Reforma zgjedhore, PS dhe PD larg konsensusit në tri javët e fundit të mandatit

Aktorët politikë me prioritete të ndryshme për ndryshimet në sistemin zgjedhor apo listat e hapura

18

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore u rikthye në tryezën e diskutimeve pas disa muajsh ndërprerjeje (që nga korriku), por mbledhja e së hënës tregoi se Partia Socialiste dhe Partia Demokratike vijojnë të kenë qëndrime të kundërta për çështjet që duhet të trajtohen me përparësi.

PS kushte për reduktimin e deputetëve

Një prej pikave të debatit është sistemi zgjedhor. Partia Socialiste është e gatshme të diskutojë ndryshimin e tij drejt një modeli proporcional kombëtar, por e kushtëzon këtë me shqyrtimin e njëkohshëm të reduktimit të numrit të deputetëve në Kuvend.

“Nëse duam të ndryshojmë sistemin zgjedhor, përfshirë variantin e një sistemi proporcional, duhet të adresojmë njëkohësisht edhe numrin e mandateve të deputetëve”, deklaroi Gjiknuri.

Ai ftoi opozitën të diskutojë një marrëveshje që do të përfshinte të dyja çështjet, përmes ngritjes së një komisioni të posaçëm për reformën kushtetuese.

“Nëse doni t’i hyjmë asaj çështjeje, le të diskutojmë për shkurtimin e numrit të deputetëve dhe le të mendojmë për sistem proporcional kombëtar”, u shpreh ai.

Bashkëkryetari i komisionit nga PS, Damian Gjiknuri, tha gjithashtu se opozita duhej të kishte paraqitur propozimet e saj dhe se, në kushtet kur afati i komisionit po përfundon, palët duhet të përshpejtojnë punën. 

Ai theksoi se Komisioni Evropian kërkon miratimin me urgjencë dhe konsensus të reformës zgjedhore, duke përmendur edhe projektligjin për financimin e partive politike, për të cilin tha se procesi është vonuar dhe objektivi nuk po realizohet.

Gjiknuri u shpreh se synimi i ndërhyrjeve të tanishme është përshtatja e Kodit Zgjedhor me ndarjen e re administrativo-territoriale, e cila parashikon 46 bashki. 

Sipas tij, ndryshimet duhet të garantojnë përfaqësimin proporcional të njësive të reja në këshillat bashkiakë, pa ndryshuar sistemin zgjedhor. Ai argumentoi se ndërhyrja është e nevojshme për shkak të afatit të shkurtër dhe se formula për këtë përshtatje është e dakordësuar.

PD, sistem proporcional kombëtar me lista të hapura

Nga ana tjetër, bashkëkryetari i komisionit nga PD, Oerd Bylykbashi, akuzoi socialistët se po e drejtojnë diskutimin drejt çështjeve që sipas opozitës nuk përbëjnë përparësinë e reformës, duke lënë mënjanë rekomandimet e OSBE/ODIHR. 

Sipas tij, që prej tryezës së 28 korrikut nuk ka pasur vullnet nga mazhoranca për të trajtuar këto rekomandime.

Bylykbashi kundërshtoi trajtimin e projektligjit për financimin e partive politike si një prej prioriteteve kryesore të komisionit, duke argumentuar se zbatimi i tij është parashikuar pas zgjedhjeve të 9 majit 2027. 

“Kërkoj zëvendësimin e saj me çështjen prioritare të rekomandimeve të ODIHR për ‘garantimin e fushës së barabartë të garës duke ndarë shtetin nga partia dhe ndalimin e abuzimit me pushtetin shtetëror në zgjedhje’. Kjo çështje është hapur për diskutim në Komision në muajt qershor-korrik dhe është priorotare për t’u përfunduar para zgjedhjeve të 9 majit 2027″, tha Bylykbashi.

Ai bëri të ditur se PD ka përgatitur një paketë propozimesh dhe amendamentesh, të cilën do ta paraqesë për diskutim në komision. 

Krahas kësaj, Bylykbashi përsëriti kërkesën për proporcional kombëtar dhe lista plotësisht të hapura për zgjedhjen e deputetëve dhe këshilltarëve bashkiakë.

“Duam lista të hapura 100 për qind. Duhet listë e hapur 100 për qind edhe për Këshillin Bashkiak. Deri tani për propozimet tona kemi vetëm “Jo”. Nëse ka normalitet, do keni propozimin tonë. Ne kemi gati paketën për ndarjen e shtetit nga zgjedhjet, siç rekomandon ODIHR. Pa të nuk ka zgjedhje të barabarta, të lira dhe të ndershme”,- tha Bylykbashi.

