Reagim i organizatave të shoqërisë civile për paketën e akteve normative për tubimet

Organizatat e shoqërisë civile i bëjnë thirrje qeverisë të mbrojë të drejtën kushtetuese për tubim paqësor

15

Organizatat e shoqërisë civile nënshkruese të kësaj deklarate shprehin shqetësimin e tyre serioz për paketën e akteve normative me fuqinë e ligjit, dhe aktin nënligjor, të miratuara nga Këshilli i Ministrave me datë 28 Tetor 2026, të cilat prekin drejtpërdrejt ushtrimin e të drejtës së tubimit paqësor, lirinë e shprehjes, lirinë e lëvizjes, mbrojtjen e të dhënave personale dhe parimin e përgjegjësisë individuale.

Paketa përfshin:

  1. Aktin normativ me fuqinë e ligjit për ndryshime në ligjin nr. 8773/2001, “Për tubimet”;
  2. Vendimin e Këshillit të Ministrave për krijimin e një regjistri të posaçëm elektronik të personave të referuar ose nën hetim për vepra penale të kryera me dhunë gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve publike;
  3. Aktin normativ me fuqinë e ligjit për shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve.

Organizatat tona dënojnë çdo akt dhune ndaj qytetarëve, gazetarëve, punonjësve të Policisë së Shtetit, si dhe çdo dëmtim të pronës publike apo private.

Dhuna duhet të parandalohet, të hetohet në mënyrë të pavarur dhe të ndëshkohet sipas ligjit, pavarësisht nga autorët e saj.

Megjithatë, veprimet e dhunshme të individëve të veçantë nuk mund të përdoren për të kufizuar në mënyrë të përgjithshme të drejtën e qytetarëve për tubim paqësor dhe as për të vendosur përgjegjësi kolektive ndaj pjesëmarrësve apo organizatorëve të protestave.

E drejta e tubimit paqësor garantohet nga neni 47 i Kushtetutës, neni 11 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe neni 21 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike.

Sipas nenit 17 të Kushtetutës, kufizimet e të drejtave dhe lirive themelore duhet të vendosen vetëm me ligj, për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve, të jenë proporcionale me gjendjen që i ka diktuar dhe të mos cenojnë thelbin e këtyre të drejtave.

Shqetësimi ynë nuk lidhet vetëm me procedurën e miratimit të paketës, por edhe me pasojat konkrete që dispozitat e saj mund të sjellin për qytetarët dhe për ushtrimin e lirive demokratike.

I. Përdorimi i akteve normative me fuqinë e ligjit

Neni 101 i Kushtetutës e lejon Këshillin e Ministrave të nxjerrë akte normative me fuqinë e ligjit vetëm në rast nevoje dhe urgjence, për marrjen e masave të përkohshme.

Sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, nevoja dhe urgjenca duhet të ekzistojnë njëkohësisht, të jenë objektive, konkrete, të verifikueshme dhe të pavarura nga vullneti i qeverisë.

Ndryshimet e propozuara në ligjin për tubimet krijojnë një regjim juridik me efekte të qëndrueshme, përfshirë kompetenca të reja kufizuese për Policinë e Shtetit dhe rritje të konsiderueshme të sanksioneve administrative.

Për këtë arsye, Këshilli i Ministrave duhet të argumentojë publikisht përse këto ndryshime nuk mund të shqyrtohen nëpërmjet procedurës së zakonshme ligjvënëse, përfshirë mundësinë e shqyrtimit të përshpejtuar në Kuvend.

Për më shumë informacion gjeni reagimin e plotë  në linkun e mëposhtëm:

https://ahc.org.al/reagim-publik-i-organizatave-te-shoqerise-civile-lufta-kunder-dhunes-nuk-duhet-te-kufizoje-te-drejten-e-protestes-paqesore

Organizatat nënshkruese:

1.   Komiteti Shqiptar i Helsinkit

2.   CRCA-ECPAT Shqipëri

3.   Instituti i Studimeve Politike (ISP)

4.   Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)

5.   Rrjeti Erasmus Tirana

6.   Albanian Center for Economic Research (ACER)

7.   All Green Centre

8.   Lëvizja Europianë Shqipëri

9.   Civil Rights Defenders

10.   Res Publica

11.   Partners Albania

12.   Qendra ALTRI

13.   Qëndresa Qytetare

14. Faktoje.al