Ballkani Perëndimor, shënjestër e ndërhyrjeve të huaja 

Si po luftohet FIMI? PE kërkon mbështetje afatgjatë për vendet e Ballkanit Perëndimor

18

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në një reagim në X tha se Parlamenti Europian e njeh Ballkanin Perëndimor si një rajon në vijën e parë të manipulimit dhe ndërhyrjes së huaj në informacion (FIMI).

Raporti i miratuar nga Parlamenti Europian e përfshin në mënyrë të drejtpërdrejtë rajonin në mesin e zonave të prekura nga këto operacione dhe kërkon forcimin e bashkëpunimit dhe të mbështetjes europiane për përballimin e tyre.

Faktoje verifikoi deklaratën përmes raportit të hartuar nga Komiteti i Posaçëm për European Democracy Shield dhe të miratuar nga Parlamenti Europian më 15 shtator.

Çfarë thotë raporti për Ballkanin Perëndimor?

Raporti i Parlamentit Europian është i qartë në mënyrën se si e lidh Ballkanin Perëndimor me FIMI-n. 

Në pjesën e gjetjeve, dokumenti thotë se vendet kandidate dhe ato të fqinjësisë, përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor, “mbeten të targetuara në mënyrë të theksuar nga FIMI dhe kërcënimet hibride”

Raporti bëhet edhe më specifik në pikën 91.

Aty thuhet se vendet kandidate dhe potenciale kandidate, “në veçanti Ballkani Perëndimor”, kanë qenë një “pikë e qartë” e operacioneve ruse të FIMI-t. 

Sipas raportit, një nga synimet e këtyre operacioneve është diskreditimi i BE-së dhe ulja e vlerës së perceptuar të integrimit europian.

Në të njëjtën pikë, Parlamenti Europian i kërkon Komisionit Europian dhe Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS) të thellojnë bashkëpunimin me vendet e Ballkanit Perëndimor për rezistencë ndaj manipulimit të informacionit, sigurinë kibernetike dhe kërcënimet hibride. 

Raporti kërkon gjithashtu që mbështetja të mos mbetet sporadike, por të jetë afatgjatë dhe e orientuar drejt forcimit të rezistencës institucionale, ligjore dhe qytetare.

Ai e lidh këtë çështje edhe me procesin e integrimit europian. 

Raporti thekson se vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me ndërhyrje ruse në procesin e tyre të afrimit me BE-në dhe kërkon forcimin e bashkëpunimit për të kundërshtuar narrativat e manipuluara që vijnë nga Rusia.

Po Shqipëria?

Raporti nuk ka një kapitull të veçantë që e cilëson Shqipërinë si objektiv të FIMI-t.

Megjithatë, Shqipëria përfshihet në kuadrin e këtij vlerësimi përmes dy elementeve: është pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe është vend kandidat për anëtarësim në BE.

Në të njëjtin postim, Hoxha e lidhi këtë çështje edhe me konferencën për FIMI-n të zhvilluar në Shqipëri në korrik, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve europiane, ekspertë, media dhe shoqëria civile. Një kontribut të veçantë ekspertize në këtë tryezë të organizuar nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme pikerisht për FIMI-n dha edhe Faktoje e ftuar si pjesë e panelit.  

Hoxha iu referua kësaj konference në postimin e tij të 15 shtatorit, duke e lidhur diskutimin e zhvilluar në Tiranë me qëndrimin e Parlamentit Europian për forcimin e rezistencës demokratike dhe përfshirjen e vendeve kandidate në përpjekjet europiane kundër FIMI-t.

Përfundimi 

Formulimi i Ferit Hoxhës se “Ballkani Perëndimor është në vijën e parë të FIMI-t” mbështetet nga dokumenti. Raporti thotë shprehimisht se vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten të targetuara nga FIMI dhe kërcënimet hibride. 

Në këtë kuptim, deklaratën e ministrit Hoxha e konsiderojmë si të vërtetë.