“Rugët për Fëmijët”, pa akses të sigurt dhe projekte ende në pritje

Një pjesë e objekteve arsimore të sistemit 9-vjeçar në Tiranë, vijojnë të mos kenë akses të sigurt në hyrje të tyre 3 vjet pas premtimit për ndërhyrje dhe zbatimin e projektit

11
Shkolla 9-vjeçare "Gjon Buzuku" në Tiranë

Nga: Erjon Abule dhe Fetah Salliu – Rreth 3 vjet pas premtimit të kryebashkiakut Veliaj për projektin “Rrugët të sigurta” pranë shkollave në kryeqytet, hapësirat e dedikuara për fëmijët dhe këmbësorët nuk kanë përfunduar të gjitha.

Projekti synonte të kthente hapësira që ishin pjesë e rrugës në zona të sigurta këmbësorësh, të pajisura me trafikndarës betoni, sinjalistikë dhe elemente urbane që kufizojnë parkimin dhe qarkullimin e mjeteve.

Modeli u zhvillua në bashkëpunim me organizatën vendase Qendra Marrëdhënie dhe partnerë ndërkombëtarë, duke u bazuar në praktikat e qyteteve evropiane (Barcelona:”Protegim les Escoles”, Milano:”Strade Scolastiche”, Paris:”Rues aux Écoles”).

Premtimi

Në dhjetor të vitit 2023, Veliaj njoftoi se deri në fund të vitit 2024 do të ndërtoheshin 20 rrugë të sigurta pranë shkollave të Tiranës.

Sipas premtimit, nisma do të prekte drejtpërdrejt 25,000 nxënës. Buxheti i alokuar sipas Bashkisë Tiranë, për periudhën 2024-2025 arriti në 102,951,351 lekë.

Për vitin 2026 janë planifikuar 55,562,742 lekë shtesë, plus një investim i ri prej 55,099,200 lekësh për “Elemente për rritjen e sigurisë së këmbësorëve në rrugë”.

Verifikimi

Në 21 shtator 2026, Faktoje.al verifikoi situatën në terren, ku një pjesë e rrugëve në këto shkolla nuk kishin akses të sigurt dhe ndërhyrja ishte jo e plotë.

Ndërkohë, shkolla “Kosova” kishte bërë ndërhyrje për rrugë me akses të sigurt, po ashtu edhe “Shkolla e Kuqe”, shkolla “Fan Noli”, shkolla “Edith Durham”, shkolla “Naim Frashëri”, shkolla “Gustav Mayer” dhe kopshti nr 26.

Por ndryshe paraqitet situata në 4 shkolla të arsimit 9-vjeçar në kryeqytet.

Në shkollën “Osman Myderizi”, sipas verifikimit në terren dhe asaj që deklaruan banorët, nuk ishte bërë ndërhyrje për të shtuar hapësira të reja për një akses më të sigurt.

Edhe në shkollën “Mihal Grameno”, sipas asaj që pa nga afër Faktoje.al, nuk ishte bërë ndërhyrje, me përjashtim të mbylljes së disa gropave te rruga pranë asfaltit.

E njëjta gjë shihej edhe në shkollën “Gjon Buzuku” dhe “Niket Dardani” në hyrje të tyre.

Madje në këtë të fundit, ishin vendosur vetëm disa hekura që ndanin karrexhatën nga korsia e biçikletave.

Sa i takon çerdhes nr. 17, hyrja ndodhet 5 metra larg rrugës ku kalojnë makinat, edhe pse ka mjete të parkuara pranë derës.

Ndërhyrje (për më shumë hapësirë) duket se ka pasur, edhe pse mund të konsiderohet e sigurt.

Shkolla “Osman Myderizi”

Çfarë thotë Bashkia

përgjigjen zyrtare për Faktoje.al, Bashkie e Tiranës flet për ndërhyrje të përkohshme dhe 20 projekte ende në pritje të zbatimit.