Komisionit i mbeten vetëm tri javë afat

Gjiknuri dhe Bylykbashi shprehën qëndrime të kundërta edhe për mënyrën se si duhet të funksionojë komisioni. 

Ndërsa Gjiknuri argumentoi se puna është vështirësuar dhe se procesi nuk mund të bllokohet nga mungesa e vullnetit të njërës palë, kur koha për punën po skadon, Bylykbashi kundërshtoi mënyrën e përcaktimit të rendit të ditës, duke pretenduar se ai ishte miratuar në mënyrë të njëanshme. Pas kësaj, ai bojkotoi komisionin sëbashku me deputetët e tjerë të PD. Komisioni ka afat deri më 30 nëntor për të përmbyllur punën.

Deri tani, palët nuk kanë arritur një dakordësi as për agjendën dhe as për ndryshimet thelbësore që duhet të përmbajë reforma.

Rekomandimet prioritare të ODIHR-it

Një nga problematikat kryesore të evidentuara nga OSBE/ODIHR në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 ishte zbehja e vijës ndarëse mes partisë në pushtet dhe shtetit, për shkak të përdorimit të gjerë të burimeve administrative dhe pushtetit institucional në funksion të fushatës, një nga çështjet e cila sipas Bylykbashit duhet të ishte prioritet për t’u diskutuar në komision. 

Në raportin përfundimtar, ODIHR vëren se aktivitetet zyrtare të kryeministrit dhe ministrave, gjatë të cilave promovoheshin investime, projekte infrastrukturore dhe programe sociale, ndërthureshin me mesazhe elektorale dhe i krijonin partisë në pushtet një avantazh ndaj kundërshtarëve. 

Raporti evidenton gjithashtu raste presioni ndaj punonjësve publikë dhe thekson se kjo situatë cenoi barazinë e garës zgjedhore. Për këtë arsye, ODIHR kërkoi masa konkrete për të parandaluar keqpërdorimin e funksioneve dhe burimeve shtetërore. 

Gjithashtu raporti vëren një sërë rekomandimesh të tjera: 

1. Reformim gjithëpërfshirës i kuadrit ligjor zgjedhor, përmes një procesi konsultimi gjithëpërfshirës, përpara zgjedhjeve të ardhshme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.

2. Depolitizimi i administratës zgjedhore në nivelet e ulëta, përfshirë mënyrën e emërimit të anëtarëve të komisioneve dhe kufizimin e zëvendësimeve arbitrare në moment të fundit.

3. Rritja e profesionalizmit të grupeve të numërimit, përmes trajnimeve të posaçme, programeve të standardizuara dhe udhëzuesve të qartë për procedurat e numërimit.

4. Informimi më i mirë i votuesve për votimin elektronik, në mënyrë që të gjithë të jenë në gjendje të votojnë në mënyrë të pavarur.

5. Ndalimi i përdorimit të burimeve administrative për qëllime zgjedhore, që nga shpallja e zgjedhjeve deri në ditën e votimit.

6. Parandalimi i abuzimit me detyrën dhe burimet shtetërore, duke vendosur sanksione proporcionale dhe parandaluese, të cilat zbatohen pa vonesë.

7. Përcaktimi i qartë i aktiviteteve parazgjedhore që konsiderohen shpenzime fushate, në mënyrë që ato të raportohen, të mbikëqyren dhe të mund të ndëshkohen kur shkelen rregullat.

8. Etiketimi i materialeve filmike të përgatitura nga partitë ose institucionet shtetërore si reklama politike dhe ndalimi i transmetimit të tyre në edicionet informative dhe programet editoriale. Shkeljet duhet të trajtohen në kohë.

Artikulli paraprakEnde asnjë provë për kimikatet në vijat e bardha pas avionëve
Megi Iskurti
Megi Iskurti ka përfunduar studimet bachelor në Shkenca Komunikimi/Gazetari dhe masterin shkencor në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Është vlerësuar me certifikatë ekselence si studentja me rezultatet më të larta akademike në Departamentin e Gazetarisë në Kolegjin Universitar “Bedër”. Ka pesë vite përvojë në median online Gazeta Si, ku ka mbuluar kryesisht çështje të ekonomisë dhe gjeopolitikës. Në Faktoje.al merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Është gjithashtu fituese e disa çmimeve të para në konkurse të eseistikës, të folurit publik dhe në konferenca studentore.