“Pasqyrë” për çmimet teksa Shqipëria paguan si Europa, por blen me gjysmën e fuqisë

Nga shtatori, qeveria premton të gjurmojë çmimet nga prodhuesi ose importuesi deri te rafti, ndërsa ekspertët kërkojnë hetime dhe ndërhyrje ndaj operatorëve që deformojnë konkurrencën

23

Esmeralda Topi 

Pas tre muajsh protestash dhe pakënaqësive të shprehura në shesh edhe për koston e jetesës, qeveria po rikthen në qendër të komunikimit publik çështjen e çmimeve. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka njoftuar se nga shtatori do të lançohet “PriceWatch Albania – Pasqyra e Çmimeve”, një platformë që synon t’u mundësojë qytetarëve të krahasojnë çmimet e produkteve bazë dhe të zgjedhin ku t’i blejnë më lirë. 

“Çmimet duhet të jenë të dukshme, të krahasueshme dhe transparente për çdo qytetar”, deklaroi Ibrahimaj, duke shtuar se përmes mekanizmit të ri do të ndiqet edhe zinxhiri i çmimit, “nga importi apo prodhimi deri në pikën e shitjes”, për të kuptuar ku krijohen diferencat dhe për të evidentuar abuzimet. 

Për të ilustruar nevojën për këtë mekanizëm, ministrja solli shembullin e domates. Sipas saj, në Tiranë ajo shitet me 120 lekë, ndërsa në Lushnje me 50 lekë.

Aktualisht, nuk mungon transparenca për çmimet e disa produkteve. Prej vitit 2023, Portali i Fermerit, një platformë publike për sektorin e bujqësisë, publikon të dhëna ditore për çmimet e produkteve bujqësore dhe atyre të peshkut.

Domatja, nga ferma te konsumatori

Faktoje e ka ndjekur më herët këtë zinxhir. Në një shkrim të prillit 2026, të dhënat e Portalit të Fermerit tregonin se domatja vendase tregtohej në pikat e grumbullimit me 270–300 lekë për kilogram, ndërsa në tregjet e pakicës arrinte 400–450 lekë. Në disa raste, domatja qershi shitej deri në 700–800 lekë për kilogram. Pra, të dhënat tregonin diferencën mes hallkave të tregut, por problem mbetet se çfarë ndodh më pas. Këtë shqetësim ngre edhe deputeti socialist Erion Braçe, i cili e vlerëson nismën për transparencën, por argumenton se ajo nuk mjafton.

“Duhet bërë diçka përtej transparencës, faturë dhe marzh fitimi në çdo hallkë, për të ndalur abuzimin pas transparencës!”, shprehet Braçe, duke shtuar se edhe media dhe ai vetë kanë bërë publike raste kur çmimet nga bujku te konsumatori rriten disa herë.

Çmimet rriten, por jo fuqia blerëse 

Nisma e re vjen në një kohë kur çmimet vazhdojnë të ndikojnë ndjeshëm në inflacion. Sipas të dhënave zyrtare në muajin korrik, inflacioni i harmonizuar arriti në 3.4%, ndërsa ushqimet dhe pijet joalkoolike mbetën ndër kontribuuesit kryesorë në rritjen e çmimeve. 

Problemi bëhet edhe më i mprehtë kur çmimet vendosen përballë fuqisë blerëse. Të dhënat e fundit nga Eurostat, tregojnë se konsumatorët shqiptarë kanë konsumin individual për frymë, të matur sipas fuqisë blerëse, në nivelin 48% të mesatares së Bashkimit Europian, ndërsa të ardhurat për frymë janë vetëm 43% e mesatares europiane. 

Në të njëjtën kohë, ushqimet kanë kaluar mesataren europiane për sa i përket nivelit të çmimeve të matur sipas fuqisë blerëse. Sipas të dhënave të Eurostat, indeksi i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri është rritur nga 85% e mesatares së BE-së në vitin 2022, në 99.6% në 2024-n dhe në 102.9% në 2025-n.

