I pasaktë punimi në ShBA që pretendoi dëmtimet nga vaksinat te fëmijët

11

Pretendimi: Një studim masiv dhe i fshehur nga Qendra Mjekësore “Henry Ford” zbuloi se vaksinat po dëmtojnë një gjeneratë të tërë fëmijësh

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————

Në hapësirat konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi (arkivuar këtu) se një studim nga Qendra Mjekësore “Henry Ford” zbuloi se vaksinat po vrasin një gjeneratë të tërë fëmijësh, por kjo u fsheh më pas.

Megjithatë, si zakonisht, për të mbështetur këto pretendime të jashtëzakonshme nuk ofrohet ndonjë provë, burim apo referencë.

Postimi i mësipërm duket se i referohet një draft-punimi me titull “Ndikimi i vaksinimit në fëmijëri te rezultatet shëndetësore kronike afatshkurtra dhe afatgjata te fëmijët: Një studim i kohortës së lindjeve,” prodhuar nga një ekip i udhëhequr nga Dr. Marcus Zervos, eksperti i sëmundjeve infektive në “Henry Ford Health”. Punimi, i përfunduar në vitin 2020, shqyrtoi të dhënat për më shumë se 18 mijë fëmijë të lindur në spitalin “Henry Ford” midis viteve 2000 dhe 2016 dhe i ndau ata në dy grupe: një grup që kishte marrë një ose më shumë vaksina dhe një grup tjetër (shumë më të vogël) që nuk kishte marrë asnjë vaksinë.

“Henry Ford Health”, sistemi spitalor dhe i kujdesit shëndetësor me bazë në Michigan në ShBA, tha në një deklaratë në shtator 2025 se “drafti nuk u mor kurrë në konsideratë për t’iu dërguar revistave shkencore, pasi nuk i përmbushte as përafërsisht standardet rigoroze shkencore që kërkon sistemi – standarde që i zbatojnë edhe vetë revistat. Pretendimet se “Henry Ford Health” i mbajti të fshehura ose i pengoi rezultatet të bëheshin publike për arsye politike janë krejtësisht të pavërteta, shpifëse dhe shqetësuese; është e rëndësishme që publiku ta dijë të vërtetën, pasi kjo mund t’i shtyjë familjet të marrin vendime shëndetësore bazuar në supozime të pabazuara dhe të pasakta.”

Një tjetër deklaratë e “Henry Ford Health” në tetor 2025 shpjegoi se “ky draft nuk vërtetoi asgjë […] Drafti nuk u dorëzua për botim dhe as nuk iu prezantua publikut, sepse të dhënat dhe analizat kishin të meta; është e papërgjegjshme të ndahen me publikun studime që kanë mangësi shkencore. […] Institucionet prestigjioze të kërkimit mjekësor akademik, si “Henry Ford Health”, ia nënshtrojnë punimet kërkimore një shqyrtimi rigoroz, të brendshëm dhe shkencor, i cili shpesh nxjerr në pah probleme me të dhënat, metodologjinë apo mangësi të tjera. Është e rrallë që një punim të arrijë në fazën e dorëzimit në revista shkencore dhe edhe më e rrallë që punimet të botohen. Kjo nuk u mbajt e fshehtë; thjesht u refuzua për shkak të mangësive shkencore.”

Draft-punimi në fjalë u përfshi në procesverbalin e një komisioni të Senatit të ShBA që po merrte dëshmi mbi rreziqet e vaksinave.

Dr. Jake Scott, profesor në Universitetin Stanford dhe anëtar i Departamentit të Sëmundjeve Infektive, dëshmoi lidhur me problemet e studimit gjatë seancës dëgjimore të 9 shtatorit 2025 të Komisionit të Përhershëm të Senatit të ShBA për Hetimet.

“Analiza e “Henry Ford”, e cila është vënë në pah nga disa palë, shërben si shembull se përse studimet që krahasojnë personat e vaksinuar me ata të pavaksinuar janë veçanërisht të prirura ndaj anshmërisë. Këto modele studimi shpesh krahasojnë grupe që ndryshojnë në shumë aspekte thelbësore të palidhura me vaksinat, përfshirë shpeshtësinë me të cilën ato kërkojnë kujdes mjekësor dhe kohëzgjatjen e periudhës së tyre të vëzhgimit,” tha ai.

Scott shkroi në faqen e tij personale në Substack se e kishte shqyrtuar vetë studimin dhe shpjegoi mangësitë e metodologjisë së tij.

