Durrës/Pallati i Sportit, fondet miratohen por punimet ende s’kanë nisur

Tre vjet pas premtimit për rikonstruksion, Bashkia Durrës thotë se investimi është buxhetur për vitet 2026-2027.

14
Pallati i sportit Ramazan Njala

Nga Jona Cenameri

Më shumë se tre vjet pas premtimit të kryebashkiakes Emiriana Sako për rikonstruksionin e Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”, punimet ende nuk kanë nisur.

Këtë vit ka megjithatë një zhvillim të ri: Bashkia Durrës thotë se investimi është parashikuar në buxhetin e vitit 2026 dhe do të financohet përgjatë dy viteve, 2026-2027. Hapi i radhës, sipas institucionit, është procedura e prokurimit publik.

Premtimi

Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore, Emiriana Sako premtoi rikonstruksionin e Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”. Në programin elektoral u publikuan edhe pamje të projektit, i cili synonte rehabilitimin e godinës dhe përmirësimin e kushteve për sportistët dhe aktivitetet sportive.

Verifikimet e mëparshme

Në vitin 2024, Bashkia Durrës konfirmoi për Faktoje se dispononte një projekt me vlerë rreth 815 milionë lekë me TVSH dhe pajisje, por punimet nuk kishin filluar.

Edhe në tetor 2025, verifikimi në terren tregoi se situata mbetej pothuajse e pandryshuar. Bashkia konfirmonte sërish se punimet nuk kishin nisur, ndërsa në godinë ishin kryer vetëm rregullime të vogla.

Çfarë thotë Bashkia në 2026

Në përgjigjen e fundit për Faktoje, Bashkia Durrës bën të ditur se rikonstruksioni është përfshirë në buxhetin e këtij viti.

“Ky objekt është i parashikuar në buxhetin e vitit 2026, të miratuar me VKB nr. 73, datë 23.12.2025 dhe është planifikuar që të financohet në 2 vite, 2026-2027”, sqaron Bashkia.

Sipas institucionit, investimi do të realizohet me faza, ndërsa pas miratimit të fondeve parashikohet zhvillimi i procedurës së prokurimit publik.

Bashkia nuk dha një datë konkrete për nisjen e punimeve.

PBA 2026-2028

Në Fazën II të Programit Buxhetor Afatmesëm 2026-2028 të Bashkisë Durrës, rikonstruksioni i Pallatit të Sportit “Ramazan Njala” rezulton me një kosto totale prej 815.3 milionë lekësh.

Për vitin 2026 janë planifikuar 151.4 milionë lekë, ndërsa pjesa më e madhe e financimit, rreth 663.9 milionë lekë, është parashikuar për vitin 2027.

Periudha e projektit përcaktohet nga 1 janari 2026 deri më 31 dhjetor 2027.

Sipas Open Procurement në vitin 2022 Bashkia Durrës ka zhvilluar procedurën “Studim projektimi për rikonstruksionin e pallatit të sportit ‘Ramazan Njala’”, me fond limit 5.711.000 lekë pa TVSH. Si fitues është shpallur bashkimi i operatorëve ATELIER 4 shpk – INFRATECH shpk, me ofertë 5.500.000 lekë pa TVSH; kjo procedurë lidhet me projektimin, jo me nisjen e punimeve të rikonstruksionit.

Verifikimi në terren, shtator 2026

Më 17 shtator, Faktoje u rikthye në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala”.

Punimet e rikonstruksionit nuk kishin nisur dhe godina, nga jashtë, paraqitej pothuajse në të njëjtën gjendje si një vit më parë.

Në të dyja anët e jashtme të pallatit vazhdonin të shiheshin dyshekë dhe batanije, të ngjashme me ato të konstatuara gjatë verifikimit të vitit 2025.

Një punonjës pastrimi në Pallatin e Sportit tha për Faktoje se kishte dëgjuar se punimet mund të nisnin në dhjetor. Ky afat, megjithatë, nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Bashkia.

Deri në verifikimin e Faktoje më 17 shtator 2026, punimet nuk kanë nisur.

Përfundimi

Edhe pse ende nuk ka nisur puna për rikonstruksionin e Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”, investimi është përfshirë në planifikimin buxhetor të Bashkisë Durrës, me financim të ndarë mes viteve 2026 dhe 2027. Për këtë arsye, premtimin e Emiriana Sakos do ta konsiderojmë pjesërisht të mbajtur.

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.