Çfarë ndodhi me premtimin për drekë falas në shkollat e Tiranës?

Ushqimi falas në shkolla mbetet i pambajtur dhe i zvogëluar ndjeshëm, duke kaluar në një program pas shkolle ku nxënësit e marrin ushqimin me vete nga shtëpia.

14
foto ilustruese

Nga Jona Cenameri

Premtimi për ushqim falas në shkollat e Tiranës u bë publik nga kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, në vjeshtën e vitit 2024. Më 1 tetor, Veliaj deklaroi se ishte marrë vendimi që nga shtatori i vitit pasardhës ushqimi falas të ofrohej në të gjitha shkollat e Bashkisë së Tiranës.

Programi u prezantua si një politikë sociale universale dhe jo si ndihmë vetëm për familjet në nevojë. Sipas Veliajt, qëllimi ishte që të gjithë fëmijët të kishin të njëjtin standard ushqimi, pavarësisht mundësive ekonomike të familjeve të tyre. 

Premtimi

Premtimi u konkretizua më tej në fillim të vitit 2025. Më 3 shkurt, gjatë përurimit të godinave të reja në Qytetin Studenti, Veliaj deklaroi se Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Arsimit do të hartonin strategjinë përkatëse gjatë muajve të verës. Sipas tij, nga shtatori 2025, nxënësit e shkollave 9-vjeçare në kryeqytet do ta kishin drekën të përfshirë dhe do të mund të qëndronin në shkollë deri në orën 16:00.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe kryeministri Edi Rama dhe ministrja e atëhershme e Arsimit, Ogerta Manastirliu. Rama deklaroi se nisma do të përfshinte të gjitha shkollat publike 9-vjeçare të Tiranës, ku nxënësit do të qëndronin deri në orën 16:00 dhe do ta kishin drekën të siguruar. 

Më 4 shkurt 2025, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, dha shifra më konkrete. Sipas tij, projekti do të zbatohej në 119 shkolla dhe do të përfshinte rreth 32 mijë nxënës, nga parashkollori deri në klasën e pestë. Seferi deklaroi se nxënësit do të qëndronin në shkollë deri në orën 16:00 dhe se menuja ushqimore do të përgatitej nga specialistët dhe do të konsultohej me prindërit. 

Shtatori 2025 pa drekën e premtuar

Në nisje të vitit shkollor 2025-2026, ushqimi falas nuk ofrohej në asnjë shkollë të Tiranës.

Në përgjigjen që Bashkia e Tiranës i dha Faktoje në atë periudhë, nisma përshkruhej ende si një projekt në fazën e diskutimit me Ministrinë e Arsimit. Bashkia deklaronte se projekti do të bëhej publik pasi të miratohej në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore.

Më 4 shtator 2025, në një letër të hapur drejtuar nxënësve të Tiranës, Veliaj kërkoi ndjesë për mosrealizimin e projektit, duke deklaruar se Bashkia ishte gati ta zbatonte, por ishte penguar. Ai e lidhi vonesën me ndërprerjen e ushtrimit të mandatit të tij, ndërsa tha se përgjegjësia mbetej tek ai dhe se do të përpiqej ta rikuperonte projektin sa më shpejt.

Faktoje e vlerësoi si të pambajtur premtimin për nisjen e ushqimit falas në shkollat e Tiranës në shtator 2025.

Pas kalimit të afatit, drejtuesja në detyrë e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, e lidhi mosrealizimin me kompetencat e kufizuara të pushtetit vendor dhe me përgjegjësitë e Ministrisë së Arsimit.

Më 9 shtator 2025, Ristani deklaroi se Bashkia kishte përgjegjësi kryesisht për infrastrukturën shkollore, ndërsa Ministria duhej të përcaktonte programin dhe të siguronte personelin që do të qëndronte me nxënësit pas mësimit. Ajo tha se Bashkia ishte e gatshme të siguronte ushqimin sapo Ministria të përfundonte pjesën e saj të programit, por nuk dha një afat të ri.  

Nga 119 shkolla në 30

Në fund të vitit 2025, projekti u riformulua.

Gjatë prezantimit të Buxhetit 2026, Ogerta Manastirliu deklaroi se programi i ushqimit dhe programi pas shkollor do të fillonin me vitin e ardhshëm shkollor. Por, ndryshe nga premtimi fillestar për të gjitha shkollat apo komunikimi i mëvonshëm për 119 institucione, Manastirliu foli për një fazë fillestare në 30 shkolla 9-vjeçare të Tiranës.

