Në muajin mars kryeministri Edi Rama lajmëroi uljen e tatimit për pagat e larta. Sipas tij, rishikimi i taksës do të materializohej tre muaj më vonë. Verifikimet e Faktoje tregojnë se tatimi 23% për pagat e larta nuk u ul në qershor. Ministria e Financave nuk e ka në plan rishikimin as vitin e ardhshëm.

Esmeralda Topi

‘Kush fiton më pak paguan më pak, kush fiton më shumë paguan më shumë’- Taksimi progresiv ishte kali i betejës së socialistëve në fushatën elektorale të 2013 dhe shtylla kryesore e programit ekonomik të rilindjes. 

Taksa progresive hyri në fuqi në janar të 2014. Prej asaj kohe të ardhurat nga punësimi në Shqipëri tatohen me tre fasha: 0 për qind, 13 për qind dhe 23 për qind.

Aktualisht, pagat deri në 50 mijë lekë kanë tatim zero, nga 50-60 mijë lekë paguajnë 13 për qind të shumës mbi 35 000 lekë. Nga 60-200 mijë lekë paguajnë 13 për qind të shumës mbi 30 000 lekë, dhe mbi 200 mijë lekë tatimi është 23 për qind. (Shiko tabelën)

Burimi: DPT

Por një dekadë më vonë, kryeministri Edi Rama pranon se tatimi i pagave të larta duhet ulur. 

“Kemi një projekt që besoj nga qershori do ta materializojmë për të ulur tatimfitimin e të ardhurave për ata që kanë pagat më të larta si punonjës.”, deklaroi Rama në muajin mars, në një nga seritë e podcastit FLASIM që publikohet çdo të dielë në rrjetet e tij sociale.

“Një nga arsyet është se nuk mund t’i vëmë ne më shumë taksa njerëzve nëse nuk i japim shërbime më të mira. Për këtë nivel shërbimesh sot për sot nuk mund të pretendojmë të vëmë më shumë taksa”, argumentoi më tej kryeministri. 

Fakt 

Deri në fund të qershorit në Shqipëri numëroheshin 18,112 punonjës me pagë mbi 200 mijë lekë që paguajnë 23% të pagës si tatim. 

Nga verifikimet e Faktoje.al rezulton se rishikimi i kësaj fashe nuk ndodhi, sikurse deklaroi kryeministri. Madje, gjasat janë që lehtësimi i premtuar për pagat e larta nuk është në plan as vitin e ardhshëm.

“Ministria e Financave nuk ka përgatitur ndryshime ligjore pjesë të paketës fiskale për vitin 2025. Ligji për tatimin mbi të ardhurat nuk është në plan për tu rishikuar në kuadër të propozimeve që lidhen me aplikimin e normave tatimore.”, pohon zyrtarisht Ministria e Financave. 

Prej 20 shtatorit, Ministria e Financave ka hedhur për konsultim publik draft-strategjinë afatmesme të të ardhurave dhe planin e veprimit, 2024-2027, një dokument strategjik, i cili përcakton politikën e ardhshme tatimore dhe të mirëadministrimit tatimor e doganor për 4 vitet në vijim.  

“Ndryshimet e politikës tatimore do të bëhen në përputhje me këtë strategji.”, thekson Ministria, duke lënë të kuptohet se ulja e 23% nuk është pjesë as tek strategjia afatmesme. 

Në Shqipëri ka një raport të zhdrejtë të taksave mbi punën dhe atyre mbi kapitalin- sipas ekspertëve të ekonomisë. 

“Duhet të ketë një raport të arsyeshëm të taksave mbi punën dhe atyre mbi kapitalin.”, argumenton Zef Preçi që drejton Qendrën Shqiptare për Kërkime Ekonomike. 

“Për fat të keq, me sa duket nën ndikimin edhe të grupeve të biznesit dhe të oligarkeve që kontrollojnë tregjet kryesore në vend, gjatë dekadës së fundit vihet re një rritje e pajustifikuar e taksave mbi punën, dhe nuk ndodh e njëjta gjë për taksat mbi kapitalin, e kunderta ndodh.”, arguementon më tej ai. 

Sipas Preçit, rishikimi i progresivitetit duhet zbatuar nisur nga përvojat e mira botërore me një sistem të thjeshtë e të kuptueshëm- si dhe të krahasueshëm me rajonin. 

“Kurse premtimet do të shtohen, jeni në kushtet e fushatës permanente elektorale…”, përfundon ai. 

Përfundim 

Nisur nga informacionet e mbledhura, deklaratën e kryeministrit Edi Rama për uljen e tatimit për pagat e larta në qershor, e kategorizojmë të pavërtetë.