Pretendimi: Në maternitetin e Lvivit në Ukrainë, gratë në lindje udhëzohen të mos përdorin rusishten dhe të “bërtasin në gjuhën shtetërore”
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————————-
Në fund të shtatorit, në Facebook qarkulloi një postim në shqip që pretendon se në maternitetet e Lvivit në Ukrainë grave “u ndalohet të bërtasin nga dhimbja në rusisht” gjatë lindjes. Sipas postimit, gratë ukrainase duhet “të filtrojnë rënkimet” gjatë kontraksioneve, pasi vendi u kërkon të lindin “në mënyrë strikte në gjuhën shtetërore”.
Si provë, publikimi përdor fotografinë e një faqeje që duket si pjesë e një udhëzuesi për gratë shtatzëna.

Verifikimi më i hollësishëm i pamjes nga ky udhëzues, konfirmon se teksti është në gjuhën ukrainase.
Në krye të saj jepen këshilla për frymëmarrjen gjatë lindjes për nënat e reja. Ndërkohë, pika 8 e tekstit përmban pjesën që ka nxitur ndërkombëtarëzimin e këtij manuali. Në të shkruhet:
“Zëri i nënës është gjëja e parë që dëgjon fëmija. Mos lejo që ky zë të thotë fjalë në rusisht. Edhe nëse është e frikshme dhe e dhimbshme. Dhe sidomos, gjatë lindjes, bërtit në gjuhën shtetërore.”
Qendra Perinatale e Lvivit ka në faqen e saj zyrtare një listë të gjërave që gratë duhet të marrin me vete kur drejtohen në spital për lindje. Ajo kërkon, mes të tjerash, dy këmisha nate, mantel ose veshje të tjera të rehatshme shtëpie, çorape, pantofla, të brendshme dhe produkte higjienike.

Në fotografinë virale “të broshurës”, gruaja paraqitet duke lindur e veshur me një vyshyvanka, këmishë tradicionale ukrainase e qëndisur, që është promovuar gjerësisht si një veshje tradicionale e ukrainasve.
Ky element nuk përputhet me listën zyrtare të qendrës për veshjet e nevojshme në sallën e lindjes. Fotografia përdor një ilustrim që e mbart mesazhin politik në mënyrë të dukshme: gruaja paraqitet me veshje kombëtare ndërsa teksti e lidh dhimbjen e lindjes me detyrimin për të mos shqiptuar “fjalë ruse”.
Qendra ka edhe platformën e saj arsimore, “Bota Perinatale”, e cila publikon informacion për shtatzëninë, lindjen, kujdesin për të porsalindurin dhe periudhën pas lindjes.
Në materialet publike të qendrës nuk gjendet ndonjë udhëzim që përcakton gjuhën që pacientet duhet të përdorin gjatë lindjes.
Ligji ukrainas “Për garantimin e funksionimit të gjuhës ukrainase si gjuhë shtetërore” përcakton se gjuha ukrainase përdoret në sistemin shëndetësor, dokumentacionin dhe komunikimin institucional.
Neni 33 i ligjit në pikat 1 dhe 2 thotë gjithashtu se, me kërkesën e personit që kërkon ndihmë ose shërbim mjekësor, shërbimi individual mund të ofrohet edhe në një gjuhë tjetër të pranueshme për të dyja palët.

Faktoje e kontrolloi imazhin në postim edhe me programin e verifikimit të fotove AI or Not. Rezultati e klasifikoi fotografinë si “Likely AI”, me 90% gjasë që të jetë krijuar me inteligjencë artificiale.

Pretendimi i pavërtetë se në maternitetet e Lvivit grave u ndalohet të bërtasin në rusisht gjatë lindjes ka shumë gjasa të jetë pjesë e një narrative të njohur propagandistike të promovuar nga Rusia.
Kjo narrativë synon të paraqesë Ukrainën si një shtet që “shtyp” popullsinë rusishtfolëse, duke krijuar idenë se agresioni ushtarak rus është një formë “mbrojtjeje” ndaj qytetarëve rusë që jetojnë në territoret ukrainase.