E thënë ndryshe, një shportë ushqimore që mesatarisht kushton 100 euro në Bashkimin Europian, në Shqipëri kushton rreth 103 euro, kur matet sipas fuqisë blerëse. Kjo ndodh ndërkohë që të ardhurat për frymë të shqiptarëve janë më pak se gjysma e mesatares europiane.

Nga çmimi te konkurrenca

Pikërisht te kjo marrëdhënie mes nivelit të çmimeve dhe konkurrencës fokusohet edhe studimi i fundit i profesor Ilir Cikos “Indeksi i Konkurrencës në Treg (MCI) për Ballkanin Perëndimor: 2026”. Sipas gjetjeve të tij, Shqipëria mbetet tregu me barrën më të lartë për konsumatorin në rajon, me një indeks konkurrence në treg prej 83

Studimi mat aftësinë e tregjeve për të lejuar devijimin e çmimeve të produkteve identike nga ato në BE, duke krahasuar edhe mallra të njëjta të shitura nga të njëjtët operatorë. 

Për konsumatorin shqiptar, rezultatet tregojnë se produktet që ai blen në markete europiane në Shqipëri, zhveshur nga efekti i ndryshëm i TVSH-së, kushtojnë mesatarisht 83% më shumë se saktësisht të njëjtat produkte të shitura saktësisht nga të njëjtat kompani në tregun Europian.

 “Në thelb, indeksi i konkurrencës MCI që kam dy vite që e publikoj tregon saktësisht gjendjen ku jemi. Çdo ndërhyrje që sjell rregullime në të, është ndërhyrje tek operatorët që kontrollojnë tregun. Përmirësimi i MCI është i mjaftueshëm për të mos humbur në detajet e çdo produkti”, thotë Ciko për Faktoje, teksa i referohet nismës për transparencën e çmimeve që pritet nga shtatori.

Sipas Cikos, problemi nuk është vetëm se konsumatori nuk e di ku është çmimi më i ulët, por se duhet kuptuar pse diferencat e çmimeve vazhdojnë të jenë kaq të mëdha dhe të qëndrueshme.

Edhe rekomandimet e studimit shkojnë përtej publikimit të çmimeve. Për kategoritë me diferencat më të mëdha dhe më të qëndrueshme sugjerohen hetime sektoriale të synuara, ndërsa Indeksi i Konkurrencës (MCI) rekomandohet të shndërrohet në një observator të përhershëm dhe të pavarur të çmimeve. Studimi sugjeron gjithashtu që, kur një diferencë e qëndrueshme shfaqet për mallra identike, operatorëve t’u kërkohet ta shpjegojnë atë përmes kostove dhe që autoritetet të bashkëpunojnë në nivel rajonal dhe me institucionet europiane të konkurrencës.

Përfundim

Platforma PriceWatch Albania (Pasqyra Albania), pritet të nisë nga muaji shtator si një mekanizëm monitorimi i çmimeve për produktet bazë të konsumit, që përfshin kategori si makaronat, vaji, sheqeri, frutat, perimet dhe detergjentët. Nëpërmjet një vendimi të posaçëm nga qeveria, operatorët më të mëdhenj në treg do të kenë detyrimin të raportojnë periodikisht çmimet e këtyre produkteve. Platforma synon të rrisë transparencën për konsumatorët dhe të analizojë të gjithë zinxhirin e furnizimit, nga prodhuesi apo fermeri deri te pika e shitjes, me qëllim identifikimin e hallkave ku krijohen diferenca të mëdha çmimesh. Fillimisht monitorimi do të përfshijë një numër të kufizuar produktesh dhe biznesesh, ndërsa më vonë pritet të zgjerohet edhe në kategori të tjera të tregut. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse transparenca mbi çmimet do të shoqërohet me masa konkrete që do të ndikojnë në uljen e kostos për konsumatorët. Nëse publikimi i të dhënave nuk pasohet nga hetime, ndërhyrje dhe rezultate të matshme për konsumatorin, ekspertwt paralajmwrojnw se, “Pasqyra” rrezikon të mbetet më shumë një instrument komunikimi politik sesa një zgjidhje për çmimet.