Qeveria propozon kontroll satelitor për fermerët

Nisma synon përmbushjen e detyrimeve të Kapitullit 11 të BE-së, me një buxhet të parashikuar prej 24 miliardë lekësh për katër vjet.

17

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hartuar një projektligj të ri që ndryshon mënyrën e dhënies dhe kontrollit të subvencioneve për fermerët, duke parashikuar rregulla të reja për administrimin e fondeve dhe monitorimin e tokës bujqësore.

Nisma vjen në një kohë kur Shqipëria vijon të përballet me pasojat e problematikave të konstatuara në administrimin e fondeve europiane IPARD II, të cilat çuan në pezullimin pa afat të programit të mbështetjes për vendin. 

Ndërkohë, AZHBR ka hasur vështirësi në rikuperimin e fondeve të përfituara në mënyrë të parregullt.

Abonohu në newsletter

Merr lajmet më të fundit direkt në email.

Edhe pse projektligji nuk e lidh shprehimisht hartimin e tij me rastin IPARD, ai parashikon mekanizma më të detajuar për kontrollin e subvencioneve, monitorimin e tokës bujqësore dhe rikuperimin e pagesave të përfituara pa të drejtë. 

Ngërçi me satelitët

Gjithësesi nisma mbetet për tu pare në praktike sa kohë që nuk kemi një eksperience të frytshme ne kontrollin e ptocesit përmes satelitëve. Në Janar 2023, qeveria njoftoi me bujë lëshimin e dy satelitëve në orbitë që do ta ndihmonin shtetin shqiptar të kontrollonte territorin në disa drejtime, përfshi luftën ndaj ndërtimit të paligjshëm e parcelave të kanabisit, apo mbrojtjen nga emergjencat civile. Një vit më vonë Faktoje verifikoi se kur kontrata 6 milionë dollarë ishte në gjysmë të afatit, administrata ende nuk ishte trajnuar sesi t’i përdorte këto imazhe. Pjesë e monitorimit ishte edhe rrjeti i kanaleve ujitëse, kulluese, kanalet e ujërave specifikisht në situata me reshje intensive, në mënyrë që të analizohej sipërfaqja e prekur në tokat bujqësore apo në zonat e banuara

Monitorimi i tokës bujqësore me të dhëna satelitore

Për të garantuar saktësinë e pagesave dhe kontrollin e fondeve publike, projektligji parashikon krijimin e Sistemit të Integruar të Administrimit dhe Kontrollit (SIAK), i cili do të administrohet nga Agjencia e Pagesave.

Sipas nenit 31, ky sistem do të përfshijë identifikimin e parcelave bujqësore, aplikimin gjeohapësinor dhe monitorimin e tokës bujqësore përmes teknologjive të vëzhgimit dhe të dhënave satelitore. 

Këto të dhëna do të përdoren për vëzhgimin e rregullt dhe sistematik të veprimtarive dhe praktikave bujqësore.

Pr.ligji parashikon gjithashtu që të dhënat për verifikim të mblidhen vetëm një herë dhe të ripërdoren nga autoritetet publike, të cilat do t’i shkëmbejnë ato pa pagesë. 

Gjithashtu, cilësia e sistemeve të identifikimi të parcelave, aplikimit gjeohapësinor dhe monitorimit të tokës do të vlerësohet çdo vit. Në rast mangësish, do të përcaktohen masa korrigjuese për zbatimin e tyre.

Sipas dispozitave kalimtare, SIAK do të vihet në funksion gradualisht brenda pesë vjetëve nga hyrja në fuqi e ligjit. Rregullat e hollësishme teknike, mënyra e funksionimit, vlerësimi i cilësisë dhe përditësimi i të dhënave do të përcaktohen me udhëzim të ministrit.

Subvencionet do të ulen në rast deklarimesh të pasakta

Krahas monitorimit elektronik, pr.ligji forcon dhe detyrimet e fermerëve që aplikojnë për mbështetje financiare. 

Përfituesit duhet të deklarojnë të dhëna të sakta për sipërfaqet bujqësore, numrin e krerëve të bagëtive dhe elementet e tjera mbi të cilat llogaritet. 

Ata duhet gjithashtu të ruajnë dokumentacionin përkatës, të lejojnë kontrollet dhe t’i përdorin fondet vetëm për qëllimet për të cilat janë dhënë.

Kur nga verifikimet rezulton se një aplikant ka deklaruar sipërfaqe ose numër krerësh më të lartë se ai që zotëron në të vërtetë, pagesa do të rillogaritet dhe do të zbatohen zbritjet administrative të parashikuara në projektligj.

Kontrollet administrative do të kryhen për çdo aplikim, ndërsa verifikimet në terren do të bazohen në analizën e riskut dhe në një përbërës të përzgjedhur rastësisht.

Projektligji parashikon edhe një mekanizëm mbrojtës për aplikantët që kanë vepruar në mirëbesim. Ata do të kenë mundësi të korrigjojnë aplikimet përpara se të njoftohen për një kontroll ose për ekzistencën e një parregullsie.

Nga ana tjetër, projektligji nuk lejon përfitimin e mbështetjes përmes krijimit artificial të kushteve për plotësimin e kritereve. 

Në rastet kur konstatohet se një aplikant ka vepruar në këtë mënyrë për të përfituar financim, ai nuk mund të përfitojë avantazhin e kërkuar. 

Fonde të marra padrejtësisht? Përfituesit duhet t’i kthejnë me interesa

Një tjetër dispozitë e rëndësishme gjendet në nenin 38, i cili rregullon rikuperimin e pagesave të padrejta.

Sipas projektligjit, çdo pagesë e përfituar pa të drejtë duhet të kthehet së bashku me interesat e llogaritura sipas legjislacionit në fuqi.

Vendimi i Agjencisë së Pagesave për rikuperimin e shumës do të përbëjë titull ekzekutiv dhe do të ekzekutohet sipas procedurave ligjore. Nëse një përfitues nuk shlyen detyrimin, shuma mund të kompensohet me pagesat e ardhshme që Agjencia duhet t’i kryejë të njëjtit përfitues.

Dispozita ligjore parashikon se paraqitja e një ankimi nuk e pezullon automatikisht detyrimin për kthimin e subvencionit.

Fermerët ruajnë të drejtën e ankimit administrativ dhe gjyqësor, por organi që shqyrton ankimin mund të vendosë pezullimin e ekzekutimit vetëm kur ekziston rreziku i shkaktimit të një dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm ndaj përfituesit.

Projektligji parashikon gjithashtu që, në rastet kur një investim i financuar ndryshon në mënyrë thelbësore qëllimin, natyrën ose kushtet e zbatimit gjatë periudhës së detyrueshme pas pagesës përfundimtare, mbështetja të rikuperohet në përpjesëtim me periudhën e mbetur. Kohëzgjatja e këtij detyrimi do të përcaktohet në programin e mbështetjes.

Agjencia e Pagesave do të ketë detyrimin të vlerësojë rregullisht rreziqet e mashtrimit dhe të marrë masa për parandalimin e parregullsive.

Sipas relacionit shpjegues që shoqëron pr.ligjin, nisma synon që të përmbushë detyrimet e Kapitullit 11 të acquis-së së Bashkimit Evropian, të hapur në kuadër të grupkapitullit 5 të negociatave të anëtarësimit në nëntor 2025.

Efekti financiar i parashikuar është rreth 24 miliardë lekë, për një periudhë katërvjeçare, duke nisur nga viti 2026.