Ukrainasit nuk po dëbohen nga Shqipëria!

Vendimi në fuqi i qeverisë shqiptare u lejon shtetasve ukrainas të hyjnë pa vizë dhe të qëndrojnë në vend pa leje qëndrimi deri më 30 mars 2027

17
Imazhi i gjeneruar me AI

Jona Cenameri

Pas vizitës së kryeministrit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky në Beograd, media ruse, Pravda Shqipëri publikoi lajmin me titull: “Ukrainasit po dëbohen nga Shqipëria!”- Gjenerali i Forcave të Armatosura Të Ukrainës është i indinjuar nga vizita E Zelensky Te Vuçiç”

Hiperlinku i vendosur në krye të lajmit të çon tek artikulli origjinal i publikuar nga një tjetër media ruse PolitNavigator. Artikulli ndërtohet mbi deklaratën politike të një gjenerali ukrainas në një intervistë televizive, tek e cila bazohet pretendimi se ukrainasit po dëbohen nga Shqipëria 

Çfarë tha realisht gjenerali?

videon e plotë të publikuar më 15 gusht në kanalin e YouTube-it të televizionit ukrainas Pryamoy, në minutat 47:03-47:39 të videos, Krivonos thotë:

“Shikoni çfarë ndodhi pas vizitës në Serbi: ukrainasit që kishin gjetur strehim dhe mbështetje të madhe në Shqipëri, tani kanë kundër gjithë Shqipërinë. Për shkak të një përfaqësuesi të Ukrainës, vështirë ta quash ukrainas, edhe pse është president. Shqiptarët thanë: ‘Jo, mirupafshim ukrainas, ikni nga Shqipëria.’ Përse u bë kjo? Pse të shkosh në vendin më pro-ruse dhe të merresh me populizëm? Sinqerisht, nuk e kuptoj.”

Krivonos është gjeneral-major, ish-zëvendëskomandant i parë i Forcave të Operacioneve Speciale të Ukrainës (2016-2019) dhe ish-zëvendëssekretar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes (2019-2020). Ai u largua nga shërbimi ushtarak në vitin 2021, që do të thotë se sot ai nuk flet si zyrtar i ushtrisë ose i qeverisë ukrainase. 

Narrativa e “dëbimeve”

PolitNavigator e vendosi deklaratën në titullin alarmist “Ukrainasit po dëbohen nga Shqipëria!”, ndërsa Pravda në shqip e përktheu dhe e ripublikoi. Por fjalia e Krivonos nuk dokumenton një ngjarje që po ndodh ose do të ndodhi, ajo është më tepër një kritikë ndaj vendimeve politike të Zelenskyt. 

Shqipëria

Më 10 prill 2026, katër muaj përpara vizitës së Zelenskyt në Beograd, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim që u lejon shtetasve ukrainas të hyjnë pa vizë në Shqipëri dhe të qëndrojnë pa leje qëndrimi deri më 30 mars 2027. I njëjti afat vlen edhe për shtetasit ukrainas që ndodheshin tashmë në territorin shqiptar.

Vizita e Zelenskyt në Beograd dhe riafirmimi i qëndrimit të vjetër të Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës shkaktoi reagime politike e simbolike. Siç ka raportuar më herët Faktoje, në Tiranë pati protesta para Ambasadës së Ukrainës me thirrje kundër Zelenskyt; në Prishtinë u hoq flamuri ukrainas. Këto ishin reagime ndaj deklaratës së presidentit ukrainas, jo dëbime ose veprime kundër ukrainasve që jetojnë në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama tha se Ukraina “është gabim për Kosovën”, por se e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme, duke kundërshtuar idenë e ndëshkimit të Ukrainës për këtë qëndrim. Postimi i tij u pasua edhe nga qëndrimi zyrtar i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin, pavarësinë dhe të ardhmen evropiane të Ukrainës.

Dezinformimi rus

Pravda në shqip është nyje shqipfolëse e rrjetit shumëgjuhësh Pravda. Sipas Hibrid.info/Support4Partnership dhe DFRLab, rrjeti ripaketon në shkallë të gjerë përmbajtje nga burime ruse ose proruse për audienca lokale. 

PolitNavigator është portali rusishtfolës, i përmendur nga Prishtina Insight/BIRN si portal që qarkullon narrativa për Kosovën në përputhje me pozicionet e Serbisë dhe Kremlinit. Vetë artikulli në fjalë e quan Zelenskyn “diktator i Kievit” dhe përdor etiketën propagandistike të Kremlinit “denazifikim”.

Deklarata e Krivonos është reale, por nuk është provë se ukrainasit po dëbohen nga Shqipëria. Faktet e disponueshme, përfshirë qendrimin e kryeministrit, MEPJ dhe vendimin e qeverisë shqiptare për qëndrimin e tyre deri në mars 2027, tregojnë të kundërtën e narrativës së krijuar nga titulli.