Pretendimi: Këto video tregojnë tërheqjen e detit në Argjentinë me 23 kilometra brenda vetëm 60 minutave
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
———————————————————————–
Një video (arkivuar këtu) që ka marrë mbi një mijë pëlqime në Instagram pretendohet se tregon ujin e detit në bregdetin e Argjentinës, i cili është tërhequr papritur me 23 kilometra brenda vetëm 60 minutave, duke lënë anijet të bllokuara në breg.

Në të vërtetë, mediat vendase në Argjentinë raportuan këtë gusht se një rënie e ndjeshme e nivelit të detit në zonën e Farit Punta Mogotes në Mar del Plata kishte nxjerrë në sipërfaqe një platformë shkëmbore natyrore. Kjo strukturë, e cila dukej si një ishull i vogël ndërsa uji tërhiqet, është në fakt një formacion gjeologjik i përhershëm, dukshmëria e të cilit varet tërësisht nga cikli i baticës dhe zbaticës.
Ekspertët shpjegojnë se niveli i ulët i ujit lidhej me një kombinim faktorësh. Baticat dhe zbaticat astronomike, të shkaktuara nga ndikimi i Hënës dhe i Diellit, u shtuan nga kushtet e favorshme të motit. Kur era fryn nga toka drejt detit, veçanërisht nga perëndimi ose veriperëndimi, ajo mund ta shtyjë ujin e sipërfaqes drejt detit. Nëse kjo përkon me një zbaticë natyrore, rënia e nivelit të ujit bëhet shumë më e dukshme, duke nxjerrë në pah zona që zakonisht janë të mbuluara nga uji.
Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon këtë fenomen në Mar de Plata. Ajo në fakt është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).
Një tregues i përmbajtjeve të gjeneruara janë gabimet logjike. Në këtë rast, shikuesi skeptik do të vërejë se, megjithëse Argjentina ka hyrë në muajin e parë të pranverës, personat në video duket se janë veshur për temperatura të larta.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është postuar fillimisht në TikTok më 9 shtator dhe është etiketuar si e gjeneruar me AI.

Llogaria që ka postuar këtë video duket se poston ekskluzivisht përmbajtje të gjeneruara me AI.

Ndërkaq, një tjetër video po qarkullon në rrjetet sociale pretendohet se tregon tërheqjen ekstreme të detit në Argjentinë.

As kjo video nuk tregon vërtet këtë fenomen.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video ishte botuar për herë të parë në rrjet më 8 korrik 2026, përpara zbaticave ekstreme në Mar de la Plata.

Suraj Paswan, përdoruesi që e ka ngarkuar atë, dhe video të ngjashme, në Facebook e tij, vetëpërshkruhet si një krijues nga Pharenda, Indi.
I kontaktuar nga AFP Fact Check, Paswani tha se e “regjistroi këtë video më 8 korrik 2026, në kantierin e çmontimit të anijeve në Alang”, në distriktin Bhavnagar të shtetit Gujarat, “ndërsa po ecte përgjatë bregdetit me një mik që punon aty.”
Alang ndodhet në Gjirin e Khambhatit, i cili është një gji i Detit Arabik në bregdetin perëndimor të Indisë.






