Ndërtimi i rrugës Shirokë–Zogaj–Kufi, një prej premtimeve të kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2023, është përfunduar.
Verifikimi i ri i Faktoje në terren me 2 tetor konfirmoi se rruga është realizuar, duke shënuar një ndryshim nga verifikimet e mëparshme, kur projekti ishte ende në proces dhe punimet kishin tejkaluar afatin e parashikuar.
Në një përgjigje zyrtare për Faktoje, Bashkia Shkodër konfirmon përfundimin e punimeve, por sqaron se objekti nuk është dorëzuar ende zyrtarisht.
Aktualisht, ai ndodhet në fazën e kolaudimit dhe verifikimit përfundimtar, në përputhje me procedurat teknike dhe kontraktuale. Pas përmbylljes së tyre, rruga do t’i dorëzohet Bashkisë Shkodër për administrim.
Përfundimi i punimeve shënon realizimin e premtimit për ndërtimin e këtij aksi, por nuk ndryshon faktin se investimi u zvarrit përtej afatit kontraktual.
Kontrata për ndërtimin e rrugës, me vlerë rreth 4.7 milionë euro, parashikonte përfundimin e punimeve më 2 tetor 2025.
Investimi financohej nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bashkimi Evropian, në kuadër të Programit për Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Turizmit në Shqipëri (AITP). Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) është institucioni zbatues i projektit.
Projekti përfshin një aks me gjatësi rreth 6.5 kilometra.
Kronologjia e premtimit
Rruga Shirokë–Zogaj–Kufi ishte pjesë e programit infrastrukturor të Benet Becit për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.
Projekti synonte përmirësimin e lidhjes rrugore me zonën e Zogajt dhe vazhdimin e aksit drejt kufirit me Malin e Zi, duke krijuar mundësi më të mira për lëvizjen e banorëve dhe zhvillimin e turizmit.
Në programin e tij elektoral, Beci e paraqiste rrugën si pjesë të një lidhjeje më të gjerë rajonale.
Megjithatë, edhe pas zgjedhjeve, projekti nuk nisi menjëherë.
Në fund të vitit 2023, Faktoje verifikoi se në terren nuk kishte nisur puna. Në dhjetor të atij viti, një nga pengesat e raportuara ishte pritja për miratimin e lejeve mjedisore dhe të ndërtimit.
Në shtator 2024, kur Faktoje u rikthye në zonë, situata mbetej e pandryshuar. Rruga ekzistuese Shirokë–Zogaj ishte e ngushtë dhe e dëmtuar, ndërsa banorët shprehnin pakënaqësi për shtyrjen e vazhdueshme të një investimi që e prisnin prej vitesh.
“Ja po fillon sivjet, ja po fillon në dhjetor, ja po fillon në janar, në shtator… Ka dhjetë vjet që e flasin dhe ende nuk është realizuar”, shprehej Valmir Balesi, banor i Zogajt, në verifikimin e Faktoje të publikuar në shtator 2024.
Kontrata për punimet u lidh më 16 tetor 2024, ndërsa puna në terren nisi në nëntor të po atij viti.
Ndërsa në tetor të vitit 2025, vetëm 60% e punimeve ishin kryer.
Verifikimi i ri: rruga është përfunduar
Një vit pas verifikimit të mëparshëm, Faktoje u rikthye në terren për të kontrolluar ecurinë e investimit.
Gjetjet e verifikimit të ri konfirmojnë se premtimi për ndërtimin e rrugës është realizuar. Segmenti i ri ishte i hapur për qarkullimin e të gjithë automjeteve.





Segmenti i përfunduar rrugor niste që nga dalja e pedonales së Shirokës, kalonte përgjatë Zogajt dhe përfundonte në zonën kufitare me Malin e Zi, aty ku për momentin ishte e vendosur vetëm një strukturë betoni dhe ndodhej vetëm një tabelë sinjalizuese që ndalonte kalimin në anën tjetër të rrugës, pa roje kufitare.


Në hyrje të fshatit Zogaj, ndodheshin disa makineri të rënda të cilat sinjalizonin se rruga sapo kishte përfunduar.

Në krahun e djathtë të rrugës, kishte përfunduar edhe trotuari për këmbësorët ndërsa tabelat e sinjalistikës shfaqeshin herëpashere në gjatësinë prej 6 kilometrash.
Të vetmit që po kalonin në momentin kur Faktoje ishte në terren, ishin dy turistë francezë që po shkonin të vizitonin Bujtinën e Qilimave, në fshatin Zogaj.

Përfundim
Përpos rrugës, gjithashtu kishin përfunduar edhe punimet për linjën nëntokësore të tensionit të mesëm dhe punimet për rrjetin e ujrave të zeza, përgjatë gjithë segmentit.
Duke u bazuar në informacionet e mbledhura dhe verifikimin e Faktoje në terren, premtimin e kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, për projektin e rrugës Shirokë-Zogaj-Kufi e vlerësojmë të mbajtur.
Faktoje.al, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), monitoron 10 bashki në vend, duke verifikuar nëse premtimet e kryebashkiakëve po mbahen apo jo.