Sipas saj, ndërhyrjet prekin 12 objekte arsimore, ku përfshihen shkolla, kopshte dhe çerdhe.

Nga 12 objektet e raportuara, pesë kanë përfituar ndërhyrje të përkohshme ose gjysmë-permanente.

Në këtë kategori përfshihen Shkolla “Gjon Buzuku”, Shkolla “Osman Myderizi” dhe Shkolla “Fan S. Noli”, të cilat janë trajtuar me zgjidhje provizore.

Shkolla “Mihal Grameno”

Në listë përfshihen gjithashtu “Shkolla e Kuqe”, ku është realizuar një ndërhyrje provizore në vitin 2025, si dhe Shkolla “Mihal Grameno”, ku sipas Bashkisë është kryer një ndërhyrje semi-permanente me asfalt në vitin 2023.

Në shtatë objekte të tjera është raportuar ndërhyrje me infrastrukturë të përhershme.

Bëhet fjalë për shkollën “Edith Durham”, shkollën “Gustav Mayer”, shkollën “Naim Frashëri”, shkollën “Niket Dardani”, shkollën “Kosova”, Kopshtin Nr. 26 dhe Çerdhen Nr. 17.

Shkolla “Niket Dardani”

20 objekte të tjera në fazën e zbatimit

Për fazën e ardhshme, Bashkia Tiranë deklaron se, në bashkëpunim me studion e projektimit “aa.arkitekture”, ka hartuar projekte për rregullimin e trotuareve dhe hapësirave hyrëse në 20 objekte arsimore.

Mes tyre janë edhe tre shkolla ku më parë janë raportuar ndërhyrje provizore: “Gjon Buzuku”, “Osman Myderizi” dhe “Fan S. Noli”.

Sipas planit të paraqitur, këto objekte parashikohet të pajisen me ndërhyrje të përhershme.

Lista e 20 objekteve është kjo:

Shkolla 9-vjeçare “1 Qershori”

Shkolla 9-vjeçare “4 Dëshmorët”

Kopshti Nr. 38

Shkolla 9-vjeçare “26 Nëntori”

Gjimnazi “Arben Broci”

Shkolla e Baletit

Shkolla “Dëshmorët e Lirisë”

Shkolla 9-vjeçare “Dhora Leka”

Shkolla 9-vjeçare “Fan S. Noli”

Shkolla 9-vjeçare “Gjergj Fishta”

Shkolla “Gjon Buzuku”

Shkolla 9-vjeçare “Gjon Buzuku”

Shkolla 9-vjeçare “Jeronim de Rada”

Kopshti Nr. 8

Shkolla 9-vjeçare “Lasgush Poradeci”

Gjimnazi “Partizani”

Shkolla “Qazim Turdiu”

Shkolla 9-vjeçare “Siri Kodra”

Shkolla 9-vjeçare “Skënder Çaçi”

Shkolla 9-vjeçare “Osman Myderizi”

Shkolla 9-vjeçare “At Zef Pllumi”

Çerdhja nr 17

Përfundimi

Sipas Bashkisë, të 20 projektet teknike kanë kaluar fazat përkatëse të kontrollit dhe miratimit dhe janë gati për fazën e zbatimit.

Por dokumenti i cituar nuk përcakton një datë konkrete për fillimin e punimeve në terren dhe as një afat për përfundimin e tyre.

Në përgjigje nuk specifikohet as kostoja e projekteve dhe as burimi konkret i financimit.

Kështu, 3 vjet pas premtimit të kryebashkiakut Veliaj dhe verifikimit të Faktoje.al në terren në 21 shtator 2026, tregon se në 5 shkolla nuk ka rrugë të reja të shtuara për akses të sigurt.

Në këto kushte, premtimi për 20 rrugë të sigurta nuk është përmbushur brenda afatit të deklaruar dhe konsiderohet pjesërisht i mbajtur.