Sipas deklaratës së saj, programi do të përfshinte nxënësit e klasave 1-5 dhe më shumë se 10 mijë fëmijë. Më pas, në varësi të planifikimit buxhetor, projekti synohej të shtrihej në të gjitha shkollat 9-vjeçare të Tiranës dhe më vonë në bashkitë qendër qarku. 

Bashkia dhe Ministria

Në prill 2026, Faktoje iu drejtua Bashkisë së Tiranës për të pyetur nëse kishte nisur projekti pilot dhe si po administrohej ai.

Në përgjigjen e saj, Drejtoria e Politikave Lokale Arsimore deklaroi se projekti ishte konceptuar dhe administrohej nga Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Zyrat Arsimore Vendore.

Sipas Bashkisë, Ministria dhe zyrat arsimore ishin përgjegjëse për përzgjedhjen e shkollave, përcaktimin e orareve dhe hartimin e programit. 

Çfarë u pilotua në maj 2026?

Në përgjigjen e dërguar për Faktoje më 21 maj 2026, Ministria e Arsimit njoftoi se programi “Pas Shkolle” kishte nisur pilotimin më 4 maj dhe do të vazhdonte deri më 12 qershor.

Pilotimi përfshinte 47 shkolla, nga të cilat 45 në Tiranë dhe 2 në Kamëz. Në të merrnin pjesë vetëm nxënësit e klasave 1-5.

Por komponentët e programit të listuar nga Ministria ishin vetëm “Bëjmë detyrat e shtëpisë” dhe klubet e muzikës, teatrit, artit pamor, kërcimit dhe zejeve. Në përgjigje nuk përmendej shpërndarja e ushqimit.

Ministria sqaronte se modeli i ofrimit të ushqimit do të përcaktohej më vonë, pasi të vlerësoheshin kapacitetet infrastrukturore të shkollave. Sipas institucionit, pilotimi do të përdorej për të identifikuar nevojat, vështirësitë dhe masat që duheshin marrë për zbatimin më të gjerë të programit.

Ministrja Kumbaro 

Më 29 maj, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, konfirmoi publikisht pilotimin e programit në 47 shkolla.

Ajo deklaroi se ndryshimet në ligjin për arsimin parauniversitar kishin përfshirë për herë të parë konceptin “Pas Shkolle” dhe se pagesa për mësuesit e angazhuar pas orarit mësimor ishte dyfishuar. Kumbaro theksoi se projekti nuk mund të realizohej “sot për nesër” dhe se Ministria po ndërtonte gradualisht bazën ligjore dhe infrastrukturore të tij.

Edhe në deklaratën e 29 majit, Kumbaro foli për detyrat e shtëpisë, klubet e arteve dhe zejeve dhe pagesën e mësuesve. Ajo nuk deklaroi se në shkollat e pilotuara po shpërndahej ushqim. 

Bashkia Tiranë

Programin Buxhetor Afatmesëm 2026-2028 (pjesa e parë) të Bashkisë Tiranë parashikohet pilotimi i programit të ushqimit dhe atij pas-shkollor për rreth 12 mijë nxënës të klasave 1-5 në 30 shkolla. 

Dokumenti përcakton një fond prej 927,182,900 lekësh për dy vite buxhetore, i cili do të mbulojë shpërndarjen e një pakete ushqimore falas. Ky projekt synon të forcojë mirëqenien e fëmijëve, të përmirësojë aftësitë e tyre sociale dhe të garantojë hapësira të mbrojtura gjatë kohës pas mësimit. Për vitin 2026, shpenzimet operative për arsimin bazë parashikohen të rriten me rreth 490 milionë lekë për të akomoduar këto shërbime të reja.

Pjesa e dytë e të njëjtit Program Buxhetor Afatmesëm, ku projektet zbërthehen në produkte dhe kosto konkrete, jep një tjetër parashikim. Produkti “Programi i ushqimit në shkollë” përcakton se ushqimi do të pilotohet në 20 shkolla publike 9-vjeçare, për nxënësit e klasave 1-5. Për vitin 2026 synohet përfshirja e 12 mijë nxënësve, ndërsa kuota ditore e paketës ushqimore është llogaritur në 322 lekë për çdo fëmijë. Kostoja e parashikuar për këtë produkt gjatë vitit 2026 është 676.2 milionë lekë.

