“Kemi vendosur bombë”, e-maili kërcënues adresuar institucioneve

20

Një email me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste ka vënë në alarm mëngjesin e sotëm disa institucione në qytete të ndryshme të vendit, mes tyre edhe institucione të sistemit të drejtësisë.

Ndër institucionet e shënjestruara kanë qenë edhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ndërsa emaili u është dërguar edhe institucioneve të tjera të drejtësisë. Në mesazhin elektronik pretendohet se në ndërtesat e institucioneve ishte vendosur një bombë, e cila do të shpërthente pas dy orësh.

BURIMI: POLICIA E SHTETIT

“Përshëndetje. Kjo është Shteti Islamik”, nis mesazhi, ndërsa më tej kërcënohet se, me vullnetin e Allahut, në ndërtesë është vendosur një bombë dhe se pas shpërthimit personat brenda do të vriteshin.

Formulimi i mesazhit ngre dyshime se teksti mund të jetë përkthyer automatikisht në shqip. Shprehje si “Kjo është Shteti Islamik” është i gabuar dhe ka strukturën e një përkthimi fjalë për fjalë. 

Emaili është dërguar nga adresa ruedaj@fcal.uner.edu.a. Domeni i përdorur në adresën ruedaj@fcal.uner.edu.a ngjan me domenin zyrtar të Universidad Nacional de Entre Ríos (UNER) në Argjentinë, uner.edu.ar. Megjithatë, adresa e emailit të përdorur në kërcënim përfundon me .uner.edu.a, pra mungon shkronja r në fund të domenit ar.

BURIMI:POLICIA E SHTETIT

Hetuesit po punojnë për të përcaktuar burimin real të emailit dhe autorin ose autorët e kërcënimit.

Për momentin, ajo që është e konfirmuar është se kërcënimi ka mbërritur në adresat elektronike të disa institucioneve shqiptare dhe se, pas kontrollit të specializuar, nuk është gjetur eksploziv.

SPAK dhe GJKKO

Përmbajtja e mesazhit bëri që strukturat e Policisë së Shtetit të nisnin menjëherë verifikimet në institucionet e përfshira. Në SPAK dhe GJKKO, kontrollet janë kryer edhe nga specialistë të Antiterrorit, të pajisur me mjete të posaçme për kontrollin e pranisë së eksplozivëve, si dhe me qen të specializuar për zbulimin e lëndëve plasëse.

Faktoje ka siguruar pamje nga kontrollet në ambientet e SPAK dhe GJKKO, ku specialistët kanë verifikuar ambientet e institucioneve pas marrjes së kërcënimit.

Nga kontrollet e kryera deri tani nuk është konstatuar vendosja e ndonjë bombe apo eksplozivi.

Policia e Shtetit bëri të ditur se, krahas verifikimeve në terren, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, vijon punën për identifikimin e autorit dhe të adresës elektronike nga e cila janë dërguar kërcënimet.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të mos krijojnë panik, duke theksuar se strukturat e Policisë janë të angazhuara për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Sulm i përsëritur

Ky nuk është rasti i parë kur institucionet shqiptare përballen me kërcënime të tilla. Rasti i sotëm vjen në një kohë kur Shqipëria përballet edhe me një tjetër formë kërcënimi: manipulimin dhe ndërhyrjen e informacionit të huaj, i njohur si FIMI.

Pikërisht për këtë temë, pak ditë më parë Faktoje publikoi një podcast me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në një bisedë me drejtoreshën ekzekutive të Faktoje.al, Klodiana Kapo.

Hoxha e cilëson FIMI-n një sfidë të madhe për Shqipërinë, e cila, pas sulmit masiv kibernetik të Iranit në vitin 2022, kuptoi se është po aq e ekspozuar sa vendet e tjera të Evropës. Sipas tij, rreziku nuk lidhet vetëm me institucionet, por edhe me besimin e qytetarëve te demokracia dhe rrugëtimi europian.

“Shqipëria sot ka çdo sekondë një sulm relativisht të madh, shumë të madh ose masiv nga jashtë”, deklaron Hoxha, duke nënvizuar nevojën për mekanizma që shkojnë te faktet, pasi “e vërteta është vetëm një, ndërsa narrativat janë shumë”.

Në këtë kontekst, kërcënimi i sotëm me email dhe përdorimi i emrit të “Shtetit Islamik” për të frikësuar institucionet është një tjetër rast që tregon rëndësinë e verifikimit të informacionit dhe identifikimit të burimit të tij.