Debati në Kuvend, nga buxheti tek akuza për protestat dhe financimet

28 amendamente të PD kanë në fokus rritjen për pagat e ulëta e të mesme

19
Taulant Balla dhe Oerd Bylykbashi në seancën plenare të datës 26 nëntor, 2026

Kuvendi është mbledhur sot në seancën e radhës plenare ku në fokus do të jetë miratimi i projektbuxhetit të vitit 2027 dhe paketës fiskale që e shoqëron atë. 

Partia Demokratike propozoi dje 28 amendamente, që sipas saj, përmbysin tërësisht ndarjen që qeveria parashikon t’i bëjë buxhetit prej më shumë se 10 miliardë euro. 

28 amendamentet, kanë në fokus rritjen për pagat e ulëta e të mesme, më shumë para për pensionet. PD insiston që TVSH 6% për ushqime dhe produkte të tjera bazë, të bëhet edhe për ujin dhe energjinë.

Abonohu në newsletter

Merr lajmet më të fundit direkt në email.

Në seancën e sotme do të kalojnë për shqyrtim edhe dy aktet normative të qeverisë të 28 tetorit, për ndryshimet në ligjin për tubimet dhe dëmshpërblimin e subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë protestave.

Debat për ligjin për tubimet

Gjatë diskutimeve, deputetët e Partisë Demokratike kundërshtuan aktin normativ për ndryshimet në ligjin për tubimet, duke e cilësuar atë si një përpjekje të qeverisë për të kufizuar të drejtën e qytetarëve për protestë.

Kreu i PD-së, Sali Berisha, kërkoi tërheqjen e aktit normativ, duke argumentuar se ai bie ndesh me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. 

Ai akuzoi policinë për dhunë ndaj protestuesve dhe pretendoi se shumica e ndalimeve gjatë protestave janë konsideruar të paligjshme nga gjykatat.

Edhe deputetja Ina Zhupa vuri në pikëpyetje mungesën e përgjegjësisë së efektivëve të policisë për dhunën e ushtruar gjatë protestave, duke pyetur: “Përse nuk ka asnjë polic të arrestuar apo të dënuar për dhunën ndaj protestuesve?” 

Ndërsa deputeti Saimir Korreshi e krahasoi nismën me rikthimin e praktikave të diktaturës, duke pretenduar se ajo legjitimon dhunën policore dhe kufizon liritë themelore. 

Nga ana tjetër, Agron Gjekmarkaj akuzoi qeverinë se po përdor ligjin për të frenuar reagimin qytetar dhe për të qeverisur përmes frikës. 

“Ajo që keni mbjellë, atë do të korrni. Keni mbjellë frikë dhe korrupsion, do të korrni revoltë”, deklaroi ai, duke kundërshtuar kufizimin e së drejtës për tubim dhe protestë.

Nga ana tjetër ministri i Brendshëm, Ervin Demo, deklaroi se Policia e Shtetit ka vepruar në zbatim të ligjit dhe se garantimi i sigurisë gjatë protestave mbetet detyrë e saj.

Duke iu referuar rasteve të dhunës, Demo bëri të ditur se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) po heton administrativisht 50 raste, ndërsa Policia dhe AMP po bashkëpunojnë me Prokurorinë për procedimin e ngjarjeve të regjistruara.

Ai theksoi se e drejta për protestë duhet të garantohet, por protestat duhet të zhvillohen në mënyrë paqësore, pa cenim të qytetarëve, pronës private apo efektivëve të policisë.

“Policia ka zbatuar ligjin, sepse ajo është detyra e Policisë së Shtetit. Qëndrimi im si ministër i Brendshëm ka qenë konstant. Mos harrojmë që sot që ne flasim AMP ka 50 raste të cilat janë duke u hetuar nga pikëpamja administrative. Policia e Shtetit dhe AMP janë duke bashkëpunuar me prokurorinë për rastet e regjistruara për aktet e dhunës.