Këshilli Bashkiak

Në korrik 2026, anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorjan Teliti, i tha Faktoje se nuk kishte zhvillime të reja lidhur me programin e ushqimit në shkolla dhe se do ta ngrinte çështjen në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak.

I kontaktuar sërish nga Faktoje, Teliti tha se e kishte ngritur çështjen gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të zhvilluar në korrik. Sipas tij, përgjigjja që kishte marrë ishte se programi i ushqimit në shkolla nuk do të realizohej gjatë këtij viti, pasi zbatimi nuk varej vetëm nga Bashkia, por edhe nga Ministria e Arsimit.

“Nuk e bëjmë dot, thanë. Varet edhe nga Ministria e Arsimit”, tha Teliti për Faktoje më 18 shtator, duke iu referuar përgjigjes së dhënë në mbledhje.

Ai shtoi se, që prej mbledhjes së korrikut, Këshilli Bashkiak nuk është mbledhur më, ndaj deri më 18 shtator nuk kishte pasur një diskutim tjetër në Këshill për këtë program.

Ushqimi do të merret nga shtëpia

Pas përfundimit të pilotimit, Ministria e Arsimit komunikoi një model tjetër për zgjerimin kombëtar të programit.

21 qershor 2026, zëvendësministrja e Arsimit, Herida Duro, deklaroi se nga shtatori programi “Pas Shkolle” synohej të shtrihej në rreth 500 shkolla fillore në të gjithë vendin. Ai do të përfshinte detyrat e shtëpisë dhe aktivitete sportive, artistike e kulturore.

Për shkak të mungesës së infrastrukturës së përshtatshme, sipas zëvendësministres, nxënësit do ta merrnin ushqimin me vete nga shtëpia. Fondi prej rreth 5 milionë eurosh do të përdorej për pagesat e mësuesve dhe specialistëve, si dhe për materialet e aktiviteteve, jo për blerjen e vakteve falas. 

Më 26 qershor 2026, qeveria miratoi edhe një ndryshim ligjor që u jep bashkive të drejtën të ofrojnë ushqim për nxënësit me fondet e veta ose me transferta nga buxheti i shtetit. Vendimi adreson pengesën e kompetencave të përmendur më herët nga Ristani.

Një projekt ende i paqartë

Premtimi fillestar i Erion Veliajt ishte i qartë: nga shtatori 2025, ushqimi falas do të ofrohej në të gjitha shkollat e Bashkisë së Tiranës. Ky premtim nuk u realizua brenda afatit.

Pas kalimit të afatit, projekti ndryshoi disa herë. Nga të gjitha shkollat u kalua në 119, më pas në 30 apo 20 sipas dokumentit teknik të Bashkisë. Numri i përfituesve u reduktua nga rreth 32 mijë në 12-10 mijë nxënës.

Në maj 2026, Ministria nuk pilotoi ushqimin falas, por vetëm programin “Pas Shkolle”. Më vonë, për zgjerimin në rreth 500 shkolla, Ministria deklaroi se nxënësit do ta merrnin ushqimin nga shtëpia.

Bashkia e Tiranës e ka të parashikuar në dokumentet buxhetore (PBA 2026-2028) një paketë ushqimore falas. Deri tani nuk janë bërë publike lista përfundimtare e shkollave, numri i saktë i tyre, dhe data e nisjes së pilotimit.

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Artikulli paraprakI gjeneruar ky robot dërgesash që rrëzohet nga humnera
Jona Cenameri
Jona Cenameri është gazetare, fact-checker. Ajo ka përfunduar studimet në degën Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, ku u vlerësua me certifikatë ekselence për arritjet akademike. Punon në Faktoje.al, ku merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Përvoja e saj profesionale përfshin gazetari investigative, raportim të thelluar dhe ndërkufitar, si edhe monitorim e analizë mediatike, përmes bashkëpunimeve me ACQJ, BIRN Kosovo, IDMC, Thomson Media dhe Canal France International. Në vitin 2024 fitoi çmimin e parë në konkursin “Memoria dhe të Drejtat e Njeriut”, ndërsa në vitin 2025 ishte pjesë e ekipit fitues të konkursit rajonal të CFI-së “Balkan Voices 2”. Ajo është gjithashtu përfituese e bursës së KAS Media Programme South East Europe, e akorduar për studentë të talentuar të gazetarisë.