Bonusi 5 mijë lekë për bebet në Kavajë, jashtë buxhetit edhe në 2026

Bonusi mujor prej 5 mijë lekësh për bebet e reja në Kavajë vijon të mbetet i pambajtur

19
Foto ilustruese

Jona Cenameri

Tre vjet pasi kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja, premtoi 5 mijë lekë në muaj për çdo fëmijë të lindur në bashki gjatë vitit të parë të jetës, masa ende nuk është zbatuar. Bashkia Kavajë konfirmon për Faktoje se bonusi nuk është parashikuar as në buxhetin e vitit 2026.

Premtimi

Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të vitit 2023, Fisnik Qosja premtoi një bonus mujor prej 5 mijë lekësh për çdo lindje të re në Bashkinë Kavajë, gjatë vitit të parë të jetës së fëmijës.

Qosja deklaroi gjithashtu se masa do të realizohej brenda gjashtë muajve të parë të mandatit të tij. 

Tre vite pa bonus

Faktoje e ka ndjekur zbatimin e këtij premtimi që prej vitit 2023.

Në verifikimin e parë, Bashkia Kavajë konfirmoi se nuk jepte bonus për lindjet e reja. Një vit më vonë, në 2024, institucioni përsëriti se bonusi prej 5 mijë lekësh në muaj nuk jepej, ndërsa një nënë e intervistuar nga Faktoje tha se nuk kishte marrë dhe as kishte dëgjuar për këtë mbështetje. 

Edhe në vitin 2025, Bashkia nuk konfirmoi zbatimin e masës së premtuar. Verifikimi i Faktoje e kategorizoi sërish premtimin si të pambajtur. 

Bashkia Kavajë në 2026

Në përgjigjen e fundit për Faktoje, Bashkia Kavajë e konfirmon drejtpërdrejt se masa nuk është planifikuar as këtë vit.

“Nga verifikimet e kryera në Bashkinë Kavajë për vitin 2026, rezulton që nuk është parashikuar bonus në masën 5000 lekë në muaj për çdo fëmijë të lindur në Bashkinë Kavajë gjatë vitit të parë të jetës”, thuhet në përgjigje.

Institucioni sqaron gjithashtu se bonusi i bebes nuk është parashikuar në buxhetin e Bashkisë Kavajë për vitin 2026.

Çfarë thonë nënat

Në terren, Faktoje pyeti nëna me fëmijë të vegjël në Kavajë për bonusin e premtuar.

Një nënë me gjashtë fëmijë, e cila kishte me vete djalin e vogël në karrocë, tha se nuk kishte përfituar asnjëherë lehtësira ekonomike. Ajo tregoi se bashkëshorti i kishte ndërruar jetë dhe se familja ndodhej në kushte të vështira ekonomike. Sipas saj, pavarësisht kërkesave për ndihmë, nuk kishte marrë mbështetje nga Bashkia.

Edhe nëna të tjera të pyetura nga Faktoje reaguan me habi kur dëgjuan për masën e premtuar.

“Çfarë bonusi?”, ishte reagimi i njërës prej tyre.

Përfundimi

Premtimi për bonusin mujor prej 5 mijë lekësh për bebet në Kavajë mbetet i pambajtur.

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Artikulli paraprakRrjeti i Agasit / Mes tenderëve të AKSHI-t, pengmarrjes së Meçes dhe sekreteve të SHISH
Jona Cenameri
Jona Cenameri është gazetare, fact-checker. Ajo ka përfunduar studimet në degën Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, ku u vlerësua me certifikatë ekselence për arritjet akademike. Punon në Faktoje.al, ku merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Përvoja e saj profesionale përfshin gazetari investigative, raportim të thelluar dhe ndërkufitar, si edhe monitorim e analizë mediatike, përmes bashkëpunimeve me ACQJ, BIRN Kosovo, IDMC, Thomson Media dhe Canal France International. Në vitin 2024 fitoi çmimin e parë në konkursin “Memoria dhe të Drejtat e Njeriut”, ndërsa në vitin 2025 ishte pjesë e ekipit fitues të konkursit rajonal të CFI-së “Balkan Voices 2”. Ajo është gjithashtu përfituese e bursës së KAS Media Programme South East Europe, e akorduar për studentë të talentuar të gazetarisë.