Menaxhimi i mbetjeve ‘derë më derë’ në Lezhë, sa po zbatohet skema e re e Bashkisë?

Nga qershori, Bashkia e Lezhës ka marrë në administrim të drejtpërdrejtë shërbimin e mbetjeve “derë më derë”

10

Më 9 shkurt 2026, kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, deklaroi se nga muaji qershor Bashkia do të merrte të gjithë shërbimin e mbetjeve në administrim, për zbatimin e strategjisë “menaxhimi i mbetjeve derë me derë”.

“Në qershor bashkia e Lezhës merr komplet shërbimin e menaxhimit të mbetjeve”, deklaroi Ndreu, duke argumentuar se shërbimi i kompanive private nuk kishte qenë në cilësinë e duhur.

Strategjia e prezantuar prej tij parashikonte edhe një mënyrë të re të nxjerrjes së mbetjeve, me orare të përcaktuara për qytetin dhe zonat rurale, si dhe ditë të dedikuara për mbetjet e riciklueshme, të gjelbra, elektronike dhe mobiliet.

Çfarë ndryshoi nga qershori?

Drejtoria e Menaxhimit të Mbetjeve aktualisht ka 101 punonjës. 

Sipas përgjigjes së Bashkisë Lezhë për Faktoje, që nga qershori, kjo drejtori ka marrë në administrim shërbimin në dy zona: zonën e parë, që përfshin Lezhën dhe Shëngjinin, dhe zonën e dytë, ku përfshihen Zejmeni, Kolshi dhe Shënkolli.

Ndërkohë, zona e tretë nuk është ende nën administrimin e drejtpërdrejtë të Bashkisë. 

Sipas institucionit, ajo do të kalojë në administrimin e Drejtorisë së Menaxhimit të Mbetjeve pas përfundimit të kontratës ekzistuese, më 30 shtator 2026.

Kjo do të thotë se premtimi për marrjen e shërbimit nga Bashkia është zbatuar, por jo ende në të gjithë territorin e Bashkisë Lezhë.

Në zonat e monitoruara nuk u konstatuan mbetje

Faktoje monitoroi situatën në terren për të parë nëse skema e re e nxjerrjes dhe grumbullimit të mbetjeve po zbatohej.

Në zonat e vëzhguara, situata ishte e rregullt. 

Banorët i nxirrnin mbetjet në oraret e përcaktuara dhe grumbullimi bëhej sipas skemës së re. 

Në Lezhë, sipas grafikut të Bashkisë, mbetjet nxirren të hënën, të mërkurën dhe të shtunën, nga ora 20:00 deri në 22:00. 

Në Shëngjin, jashtë sezonit veror (1 tetor-31 maj), mbetjet nxirren të mërkurën dhe të shtunën, nga ora 07:00 deri në orën 09:00. 

Ndërsa gjatë sezonit( 1 qershor- 30 qershor) mbetjet nxirren çdo ditë nga ora 07:00 deri në orën 09:00 dhe pastaj në mbrëmje nga ora 23:00- 24:00.

Në Ishull Lezhë dhe Ishull Shëngjin, mbetjet nxirren të martë, të enjte dhe të shtunë nga ora 16:30- 17:30.

Ndërsa në fshatrat Shënkoll, Zejmen dhe Kolsh, mbetjet nxirren të hënë dhe të enjte nga ora 07:00 deri në orën 09:00.

Kontrolli  

Gjatë vëzhgimit nuk u konstatuan grumbullime të pazakonta mbetjesh në të gjitha zonat e monitoruara.

Jashtë dyerve kryesore të shumë shtëpive, Faktoje vëreu në terren mbetjet e nxjerra si dhe dëshmoi mbledhjen e tyre nga punonjësit.

Edhe në përgjigjen zyrtare Bashkia konfirmoi se strategjia e re për nxjerrjen e mbetjeve sipas orareve është zbatuar si në qytetin e Lezhës, ashtu edhe në njësitë administrative.

Për respektimin e rregullave, institucioni thotë se janë vendosur kamera për monitorimin e zonave dhe se Policia Bashkiake ka vendosur gjoba ndaj qytetarëve dhe bizneseve që nuk respektojnë oraret.

Edhe mbetjet e riciklueshme me ditë të dedikuar

Një tjetër pjesë e skemës së re është mbledhja e diferencuar e mbetjeve.

Sipas Bashkisë, ka nisur mbledhja e mbetjeve të riciklueshme dhe e premtja është përcaktuar si dita e dedikuar për këtë kategori.

Për mbetjet e gjelbra, ato elektronike dhe mobiliet, qytetarët mund të përdorin numrin e gjelbër të Bashkisë për të përcaktuar ditën dhe orën e tërheqjes.

Për këtë shërbim, Bashkia ka parashikuar për vitin 2026 një buxhet të rishikuar prej 265.181.000 lekësh.

Pse u ndryshua modeli?

Bashkia argumenton se vendimi për kalimin e shërbimit në administrim publik erdhi pas problematikave të konstatuara gjatë kontratave me kompanitë private.

Sipas përgjigjes zyrtare, gjatë zbatimit të kontratave ishin evidentuar raste të moskryerjes së pastrimit në kohën dhe cilësinë e duhur, si dhe moseliminimit të vatrave problematike dhe mbetjeve të krijuara jashtë frekuencave të planifikuara.

Bashkia sqaron për Faktoje se kontratat nuk janë ndërprerë para kohe, por kompanive u ka përfunduar kontrata e shërbimit.

Përfundimi

Rreth tre muaj pas nisjes së administrimit të shërbimit nga Bashkia, verifikimi i Faktoje tregon se skema e re po zbatohet në zonat që kanë kaluar nën administrimin e Drejtorisë së Menaxhimit të Mbetjeve.

Në terren, qytetarët respektojnë oraret e përcaktuara dhe zonat e monitoruara paraqiten të pastra. 

Ndërkohë, zbatimi i plotë i modelit të ri në të gjithë territorin e Bashkisë Lezhë pritet të përfundojë pas 30 shtatorit, kur edhe zona e tretë të kalojë nën administrimin e strukturës publike.

Për këtë arsye, në momentin e verifikimit, premtimin e kryebashkiakut Ndreu e konsiderojmë pjesërisht të mbajtur 

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët