Një vit pas premtimit se energjia elektrike nuk do të ishte më problem për banorët e Gjadrit, situata ravijëzohet sërish shqetësuese.
Gjatë fushatës elektorale të vitit 2025, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, u premtoi banorëve se “energjinë elektrike nuk do ta kishin më temë”.
Por një vit më vonë, ndërsa dimri është në prag, furnizimi me energji vijon të shoqërohet me ndërprerje.

Banorët me të cilët Faktoje.al komunikoi gjatë verifikimit në terren, rrëfyen se vijojnë të përballen me ndërprerje të energjisë elektrike.
Sipas tyre, situata nuk është shqetësuese vetëm në ditë me shi, por edhe gjatë ditëve me mot të mirë.
“Dritat ikin shumë shpesh. Shtëpitë janë të lidhura grupe grupe me linja të ndryshme, por përgjithësisht të gjithë linjat kanë probleme. Ka raste kur ikin dhe çdo ditë, gjë që na i vështirëson punët e përditshme”, tha një prej banoreve, jo të shumta në numër, që Faktoje e hasi në qendrën e fshatit.
Zonja, rreth të 60-ave, shtoi se linjat janë vendosur që nga viti ’67 dhe transformatorët janë tërësisht të vjetër.

Verifikimi në terren e fakton këtë. Në oborret e shumë shtëpive, mund të dallosh lehtësisht me sy të lirë prej nga rruga kryesore, që energjia elektrike u përcillet përmes linjave të vjetëruara.

“Jam detyruar të blej gjenerator, sepse e kisha bashkëshortin me bombol oksigjeni. Ka raste kur shkëputen dhe nuk vijnë për 3-4 orë”, tha një e moshuar e cila ishte ulur pranë pikës shpërndarëse të pensioneve, dhe po priste për të tretën ditë radhazi, marrjen e tij.
Por situata nuk është më vetëm një problem i raportuar nga banorët.
Të dhënat e vetë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, të vëna në dispozicion për Faktoje.al, tregojnë se furnizimi me energji në zonë ka vijuar të ketë probleme.
OSSH: 77 ndërprerje gjatë 2025–2026
Në përgjigje të kërkesës për informacion të Faktoje, OSSH konfirmon se problematikat e furnizimit me energji në Gjadër kanë vijuar gjatë periudhës 2025–2026.
Sipas operatorit, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 77 ndërprerje të energjisë elektrike, të shkaktuara nga avari në rrjetin e shpërndarjes.
OSSH e lidh këtë situatë kryesisht me amortizimin ndër vite të rrjetit.
Ndër elementet që paraqesin problematika përmenden izolatorët, traversat, përcjellësit, transformatorët dhe komponentë të tjerë të rrjetit të tensionit të mesëm dhe të ulët.
Megjithatë, sipas banorëve, shifra e raportuar e ndërprerjeve nga OSSH, është e minimizuar dhe nuk reflekton numrin e saktë të ndërprerjeve.
Ata thonë për Faktoje se 77 raste mund të numërojnë vetëm në pak muaj, jo në harkun kohor të një viti.


Një investim prej 136 milionë lekësh ende në proces
OSSH sqaron se gjatë vitit 2026 ka nisur realizimi i një investimi për ndërtimin e një linje të dedikuar të tensionit të mesëm, me kabëll 20 kV, për furnizimin e Pikës së Shpërndarjes Kampi Gjadër.
Sipas OSSH-së, investimi realizohet në kuadër të marrëveshjes me Ambasadën Italiane dhe ka një vlerë prej 136,402,806 lekësh pa TVSH. Përfundimi i tij parashikohet brenda vitit 2026.
Por ky investim ende nuk është përfunduar.
Për ndërhyrjet e tjera në rrjet, OSSH sqaron se aktualisht është në fazën e planifikimit dhe hartimit të projekteve për investimet në rrjetin e tensionit të mesëm dhe të ulët në zonën e Gjadrit.
Këto investime janë parashikuar në planin afatmesëm 2027–2031, ndërsa realizimi i tyre pritet të nisë në përputhje me afatet dhe prioritetet e përcaktuara në këtë plan.
Bashkia: Rrjeti nuk është në kompetencën tonë
Për situatën e furnizimit me energji, Faktoje pyeti edhe Bashkinë Lezhë.
Bashkia sqaroi në kërkesën për informacion se investimet në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike nuk janë në kompetencën e saj dhe se ndërhyrjet në këtë infrastrukturë janë përgjegjësi ekskluzive e OSHEE.
“Megjithatë, në funksion të rolit të saj lehtësues dhe institucional, bashkia çdo problematikë që ka marrë nga banorët e zonës e ka përcjellë menjëherë, duke bërë të mundur njoftimin dhe rakordimin e drejtpërdrejtë me stafin e OSHEE- së për të ndërhyrë dhe gjetur zgjidhje direkte për shqetësimet e ngritura”, vëren bashkia në përgjigjen e saj.
Përfundim
Edhe pse ka ndërhyrje të planifikuara dhe një investim në proces, rezultati i premtuar për banorët e Gjadrit ende nuk është arritur.
Bazuar në verifikimin në terren dhe të dhënat e mbledhura, premtimin e kryetarit të Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, se energjia elektrike nuk do të jetë më problem për Gjadrin, e kategorizojmë si ende të pambajtur.
Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.






