Kryeministri Edi Rama paralajmëroi një paketë masash ndaj protestuesve të përfshirë në akte dhune, sikurse ka vepruar Franca dhe Italia të cilat gjithashtu po përballen me valë protestash nga të rinjtë.
Rama tha se paketa do përfshijë disa masa duke nisur nga kufizimi i shërbimeve shtetërore për familjet e të miturve që shkatërrojnë pronën e të tjerëve, deri te ndalimi i aksesit në aeroporte, hotele dhe mjete transporti.
Në një takim me drejtues të sektorit bankar, ai tha se qeveria ka nisur bashkëpunimin me vendet e Bashkimit Europian për t’u kufizuar hyrjen personave të përfshirë në akte dhune.
“Franca doli me paketën e vet, Italia doli me paketën e vet. Ne kemi bashkëpunuar me të dyja palët për paketën tonë, e cila ka edhe disa specifika sepse këtu nuk është çështje e flamës së Antifës, që presidenti Trump e ka shpallur organizatë terroriste.
Nuk është vetëm çështja e pagesave nën dorë të subjekteve të caktuara dhe krimit të organizuar për djem të çoroditur periferish, për të mitur që vijnë dhe ngrenë gurin. Këtu ka edhe ndërhyrje malinje të lidhura me pozicionin e Shqipërisë dhe me një përpjekje djallëzore për të yshtur urrejtje fetare”, tha Rama.
Ai paralajmëroi gjithashtu përdorimin e teknologjisë për identifikimin e protestuesve të maskuar dhe tha se pjesëmarrja në protesta me fytyrë të mbuluar do të konsiderohet shkelje e ligjit, si pjesë e masave të reja që qeveria synon të ndërmarrë ndaj protestuesve të dhunshëm.
“Ne do të nxjerrim paketën e masave, por duke investuar me shpejtësi në teknologji, do të nisim deanonimizimin e profileve që nxisin dhunë. Do t’i zbulojmë ata që janë me kapuç, edhe sikur të rrinë me kapuç, edhe sikur ta mbulojnë të gjithë fytyrën, se do t’i ndjekim këmba-këmbës, përveç syve të teknologjisë.
Largohuni nga ajo dhunë një orë e më parë. Do të vijë fatura në familje, do të paguajë familja. S’do të marrë shërbim nga shteti familja e një të mituri që vjen dhe djeg pronat e një tjetri. Ne do të vendosim në regjistër njerëzit e dhunshëm, do t’u mbyllim shumë aksese nëpër aeroporte, hotele, trena, të gjitha mjetet e transportit. Dhe do të bashkëpunojmë, dhe e kemi nisur punën me vendet e BE-së, për t’u ndaluar aksesin në ato vende si njerëz të dhunshëm. Dhuna s’ka për të pasur vend në këtë vend”, tha ai.
Ndërsa i cilësoi protestat si të nxitura nga grupe anarkiste dhe neo-komuniste, ai bëri dallimin mes këtyre grupeve dhe studentëve që protestojnë për të kërkuar ndryshime, ndërsa kritikoi edhe një pjesë të pedagogëve për qëndrimin ndaj akteve të dhunës.
“Ndërkohë që dialogu, shkëmbimi i ideve, ballafaqimi demokratik i argumenteve, ulja në tryezë për të gjetur rrugë të reja, të cilat mund të na shërbejnë siç na shërbyen në protestën e jashtëzakonshme të 2018-ës që ishte një protestë studentësh paqësore, një protestë pedagogësh dhe studentësh, jo një protestë e disave që përpara se të jenë pedagogë janë flamurtarë të një partie opozitare dhe që vijnë edhe thyejnë karriget e dialogut atje tek Kryeministria me gjithfarë njerëzish që s’kanë lidhje fare me universitetin dhe që nuk distancohen nga dhuna”, tha ai.
Sipas tij, protestat e dhunshme kishin për qëllim të provokonin policinë për të krijuar një situatë të ngjashme me 21 Janarin.
“Donin të provokonin një tjetër 21 Janar, për të provokuar policinë, duke, larg qoftë, krijuar një situatë simetrike me 21 Janarin. Kemi qenë shumë të vetëdijshëm. Kemi neutralizuar edhe një sulm me dron me eksploziv ndaj Kryeministrisë. Ka qenë një vijë e kuqe shumë e qartë për të gjithë”, tha ai.

Rama risjell premtimin për 50% të qirasë së studentëve
Ndërsa tha se qeveria do të vijojë të trajtojë kërkesat e protestuesve paqësorë, Rama riktheu në vëmendje premtimin për mbulimin nga qeveria të 50% të qirasë për studentët që plotësojnë kriteret.
Ai iu referua masave të parashikuara në ligjin e ri për strehimin, por pa dhënë detaje mbi afatet e zbatimit të skemës apo numrin e studentëve që pritet të përfitojnë prej saj.
“Një muaj e kusur më parë, e hodhëm këtë draft duke krijuar një qasje krejt të re me rritjen e çmimeve dhe pamundësinë e studentëve për të paguar, pa iu marrë frymën prindërve.
Qeveria do të futet për të paguar 50% të qirasë për të gjithë ata studentë që i plotësojnë kushtet. Po ashtu, do vijojmë me kredi të buta për çiftet e reja për një apartament me vlerë deri në çmim të caktuar si dhe për kredi me interes 3% për apartamentet me një vlerë të caktuar. Është ligj që sjell mbështetje për disa mijëra apartamente në vend”, deklaroi Rama.
Rama njoftoi gjithashtu se qeveria planifikon të rrisë buxhetin për punësimin e të rinjve.
“Për ne është e rëndësishme të rrisim buxhetin për punësimin e të rinjve. Të gjithë ata të rinj që duan të punojnë dhe të zhvillohen janë në fokus dhe objekt i këtyre detyrave”, tha Rama.
Ai përmendi edhe bashkëpunimin me bankat për financimin e sipërmarrjeve, përfshirë programin “Dyfisho sipërmarrjen tënde”.

Sejko: Depozitat e qytetarëve janë të sigurta
Ndërkohë, në të njëjtin takim, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, garantoi se depozitat e qytetarëve janë të sigurta dhe se shërbimet bankare do të vijojnë normalisht.
Sipas guvernatorit, Banka e Shqipërisë ka mbajtur në funksion të gjitha sistemet e saj operacionale, duke i kushtuar vëmendje të veçantë sistemit të pagesave dhe qarkullimit të parasë fizike, për të garantuar vijimësinë e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.
“Pavarësisht tensionit dhe presionit në sistemin bankar dhe financiar, depozitat e qytetarëve janë të sigurta. Bankat janë të mirëkapitalizuara dhe kanë një likuiditet shumë të mirë”, u shpreh Sejko.
Sejko tha se funksionimi i pandërprerë i sistemit bankar është thelbësor për ekonominë, pasi përmes tij realizohen pagesat, mbështetet aktiviteti i bizneseve dhe sigurohet qarkullimi i parasë.
Guvernatori paralajmëroi se çdo cenim i këtij sistemi do të sillte pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset, duke vështirësuar edhe aktivitetet e përditshme ekonomike.
“Sistemi bankar është në funksion të qytetarëve dhe bizneseve. Cenimi i sistemit bankar dhe i sistemit financiar i dëmton drejtpërdrejt bizneset dhe qytetarët, si dhe krijon problematika që kanë të bëjnë me jetën e gjithkujt. Prandaj, ne duam që ky sistem dhe kjo industri të vijojnë pa ndërprerje operativitetin, sepse, në të kundërt, pasojat do të ishin negative”, përfundoi Sejko.
Ndërsa kreu i Shoqatës së Bankave, Bledar Shella deklaroi se 45 degë bankash u dëmtuan gjatë protestave.
Por sipas tij, rreth 85% e degëve të bankave janë rikthyer në punë me orar të plotë ndërsa shtoi se për momentin janë 53 ATM të dëmtuara.






