligjit në 1 qershor të vitit të kaluar jemi prapë në një situatë në të cilën na duhet të forcojmë masat kontrolluese, koordinuese dhe ndëshkuese.”, tha Kumbaro.

Mbledhja e Task Forcës për ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshe 23 maj 2023

Edhe Ministria e Mjedisit pranon se procesi kërkon më shumë ndërgjegjësim dhe bashkërendim institucional.

“Ecuria e këtij procesi deri më tani, nga vitet e kaluara mund të quhet e suksesshme, por kërkohet edhe më shumë punë në të gjithë hallkat kryesisht: a. Ndërgjegjësimi i komunitetit nëpërmjet shkollave dhe mediat;b. Bashkërendimi institucional me shoqërinë civile etj.”, i tha Faktojes Ministria e Mjedisit.

Çfarë thonë ekspertët?

Seit Shallari, profesor pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës thotë se nisma është për t’u vlerësuar, por zbatimi i saj në terren lë për të dëshiruar.

“U duk sikur në fillim pati një impakt, por mendoj se lë për të dëshiruar pjesa e monitorimit ose e thënë ndryshe pjesa e zbatimit të ligjit. Sepse duhet të shoqërohet me penalitete për të gjithë ata që shkelin ligjin, dhe të nxitet pak a shumë si nisma anti duhan që është shembulli konkret që shqiptarët mund ta zbatojnë ligjin. Këtu kam parasysh penalitetet dhe punën e institucioneve, sepse këto të fundit bëjnë monitorimin.”, shprehet profesor Shallari për Faktoje, teksa shton edhe rëndësinë që ka ndërgjegjësimi i vetë qytetarëve.

“Duhet të ecin paralelisht të gjitha masat bashkë. Sepse njerëzit duhet të kuptojnë riskun që vjen nga plastika, nuk është vetëm ndotje vizive dhe ndotje e peisazhit, por është një ndotje që ka problematikë.”, thekson ai.

Ndërsa Vullnet Haka, nga Shoqata e Konvertuesve të Plastikës në Shqipëri e vë theksin tek informaliteti që po gëlon në sytë e agjencive ligjzbatuese.

“Ato sipërmarrje prodhuese që operojnë në shkelje të ligjit po vazhdojnë aktivitet po kënaqen, kurse sipërmarrjet e tjera që zbatojnë ligjin shohin se si po shesin këto të paligjshmit. Agjencitë ligjzbatuese nuk po operojnë dhe informaliteti vijon.”, thotë ai duke shtuar:

“Ne operojmë në një treg të limituar, sepse agjencitë ligjzbatuese, kryesisht Autoriteti i Mbikqyrjes së Tregjeve nuk zbaton ligjin. Në çdo dyqan të zakonshëm të shkosh, gjen qese plastike të jashtligjshme. Ata shkojnë i vizitojnë dhe konstatojnë dhe thonë nuk mund të vendosim gjobë 5 milionë lekë një dyqani. Nuk duan ta zbatojnë ligjin! Ne shpresojmë që me mbylljen e fushatës dhe zgjedhjeve vendore,  qeveria, t’i kthehet këtij problemi se gjykojmë që e kanë lënë pak pas dore për të mos ndikuar në fushatë elektorale.”, thotë Haka teksa propozon si zgjidhje rishikimin e penaliteteve për shkelësit.

“Ne i mbetemi asaj që kemi propozuar më herët, të ketë një masë ndëshkuese edhe për qytetarët. Për dyqanet e vogla 50 mijë lekë, për biznesin e mesëm 150 mijë lekë dhe për bizneset e mëdha 500 mijë lekë.”, përfundon ai.

Këtë 1 qershor, autoritetet përgjegjëse paralajmëruan se s’do të ketë asnjë tolerim ndaj shkelësve të ligjit.