Reportazhi/ Fatura ditore në Jug për një familje, nga 20 mijë deri në 35 mijë lekë

Faktoje sjell një vëzhgim të çmimeve në bregdetin e Vlorës. Sa mund të shkojë mesatarisht një ditë për një familje me katër persona në plazhet e Radhimës, Orikumit apo Dhërmiut?

37

Nga Jona Cenameri 

Pushimet e verës janë ditët që i presim gjithë vitin për t’u shkëputur nga gjithçka: pak qetësi dhe pa alarme zgjimi. 

Por, në realitet, përpara se të shijosh qetësinë, duhet të bësh llogaritë.

Genti, një djalë në të njëzetat nga Tirana, fillon të kërkojë një muaj përpara pushimeve për disa ditë pushimi në Jug. 

Hap Booking.com, vendos qytetin, ditët, numrin e personave dhe, më e rëndësishmja, tavanin e çmimit që mund të përballojë.

Nëse rezultatet nuk e bindin, kalon në Airbnb. Ndërkohë kërkon në Instagram e TikTok dhe, pas pak ditësh, nuk është më e nevojshme as të kërkojë shumë.

“Fillon algoritmi të të ndihmojë”, thotë ai. Hotelet, bujtinat, plazhet dhe videot nga jugu i dalin vetë përpara.

Por mes fotografive me ujë të kristaltë dhe mëngjeseve të servirura pranë pishinës vjen pjesa më pak romantike, çmimi.

Për Gentin, problemi i viteve të fundit nuk është vetëm se akomodimi është shtrenjtuar. Është se tregu, sipas tij, po ndahet gjithnjë e më fort në dy skaje.

Në njërën anë janë hostelet, camping-et dhe strukturat ku turistët me buxhet të vogël paguajnë kryesisht për një shtrat. 

Në anën tjetër po shtohen hotelet luxury dhe ultra-luxury.

Në këtë mes mbetet pushuesi që kërkon një dhomë normale, të pastër, me kushte të mira, por pa luks.

“Ajo që vërehet në jug është që ka gjithmonë e më shumë opsione lluksi për shtresën e lartë dhe opsione shumë ekonomike për ata që duan vetëm një vend për të fjetur. Të mesme ka gjithnjë e më pak”, thotë Genti.

Ai sjëll ndërmend një dhomë që sezonin e kaluar mund ta gjente për rreth 90 euro nata dhe që këtë verë i është ofruar për 120 euro. Nuk është matje e gjithë tregut, por eksperienca që fiton sa herë futet në Booking pa qenë i sigurt se çfarë çmimi do të gjejë.

Ndalemi në Vlorë. Jo sepse është domosdoshmërisht destinacioni më i shtrenjtë i jugut. Përkundrazi, më tej përgjatë rivierës, në zona si Dhërmiu, Palasa apo Ksamili, oferta përfshin edhe struktura me tarifa dukshëm më të larta. 

Vlora është një pikë e mirë për të parë se sa i kushton një pushim veror një familjeje të vogël apo një çifti që nuk po kërkon luks.

Çmimi i dhomës është vetëm fillimi.

Hoteli i lirë që nuk duhet të jetë shumë larg detit

Majlinda është mbi 50 vjeç dhe pushimet i mendon ndryshe nga Genti.

Edhe ajo e pëlqen jugun. Por kërkimi i saj nis duke hequr nga lista ato që e di paraprakisht se nuk mund ose nuk dëshiron t’i paguajë.

Palasa dhe komplekset e nivelit të lartë dalin të parat. Pastaj një pjesë e hoteleve buzë detit.

Fillon kështu kërkimi i kompromisit.

50 metra nga plazhi. 100 metra. 200 metra. 450 metra. 600 metra.

Në disa raste, një kilometër a më shumë.

Në hartën e Booking-ut këto janë vetëm numra. Në gusht, nën diell dhe me makinat e parkuara mbi trotuar, distanca matet ndryshe.

Majlinda kërkon dy gjëra që për të janë pothuajse po aq të rëndësishme sa dhoma: mëngjesi dhe parkingu.

Nga të dyja, thotë se është e gatshme të sakrifikojë mëngjesin.

“Po hajde, mëngjesin e eliminojmë. Pi një kafe të ftohtë, merr një ujë. Por makina është problem i madh”

Në një prej faturave të mbledhura gjatë qëndrimit në Vlorë, tre kafe të ftohta (freddocappuccino) kushtojnë 900 lekë. Në raste më ekonomike, tre kafe mund të kushtojnë rreth 600 lekë.

Pak më tutje, një tabelë njofton: “Parkim me pagesë, 1,000 lekë dita”

Një mijë lekë për të mos kërkuar çdo mëngjes një cep rruge ku të lësh makinën.

Sepse gjatë sezonit, makina është një nga shqetësimet që e ndjek pushuesin edhe kur ka ardhur për të mos pasur shqetësime.

Në disa pjesë të vijës bregdetare, automjetet zënë trotuaret. Në segmente të tjera, trotuari mungon ose ndërpritet. Për të kaluar nga hoteli në plazh, këmbësori përfundon herë pas here në të njëjtën hapësirë me makinat.