Dy grupet që studiuesit krahasuan (fëmijët e vaksinuar dhe ata të pavaksinuar) ishin shumë të ndryshëm “që në fillim”, tha Scott. Jo vetëm që grupi i të vaksinuarve ishte shumë më i madh, por fëmijët në atë grup ishin shumë më të larmishëm për sa i përket përkatësisë racore dhe aspekteve të tjera krahasuar me grupin e të pavaksinuarve. Gjithashtu, ai përfshinte shumë më tepër fëmijë që kishin lindur para kohe ose kishin shfaqur vështirësi në frymëmarrje gjatë lindjes, gjë që i bënte ata më të cenueshëm ndaj zhvillimit të sëmundjeve të caktuara kronike në një fazë të mëvonshme.

Studimi i ndoqi fëmijët e vaksinuar për një periudhë shumë më të gjatë sesa ata të pavaksinuar, mesatarisht rreth dyfishin e kohës. Scott tha se kjo është një mangësi kritike, veçanërisht kur bëhet fjalë për diagnoza të caktuara. “Shumica e këtyre gjendjeve, përfshirë ADHD dhe vështirësitë në të mësuar, diagnostikohen pas moshës katërvjeçare,” tha ai. “Pra, nuk mund të zbulosh diçka që ende nuk po e kërkon.”

Fëmijët e vaksinuar vizitoheshin te mjeku shumë më shpesh sesa fëmijët e pavaksinuar, madje edhe para shfaqjes së ndonjë sëmundjeje kronike. “Kur i kombinoni këto probleme, nuk po matni efektet e vaksinës,” tha Scott. “Po matni se kush kishte më shumë mundësi për t’u diagnostikuar.”

Dr. Jeffrey Morris, profesor i shëndetit publik dhe biostatisticien në Universitetin e Pensilvanisë, shkroi në një artikull se “të dhënat e ‘Henry Ford’-it mund të ishin të dobishme nëse studimi do t’i kishte ndjekur të dyja grupet e fëmijëve deri në të njëjtën moshë dhe do t’i kishte marrë parasysh dallimet në përdorimin e shërbimeve shëndetësore dhe rreziqet bazë.”

“Por, ashtu si është shkruar,” vazhdoi Morris, “krahasimet kryesore të studimit janë të anshme. Periudha e ndjekjes ishte e shkurtër dhe e pabarabartë, fëmijët kishin mundësi të pabarabarta për diagnozë, dhe dy grupet ndryshonin ndjeshëm në aspekte thelbësore. Metodat e përdorura nuk i korrigjuan siç duhet këto probleme. Për këtë arsye, dallimet e raportuara në studim nuk tregojnë se vaksinat shkaktojnë sëmundje kronike.”

Dr. Adnan Munkarah, shefi i operacioneve klinike në “Henry Ford”, nuk ishte i përfshirë në studimin mbi vaksinën. Madje, ai tha se nuk kishte dëgjuar kurrë për të derisa çështja doli në pah gjatë seancës dëgjimore në Senat. Megjithatë, pasi e shqyrtoi atë, Munkarah tha se arsyeja pse studimi nuk u publikua kurrë është e thjeshtë: thjesht nuk ishte një kërkim i hartuar apo i realizuar mirë.

“Të dhënat e përdorura nuk janë të plota,” tha Munkarah. “Ka një mospërputhje të konsiderueshme midis grupeve në atë studim. Analiza e kryer nuk ishte ajo e duhura. Dhe rrjedhimisht, përfundimet e nxjerra nga studimi janë të gabuara, sepse as të dhënat dhe as metodologjia e studimit nuk i mbështetin ato përfundime.”

Munkarah shpjegoi se, siç ndodh rëndom në procesin kërkimor të sistemit shëndetësor, shkencëtarët drejtues e shqyrtuan studimin dhe vendosën thjesht se nuk ia vlente të vazhdohej më tej me të. “Ata thanë se kishte të meta thelbësore në atë studim. Dhe për këtë arsye, ai nuk do të vijonte më tej,” tha ai.

Munkarah theksoi se, në vend të një teorie të madhe konspirative, ky është në fakt një shembull i funksionimit të duhur të procesit të kërkimit mjekësor. “Kemi qindra punime të tilla, ndoshta edhe mijëra, që aktualisht qëndrojnë të mbyllura në sirtarë,” tha ai. “Dhe ne nuk i publikojmë apo shpërndajmë këto materiale, sepse nuk mendojmë se ato përfaqësojnë diçka që ia vlen të bëhet publike.”