Punimet vijojnë te Muzeu i Lundrimit në Shkodër

Punimet për ndërtimin e Muzeut të Lundrimit në Shkodër vijojnë ende

16

Premtimi i kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, për përfundimin e Muzeut të Lundrimit në hyrje të qytetit, ende nuk është përmbushur plotësisht. 

Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të majit 2023, Beci, kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë Shkodër, prezantoi ndërtimin e Muzeut të Lundrimit si pjesë të programit të tij për zhvillimin e qytetit. 

Projekti ishte përfshirë në nismën “Poli i hyrjes së qytetit”, që synonte të krijonte hapësira të reja dhe të nxiste turizmin kulturor. 

Në nëntor 2024, rreth një vit e gjysmë pas marrjes së detyrës, Beci njoftoi nisjen e punimeve për muzeun në hyrje të Shkodrës. 

Investimi, me vlerë 2.4 milionë euro, financohet nga Bashkimi Evropian përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Në artikullin e publikuar në shtator 2025, Faktoje raportoi se punimet kishin avancuar, por objekti ishte ende në ndërtim.

Afati i përfundimit sipas përgjigjes së Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si njësi zbatuese e këtij projekti, ishte qershor 2026.

Në një përgjigje zyrtare për Faktoje.al më 5 gusht të vitit 2026 Bashkia Shkodër tha se afati i rishikuar për përfundimin e punimeve ishte fundi i muajit gusht.

Pas përfundimit, objekti do t’i dorëzohej Bashkisë Shkodër, e cila do të ndiqte funksionimin dhe mirëmbajtjen e tij.

Punimet vijojnë në terren

Në verifikimin e fundit në terren, Faktoje konstatoi më 2 tetor se në objekt vijonin punimet, ç’ka tregon se procesi nuk kishte përfunduar ende plotësisht.

Brenda kangjellave të oborrit të Muzeut të Lundrimit i cili tashmë ka marrë formë, ndodheshin mjete të tonazhit të rëndë dhe disa punonjës që po punonin tek struktura metalike në formën e “varkës pluskuese”, e vendosur tek pjesa sipër.

Prania e punonjësve dhe vijimi i ndërhyrjeve në këtë strukturë tregonin se kantieri ishte ende aktiv, pavarësisht se godina kishte marrë formën e saj të dallueshme, gati përfundimtare nga jashtë.

Edhe në përgjigjen zyrtare për Faktoje, Bashkia Shkodër bën të ditur se aktualisht po punohet për përmbylljen e punimeve dhe detajeve teknike finale.

Vetëm pas këtij procesi do të vijojë marrja në dorëzim e objektit dhe dorëzimi pranë bashkisë, si institucioni përfitues që do të kujdeset për administrimin dhe funksionimin e mëtejshëm të muzeut.

Por përfundimi i ndërtesës nuk do të thotë automatikisht se muzeu do të jetë gati për vizitorët.

Sipas bashkisë, kontrata aktuale përfshin vetëm punimet civile dhe furnizimin me një pjesë të pajisjeve të nevojshme.

Ajo nuk përfshin muzealizimin, kurimin e ekspozitave dhe plotësimin e përmbajtjes muzeore, elemente që institucioni i konsideron të domosdoshme për ta bërë muzeun plotësisht funksional, të vizitueshëm dhe të aksesueshëm për publikun.

Për këtë arsye, edhe pas përfundimit të punimeve dhe marrjes në dorëzim të objektit, do të nevojitet një proces tjetër për ta kthyer ndërtesën në një hapësirë muzeore të gatshme për vizitorët.

Çfarë parashikon projekti?

Muzeu i lundrimit në Shkodër, formohet nga dy pjesë të vendosura njëra mbi tjetrën; një formë kodre në pjesën e poshtme dhe “varka pluskuese” në pjesën e sipërme. 

Identiteti pamor i muzeut bazohet në siluetën e ndërtesës që në të njëjtën kohë mund të interpretohet si një varkë tradicionale që po lundron në ujërat rreth Shkodrës. 

Muzeu do të ketë një ekspozitë të përhershme, një kënd për fëmijë, një laborator për rikrijimin e varkave dhe një dhomë edukative. 

Ekspozitat bazohen në paraqitjen e artifakteve, fotografive, modeleve, replikave dhe dokumenteve që mund të komunikojnë me vizitorin pa pasur nevojë për shumë shpjegime. 

Mënyra klasike e komunikimit plotësohet me teknologjinë moderne për të krijuar një lidhje me sistemet e komunikimit të shek. XXI si interneti, mediat sociale dhe realiteti virtual. 

Përfundim

Premtimi i kryebashkiakut Benet Beci për Muzeun e Lundrimit është ende në proces realizimi. 

Edhe pse investimi ka avancuar dhe është gati në përfundim që nga nisja e punimeve në vitin 2024, objekti nuk është marrë ende në dorëzim, pasi  edhe afatet e rishikuara nga Bashkia parashikojnë gushtin e këtij viti.  

Për rrjedhojë, premtimi vlerësohet pjesërisht i mbajtur, deri në momentin e këtij verifikimi.

Faktoje.al, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.