I rremë ky arrestim i zyrtarit antikorrupsion ukrainas

5

Pretendimi: Mbi 140 milionë dollarë janë sekuestruar gjatë një operacioni të kryer më 23 shtator 2026 nga Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU) në zyrat e Arsen Zhumadilov, ish-kreu i Agjencisë së Antikorrupsionit në Ukrainë

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————–

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi (arkivuar këtu) se, më 23 shtator 2026, Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU) sekuestroi më shumë se 140 milionë dollarë në zyrat e Arsen Zhumadilov, ish-kreut të Agjencisë së Antikorrupsionit në Ukrainë.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë.

Duke kërkuar me fjalë kyçe, Faktoje gjeti se pretendimi ishte shfaqur fillimisht në një artikull të 23 shtatorit të botuar në faqen nvukraine.com, e cila ka pamjen e faqes së medias ukrainase New Voice of Ukraine.

Megjithatë, adresa zyrtare e faqes së New Voice of Ukraine është “english.nv.ua.” Faqja nvukraine.com është regjistruar më 21 shtator 2026, vetëm dy ditë para se botimit të artikullit që pretendon se NABU ka gjetur 140 milionë dollarë në zyrat e Zhumadilov.

New Voice of Ukraine e vërtetë botoi një shkrim më 25 shtator në lidhje me artikullin e rremë të publikuar nga imituesi i saj.

“Rusët krijuan dhe përhapën një lajm të rremë, të gjeneruar nga inteligjenca artificiale, ku pretendohej se Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU) kishte kryer kontrolle ndaj ish-kreut të Agjencisë së Prokurimeve të Mbrojtjes së Ukrainës, Arsen Zhumadilov, dhe kishte gjetur 140 milionë dollarë para të gatshme. NABU nuk kishte kryer kontrolle të tilla. Rusia e promovoi këtë lajm të rremë në përpjekje për ta paraqitur Ukrainën si të korruptuar para Perëndimit, pikërisht në kohën kur i dërguari i posaçëm i Vladimir Putinit, Kirill Dmitriev, po zhvillonte bisedime me një delegacion amerikan në Nju-Jork,” nis shkrimi i New Voice of Ukraine.

Artikulli i The New Voice of Ukraine të vërtetë

Një kërkim në faqen zyrtare të NABU për Zhumadilov tregon se Byroja nuk ka lëshuar ndonjë njoftim në lidhje me të, aq më pak se ka konfiskuar 140 milionë dollarë nga zyrat e tij.

Vetë Byroja ka deklaruar në kanalin e tyre zyrtar në Telegram se “video është e falsifikuar dhe e krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale”, duke mohuar se kishte kryer ndonjë kontroll apo se kishte gjetur ndonjë shumë parash. “Materiale të tilla janë dëshmi e qartë se si mjetet më të fundit të inteligjencës artificiale po përdoren gjithnjë e më shumë nga armiku për luftë informative. Qëllimi i tyre kryesor është të diskreditojnë organet e pavarura kundër korrupsionit, të minojnë besimin te institucionet shtetërore dhe të dëmtojnë imazhin e Ukrainës,” theksoi NABU.