Impianti i ujërave të përdorura, investimi për Shkodrën ende në fazën e prokurimit

Bashkia konfirmon se financimi prej 35 milionë eurosh është garantuar

8

Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, premtoi më 15 maj të këtij viti se qyteti pritet të përfitojë një nga investimet më të rëndësishme mjedisore, ndërtimin e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Përdorura, që synon të reduktojë ndotjen e Liqenit të Shkodrës, lumit Buna dhe lumit Drin.

Sipas tij, projekti përfshin ndërtimin e impiantit modern të trajtimit, rehabilitimin e stacionit kryesor të pompimit, ndërtimin e linjës kryesore të transmetimit drejt impiantit, si dhe kalimin nëntokësor të tubacionit poshtë lumit Buna përmes teknologjisë së mikro-tunelimit, në përputhje me standardet dhe direktivat e Bashkimit Evropian për trajtimin e ujërave urbane.

Ky investim sipas tij synon eliminimin e ngarkesave organike dhe kimike në liqen dhe ndikimin negativ në ekosistemet ujore të zonës.

“Mbrojtja e Liqenit të Shkodrës dhe biodiversitetit të tij unik nuk është vetëm çështje mjedisi, por edhe një investim strategjik për cilësinë e jetës, zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen turistike të qytetit dhe gjithë rajonit”, shkroi Beci në Facebook. 

Projekti zbatohet nëpërmjet bankës gjermane KfW dhe mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian, Qeveria Gjermane dhe Qeveria Zvicerane. 

Investimet janë planifikuar me vlerë rreth 35 milionë euro dhe sipas projektit, do të realizohen deri në fund të vitit 2028. 

Procedura e prokurimit sapo është shpallur

Në përgjigjen për Faktoje, Bashkia Shkodër bën me dije se procedura e prokurimit për Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Ndotura sapo është shpallur. 

Sipas bashkisë, procedura zhvillohet në dy faza, në përputhje me udhëzimet e bankës gjermane KfË, ndërsa në skenarin më optimist, kontrata me kompaninë fituese pritet të lidhet në mesin e vitit 2027. 

Nisja e punimeve parashikohet pas lidhjes së kontratës.

Pas përfundimit të investimit, operimi dhe mirëmbajtja e impiantit sipas bashkisë do t’i kalojnë Shoqërisë Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Shkodër, ndërsa parashikohet edhe trajnimi i stafit që do të jetë përgjegjës për funksionimin e tij.

Punimet nuk kanë nisur ende

Në këtë fazë të bisedimeve, financimi është garantuar, ndërkohë sipas verifikimit në terren nga Faktoje më 5 tetor, punimet për ndërtimin e impiantit nuk kanë nisur ende. 

Afati i parashikuar nga Bashkia për lidhjen e kontratës në mesin e vitit 2027 tregon se projekti ndodhet ende në fazën e procedurave të prokurimit, ndërsa realizimi fizik i investimit pritet të nisë më vonë.

Përfundim

Punimet për ndërtimin e impiantit nuk kanë nisur ende por duke qenë se Bashkia Shkodër ka parashikuar lidhjen e kontratës me kompaninë fituese në mesin e vitit 2027 dhe investimet janë planifikuar të realizohen deri në fund të vitit 2028, premtimin e kryebashkiakut të Shkodrës për këtë investim do ta vlerësojmë sëri më tani si pjesërisht të mbajtur.

Faktoje.al, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Artikulli paraprakUra e Bahçallëkut shtyhet për në fund të vitit, ARRSH: 81% e punimeve të realizuara
Megi Iskurti
Megi Iskurti ka përfunduar studimet bachelor në Shkenca Komunikimi/Gazetari dhe masterin shkencor në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Është vlerësuar me certifikatë ekselence si studentja me rezultatet më të larta akademike në Departamentin e Gazetarisë në Kolegjin Universitar “Bedër”. Ka pesë vite përvojë në median online Gazeta Si, ku ka mbuluar kryesisht çështje të ekonomisë dhe gjeopolitikës. Në Faktoje.al merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Është gjithashtu fituese e disa çmimeve të para në konkurse të eseistikës, të folurit publik dhe në konferenca studentore.