Ne ligjin duhet ta kërkojmë që të zbatohet nga të gjithë. Ligji është i barabartë për të dy. Kur flasim për të drejtën për të protestuar, kam thënë që detyra e Policisë së Shtetit është që të garantojë sigurinë.

Qytetarët të protestojnë paqësisht, të mos dhunojnë as individët që ecin në rrugë, të mos dhunojnë pronën private, Policinë e Shtetit, nëse ne biem dakord për këtë qytetarët kanë të drejtë për të protestuar për çdo lloj gjëje. Jam i bindur që detyra jonë është që të garantojmë këtë të drejtë. Ne duhet të mbajmë edhe pak përgjegjësi për pozicionin e ushtruar publikisht. Punonjësit e policisë nuk mbrojnë parti politike”, tha Demo.

PD kërkon zgjatje të mandatit për Komisionin e Zgjedhores

Ndërkohë Partia Demokratike kërkoi në Kuvend zgjatjen e afatit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, duke argumentuar se puna për ndryshimet zgjedhore nuk ka përfunduar dhe se nevojitet asistenca e Komisionit të Venecias për të gjitha paketat e reformës.

Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi deklaroi se komisioni kishte rënë dakord me konsensus që t’i kërkonte Komisionit të Venecias ekspertizë për tërësinë e reformës dhe jo vetëm për ligjin që lidhet me financimin e partive politike.

Sipas Bylykbashit, kërkesa zyrtare e përcjellë nga Kuvendi nuk pasqyron marrëveshjen e arritur në komision, pasi asistenca është kërkuar vetëm për çështjen e financimit të partive.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i bëri thirrje opozitës të vijojë punën dhe të shfrytëzojë ditët e mbetura deri në përfundimin e mandatit, më 30 nëntor. Ai paralajmëroi se ky do të ishte zgjatimi i fundit i afatit për këtë komision.

“Pas datës 30, ju s’keni të drejtë të merrni peng agjendën evropiane, agjendën e shqiptarëve”, deklaroi Balla, duke ftuar përfaqësuesit e PD-së të punojnë edhe në ditët në vijim për përfundimin e detyrave të komisionit.

Balla akuzoi opozitën se nuk ka qenë e angazhuar sa duhet në proces dhe se është kujtuar për kërkesën e zgjatjes së afatit në momentin kur mandati po përfundon. Ai kërkoi gjithashtu përparim në hartimin e ligjit për financimin e partive politike.

Gjatë debatit, kreu i grupit parlamentar socialist ngriti edhe çështjen e lobimit të PD-së në Shtetet e Bashkuara, duke përmendur shumën prej 6 milionë dollarësh dhe duke akuzuar opozitën se kërkon t’i shmanget kontrollit mbi financimin e saj.

Bylykbashi kundërshtoi qëndrimin e mazhorancës, duke paralajmëruar se reforma mund të përfundojë e njëanshme, njësoj siç pretendon se ka ndodhur me reformën territoriale. Ai theksoi se PD ka paraqitur propozimet e saj për rekomandimet e ODIHR-it, ndërsa akuzoi shumicën se nuk ka sjellë propozime konkrete.

Përplasja në Kuvend erdhi në një moment kur afati i Komisionit të Reformës Zgjedhore po shkon drejt përfundimit, ndërsa palët politike mbeten në qëndrime të ndryshme për mënyrën dhe përmbajtjen e ndryshimeve që duhet të përfshijë reforma. 

Artikulli paraprakSpiropali sfidon Ramën: PS nuk ka kryetar të përjetshëm
Megi Iskurti
Megi Iskurti ka përfunduar studimet bachelor në Shkenca Komunikimi/Gazetari dhe masterin shkencor në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Është vlerësuar me certifikatë ekselence si studentja me rezultatet më të larta akademike në Departamentin e Gazetarisë në Kolegjin Universitar “Bedër”. Ka pesë vite përvojë në median online Gazeta Si, ku ka mbuluar kryesisht çështje të ekonomisë dhe gjeopolitikës. Në Faktoje.al merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Është gjithashtu fituese e disa çmimeve të para në konkurse të eseistikës, të folurit publik dhe në konferenca studentore.