Kjo shembje e xhamisë nuk ishte shkaku i përmbytjes në Nepal

5

Pretendimi: Prishja e një xhamie në Nepal u bë shkak për përmbytjen e madhe që goditi vendin 

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————————-

Pamjet e prishjes së një xhamie nga disa burra që përdorin çekiçë dhe mjete të tjera për të thyer pjesë të strukturës së saj, është shpërndarë në profile shqipfolëse në Facebook duke pretenduar se janë regjistruar në 31 korrik në Nepal.

Postimi që shoqëron videon pretendon se përmbytja që ndodhi gati një muaj më pas në zonat nepaleze nën Himalaje, ishte një hakmarrje ndaj shkatërrimit të xhamisë.   

Postimi i shembjes së xhamisë

Videoja vijon me pamje të tjera të ujit, baltës dhe rrëshqitjeve që përfshijnë ndërtesa si pjesë e tragjedisë së goditi Nepalin në 26 gusht 2026.

Verifikimet e mëtejshme konfirmojnë se videoja ndërton një kronologji të rreme duke lidhuar prishjen e pjesshme të një xhamie me pamje të katastrofës në Nepal.

Nëpërmjet një kërkimi në motorin e kërkimit të imazheve Google lens zbulohet se objekti fetar në pamje është Jama Masjid në Mughalsarai, në distriktin Chandauli të shtetit Uttar Pradesh, Indi.

Vendndodhja konfirmohet edhe nga fotografitë e objektit në internet, të cilat tregojnë të njëjtat minare, harqe, parmakë dhe elemente dekorative që shfaqen në video. 

Edhe pamjet e zonës në Google Maps përputhen me vendosjen e xhamisë buzë rrugës GT në Mughalsarai. Pra, mbishkrimi “Nepal” i shtuar mbi video është i pasaktë.

Gjurmimi i mëtejshëm zbulon një version të publikuar më 2 maj 2026 nga faqja indiane “The Shastra”. Materiali përmban të njëjtat pamje të burrave mbi xhami dhe e identifikon ndërtesën si xhamia e Mughalsarait.

Sipas përshkrimit, ndërhyrja kishte nisur më 1 maj, rreth tre muaj përpara datës “31.07.2026” të vendosur në videon e shpërndarë në shqip.

Pamjet nuk tregojnë një sulm ndaj xhamisë dhe as shkatërrimin e saj nga një turmë kundërshtare. Autoritetet lokale kishin njoftuar se pjesë të ndërtesës preknin hapësirën e parashikuar për zgjerimin në gjashtë korsi të rrugës GT dhe ndërtimin e kanaleve të kullimit.

Kur zyrtarët mbërritën me makineri, komiteti i xhamisë dhe banorët kërkuan t’i çmontonin vetë pjesët e prekura, për të shmangur përdorimin e buldozerëve mbi objektin fetar.

Një raportim i mëvonshëm i The Times of India konfirmon se projekti për zgjerimin e rrugës GT në Mughalsarai parashikonte zhvendosjen ose heqjen e më shumë se 30 objekteve fetare, përfshirë tempuj dhe një xhami. 

Artikulli paraprakI manipuluar ky imazh me minifund i deputetes Iris Luarasi
Artikulli tjetërAktori Al Paçino nuk ka gjetur besimin në fenë Islame
Jona Cenameri
Jona Cenameri është gazetare, fact-checker. Ajo ka përfunduar studimet në degën Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, ku u vlerësua me certifikatë ekselence për arritjet akademike. Punon në Faktoje.al, ku merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Përvoja e saj profesionale përfshin gazetari investigative, raportim të thelluar dhe ndërkufitar, si edhe monitorim e analizë mediatike, përmes bashkëpunimeve me ACQJ, BIRN Kosovo, IDMC, Thomson Media dhe Canal France International. Në vitin 2024 fitoi çmimin e parë në konkursin “Memoria dhe të Drejtat e Njeriut”, ndërsa në vitin 2025 ishte pjesë e ekipit fitues të konkursit rajonal të CFI-së “Balkan Voices 2”. Ajo është gjithashtu përfituese e bursës së KAS Media Programme South East Europe, e akorduar për studentë të talentuar të gazetarisë.