Pretendimi: Kjo foto shfaq kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me uniformën e ushtrisë serbe
Vlerësimi: Foto e gjeneruar me AI
Barbara Halla
Në rrjetet sociale po qarkullon një imazh ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paraqitet i veshur me uniformë ushtarake serbe. Pamja duket se është krijuar përmes inteligjencës artificiale dhe përdoret për të përcjellë një mesazh politik që e paraqet Kurtin si të lidhur me Serbinë, në një përpjekje për të dëmtuar imazhin e tij tek publiku shqiptar.

Duke verifikuar detajet e uniformës ceremoniale të ushtrisë serbe mund të konstatohet disa detaje që konfirmojnë se bëhet fjalë për një imazh të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale. Më konkretisht, stema zyrtare në krahun e majtë është një mbivendosje e flamurit serb me stemën e kryqit dhe katër C-ve, një gabim logjik i programeve të gjenerimit të fotove.

Uniforma e drejtuesve të lartë serbë, siç mund të konstatohet në fotot e faqes zyrtare të Forcave të Armatosura të Serbisë, mban stemën e kryqit dhe 4 C-ve në krahun e majtë dhe flamurin serb në atë të djathtë.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Milan Mojsiloviç (në mes të fotos) me uniformën e gjeneralit
Detaje të tjera zbulojnë se uniforma ku shfaqet kryeministri Kurti ka shumë medalje, shirita dekorativë ceremonial në kapele si dhe stil të ngarkuar, jo tipik për uniformën zyrtare serbe.
Imazhi shoqërohet me një tekst që e quan Kurtin dhe mbështetësit e tij “antishqiptarë” dhe e vendos pretendimin në kuadër të përplasjeve politike mes Tiranës dhe Prishtinës. Postimi kritikon Edi Ramën për qëndrimet e tij ndaj Kosovës, ndërsa pretendon se Kurti dhe institucionet e Kosovës nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në çështjet e Shqipërisë. Megjithatë, këto janë vlerësime politike dhe nuk përbëjnë prova që lidhen me autenticitetin e fotografisë.
Në fakt, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës kanë vazhduar të jenë të ndërthurura përmes bashkëpunimit institucional, edhe pse Rama dhe Kurti kanë pasur mosmarrëveshje të dukshme politike. Në shkurt 2026, dy kryeministrat u takuan në Prishtinë dhe diskutuan forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, përfshirë projekte në infrastrukturë, energji, arsim dhe ekonomi.

Imazhi duhet parë edhe në kontekstin e një vale më të gjerë materialesh të fabrikuara që synojnë ta lidhin Kurtin me Serbinë. Një verifikim i mëparshëm nga Kallxo/Krypometër konstatoi se një fotografi tjetër ku Kurti shfaqej me Aleksandar Vuçiqin dhe Vojislav Sheshelin ishte gjeneruar me inteligjencë artificiale, ndërsa një raportim i vitit 2026 dokumenton edhe imazhe të tjera të manipuluara që e paraqesin Kurtin me simbole nacionaliste serbe.






