“Zero taksa” për bizneset e të rinjve në Kavajë nuk u zbatua

Premtimi i kryebashkiakut të Kavajës, Fisnik Qosja, për “zero taksa” për bizneset e të rinjve të moshës 18-35 vjeç nuk është zbatuar

29
Fisnik Qosja me te rinjte

Jona Cenameri

Në fushatën për zgjedhjet vendore të vitit 2023, Fisnik Qosja premtoi se të rinjtë e moshës 18-35 vjeç që hapnin një biznes në Kavajë do të përfitonin nga “zero taksa”. Tre vjet më vonë, vetë Bashkia Kavajë konfirmon për Faktoje se kjo masë nuk është zbatuar.

Premtimi

Në paketën sociale të publikuar gjatë fushatës së vitit 2023, Fisnik Qosja premtonte:

“0 taksa për çdo biznes të hapur nga sipërmarrës të rinj në moshën 18 deri në 35 vjeç.”

Premtimi për lehtësimin nga taksat të bizneseve të hapura nga të rinjtë ishte pjesë e platformës së tij elektorale për Kavajën. Edhe gjatë fushatës u raportua se plani parashikonte “zero taksa” për bizneset që do të hapnin të rinjtë në qytet. 

Premtimi i Fisnik Qoses

Çfarë thotë Bashkia Kavajë 

Faktoje iu drejtua Bashkisë Kavajë për të mësuar nëse masa ishte zbatuar dhe sa të rinj kishin përfituar prej saj.

Përgjigjja e institucionit është e qartë:

“Në Bashkinë Kavajë nuk është zbatuar ‘zero taksa për çdo biznes të hapur nga sipërmarrës të rinj të moshës 18-35 vjeç.”

Sipas Bashkisë, nuk është miratuar asnjë vendim i Këshillit Bashkiak për këtë masë dhe nuk ka taksa apo tarifa vendore të përfshira në të.

Institucioni konfirmon gjithashtu se nuk ka asnjë biznes apo subjekt përfitues dhe asnjë vlerë taksash ose tarifash vendore të përjashtuara në kuadër të këtij premtimi.

Çfarë thonë të rinjtë

Faktoje pyeti edhe të rinj në Kavajë për premtimin.

Një djalë rreth të 20-ave tha se nuk kishte dëgjuar më parë për masën e premtuar.

Një tjetër i ri shpjegoi se studion në Tiranë dhe kthehet në Kavajë vetëm gjatë pushimeve, ndërsa një vajzë e së njëjtës grupmoshë u shpreh e habitur kur u pyet për premtimin.

Përfundimi

Fisnik Qosja premtoi në vitin 2023 “zero taksa” për bizneset e hapura nga sipërmarrës të rinj të moshës 18-35 vjeç.

Tre vjet më vonë, Bashkia Kavajë konfirmon se masa nuk është zbatuar: nuk ka vendim të Këshillit Bashkiak, nuk janë përcaktuar taksat apo tarifat që do të përjashtoheshin dhe nuk ka asnjë biznes përfitues.

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon zbatimin e premtimeve të dhëna nga kryebashkiakët.

Artikulli paraprakKarpeni dhe Rrakulli ende me ujë pusi
Jona Cenameri
Jona Cenameri është gazetare, fact-checker. Ajo ka përfunduar studimet në degën Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, ku u vlerësua me certifikatë ekselence për arritjet akademike. Punon në Faktoje.al, ku merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Përvoja e saj profesionale përfshin gazetari investigative, raportim të thelluar dhe ndërkufitar, si edhe monitorim e analizë mediatike, përmes bashkëpunimeve me ACQJ, BIRN Kosovo, IDMC, Thomson Media dhe Canal France International. Në vitin 2024 fitoi çmimin e parë në konkursin “Memoria dhe të Drejtat e Njeriut”, ndërsa në vitin 2025 ishte pjesë e ekipit fitues të konkursit rajonal të CFI-së “Balkan Voices 2”. Ajo është gjithashtu përfituese e bursës së KAS Media Programme South East Europe, e akorduar për studentë të talentuar të gazetarisë.