Karpeni dhe Rrakulli ende me ujë pusi

Faktoje e ka verifikuar këtë premtim çdo vit që prej 2023.

17
Pus ne Rrakull te Kavajes

Nga Jona Cenameri

Tre vjet pasi kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja, premtoi furnizim 24 orë me ujë të pijshëm për fshatrat Karpen dhe Rrakull, banorët e intervistuar nga Faktoje në shtator 2026 thonë se vazhdojnë të marrin ujw nga  puset.

Bashkia Kavajë thotë se ka zbatuar si autoritet kontraktor një investim prej rreth 188.5 milionë lekësh për furnizimin me ujë të zonave bregdetare, ku përfshihet edhe Karpeni.

Por për furnizimin aktual, oraret dhe numrin e familjeve të lidhura në rrjet, institucioni ia kalon përgjegjësinë Ujësjellës Kanalizimeve.

Premtimi

Në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023, Fisnik Qosja premtoi zgjidhjen përfundimtare të furnizimit me ujë për Karpenin dhe Rrakullin.

“Ne kemi një projekt që përfshin bashkë me Karpenin edhe fshatin Rrakull, i cili do të mundësojë furnizim 24 orë me ujë të pijshëm, aq të rëndësishëm për banorët dhe turizmin”, deklaroi Qosja më 3 maj 2023. 

Premtimi i Fisnik Qoses

3 Verifikime nga Faktoje

Faktoje e ka verifikuar këtë premtim çdo vit që prej 2023.

Në verifikimin e parë, Ujësjellës Kanalizime Durrës konfirmoi se dy fshatrat nuk furnizoheshin 24 orë me ujë dhe se projekti ishte ende në hartim, ndërsa banorët e Rrakullit dhe Karpenit tregonin se përdornin puse dhe blinin ujin e pijshëm.

Në vitin 2024, Ujësjellësi deklaroi se procesi për dy fshatrat ishte ende në fazën e studim-projektimit. Verifikimi në terren tregoi sërish se banorët mbështeteshin te puset.

Edhe në vitin 2025, situata e raportuar nga banorët mbeti e njëjtë: ujë nga puset për nevojat e përditshme dhe ujë i blerë për të pirë.

Bashkia Kavajë në 2026

Në përgjigjen e fundit për Faktoje, Bashkia Kavajë sqaron se ka pasur rolin e autoritetit kontraktor për zbatimin e punimeve fizike në kuadër të projektit “Furnizimi me ujë në zonat bregdetare, Plazhi i Gjeneralit – Bardhor – Karpen – Synej, Bashkia Kavajë, Varianti I, Loti I”.

Vlera e kontratës është 188,549,796 lekë me TVSH dhe punimet janë zbatuar nga BOE “Boshnjaku B” sh.p.k. dhe “Desaret Company” sh.p.k.

Sipas Bashkisë, gjatë zbatimit projekti është ndryshuar për shkak të konfigurimit të terrenit, ndërsa kontrata është amenduar disa herë edhe për shkak të pretendimeve të banorëve mbi pronësinë dhe kundërshtimeve për vendosjen e linjave dhe puseve pranë pronave të tyre.

Por për të dhënat konkrete mbi furnizimin aktual me ujë, oraret dhe numrin e familjeve të lidhura në rrjet, Bashkia e drejton Faktoje te autoriteti operues i ujësjellësit.

Faktoje iu drejtua edhe Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), por deri në momentin e publikimit nuk mori përgjigje.

Verifikimi në terren, shtator 2026

Më 4 shtator 2026, Faktoje u kthye në Rrakull dhe Karpen.

Në Rrakull, një banor rreth të 60-ave tha se familjet vazhdojnë të varen nga puset.

“Me ujin jemi shumë keq. Nuk ka ujë. Ne jetojmë me ujë pusi, atë përdorim. Kush ka ujë pusi të thellë është në rregull. Kush e ka të cekët, një sahat s’lag as bimët, as për t’u larë, as rrobat”, tha ai.

“Për ne është shumë problem i madh mungesa e ujit. Shpresojmë që një ditë qeveria t’i kthejë sytë nga ne”, shtoi banori.

Edhe në Karpen, një familje tregoi për Faktoje se ujin e siguronte nga pusi.

“Ujin e marrim përmes puseve që kemi vetë. Nga rubineti s’kemi ujë. Po na del uji i pusit tani, po edhe kur s’na del, çfarë të bëjmë?”, tha një banore.

Familjarët treguan se kush ka puse më të cekëta përballet me mungesë më të madhe uji dhe se kanë humbur besimin te premtimet për zgjidhjen e problemit.

Përfundimi

Në maj 2023, Fisnik Qosja premtoi furnizim 24 orë me ujë të pijshëm për Karpenin dhe Rrakullin.

Tre vjet më vonë, Bashkia raporton se janë kryer punime në kuadër të një investimi që përfshin Karpenin, por nuk konfirmon se furnizimi 24-orësh është realizuar.

Verifikimi i Faktoje në terren më 4 shtator 2026 tregon se banorët e intervistuar në të dy fshatrat vazhdojnë të përdorin puse.

Në këto kushte, premtimi për furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm të fshatrave Karpen dhe Rrakull mbetet i pambajtur.

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Artikulli paraprakE manipuluar thirrja “Allahu akbar” gjatë mitingut të Trump
Jona Cenameri
Jona Cenameri është gazetare, fact-checker. Ajo ka përfunduar studimet në degën Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, ku u vlerësua me certifikatë ekselence për arritjet akademike. Punon në Faktoje.al, ku merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Përvoja e saj profesionale përfshin gazetari investigative, raportim të thelluar dhe ndërkufitar, si edhe monitorim e analizë mediatike, përmes bashkëpunimeve me ACQJ, BIRN Kosovo, IDMC, Thomson Media dhe Canal France International. Në vitin 2024 fitoi çmimin e parë në konkursin “Memoria dhe të Drejtat e Njeriut”, ndërsa në vitin 2025 ishte pjesë e ekipit fitues të konkursit rajonal të CFI-së “Balkan Voices 2”. Ajo është gjithashtu përfituese e bursës së KAS Media Programme South East Europe, e akorduar për studentë të talentuar të gazetarisë.