“Me temperaturën 40 gradë dhe makinat mbi trotuar, është pak të thuash çmenduri”, e përshkruan Majlinda.

Pastaj duhet paguar edhe vendi ku do të rrish pranë detit

Mëngjesi mbaron. Makina është sistemuar. Tani mund të fillojë plazhi.

Por edhe aty duhet të zgjedhësh.

Përgjatë bregdetit të Vlorës dhe drejt Orikumit, Bashkia Vlorë e ofron çadrën për 700 lekë.

Në plazhet më ekonomike, çadra me dy shezllone kushton 1,000 lekë.

Shumica e plazheve kanë tarifa nga 1,500 në 2,000 dhe 3,000 lekë.

Në vëzhgimin në terren, tarifa prej 2,000 lekësh për një çadër me dy shezllone ishte ndër më të hasurat.

Brenda së njëjtës zonë turistike, çmimi i disa orëve nën çadër ndryshon ndjeshëm.

Majlinda ka edhe një problem tjetër.

Nëse janë tre veta, çadra përsëri vjen me dy shezllone.

“Thua po paguaj edhe një shezlong tjetër. Jo gjithmonë mundesh. Duhet të marrësh edhe një çadër tjetër”

Një pushim familjar ndërtohet kështu nga shumë pagesa që veçmas mund të duken të vogla. Bashkë, fillojnë të ndryshojnë faturën e ditës.

Genti e sheh këtë si pjesë të një pasigurie më të madhe.

Për të, nuk është më vetëm pyetja “sa kushton?”, por “çfarë marr për këtë çmim?”

Ka parë dhoma me tarifa të ngjashme dhe kushte shumë të ndryshme. E njëjta gjë, thotë, përsëritet me shërbimet gjatë pushimeve.

“Çmimi dhe cilësia nuk ecin gjithmonë bashkë”

Dreka që nis me menunë dhe vazhdon me “nuk ka”

Rreth mesditës, disa orë plazh të çojnë te shpenzimi tjetër i ditës, ushqimi.

Çmimet

Në letër, zgjedhjet janë të shumta. Në restorante të ndryshme në Vlorë dhe Radhimë, sallatat kushtojnë përgjithësisht 400-600 lekë, pastat rreth 700-1,000 lekë e më shumë, ndërsa picat fillojnë nga 500 lekë dhe shkojnë mbi 1,000 lekë. Pjatat me mish nisin rreth 1,100 lekë e më shumë. Për peshkun dhe frutat e detit, çmimet nisin nga 1,500-1,600 lekë.

Por në kulmin e sezonit, ajo që shkruhet në menu nuk është domosdoshmërisht edhe ajo që mund të porosisësh.

Kjo është një nga gjërat që Majlinda thotë se i ndodh shpesh gjatë pushimeve.

Ulesh, hap menunë dhe zgjedh.

“Kjo nuk është”

Provon një pjatë tjetër.

“As kjo nuk ka”

Në ditët me fluks të madh, restorantet nuk arrijnë gjithmonë të përballojnë numrin e klientëve me të njëjtin ritëm. Disa produkte mungojnë, porositë vonohen dhe stafi punon nën presionin e një sezoni të përqendruar në pak muaj.

Majlinda thotë se në disa raste ka parë edhe menaxherë që u bërtasin kamarierëve në sy të klientëve. Nuk e di nëse kjo lidhet me lodhjen, temperaturat e larta apo mënyrën se si menaxhohet stafi, por për të bëhet pjesë e eksperiencës për të cilën po paguan.

Kur zgjedh ku të hajë, ajo përpiqet të largohet nga restorantet ku pozicioni buzë detit rëndon fort në faturë.

“Restorantet më të leverdishme janë ato me ushqim tradicional, me mish të pjekur ose me peshkun e kapur gjatë ditës”, thotë Majlinda.

Sipas saj, këto restorante përgjithësisht ofrojnë edhe porcione më të bollshme.

Majlinda kujton një pjatë miks me fruta deti që kushtonte rreth 1,600 lekë, por ku sasia i ishte dukur shumë e vogël për çmimin.

“Të vijnë me numër frutat e detit”, e përshkruan me ironi.

Katër pjata kryesore mund të shkojnë rreth 4-6 mijë lekë. Nëse shtohen sallatat apo antipastat, uji, pijet dhe ndonjë pjatë për t’u ndarë, një drekë për katër persona mund t’i afrohet 8-10 mijë lekëve.

Dhe dita nuk përfundon me drekën.

Në mbrëmje, e njëjta familje duhet të hajë përsëri. Një darkë për katër persona, pa zgjedhur domosdoshmërisht restorantet më të shtrenjta të vijës bregdetare, mund të kërkojë sërish disa mijëra lekë dhe, me katër pjata, sallata e pije, t’i afrohet sërish 8-10 mijë lekëve.

Ndërmjet dy vakteve janë edhe ndalesat e vogla që zakonisht nuk mendohen kur prenotohet hoteli. Një kafe. Një akullore. Një pije për të luftuar dehidratimin, apo edhe një birrë, një koktej ose një tjetër pije alkoolike, tek e fundit, jemi me pushime.

Shpenzimet

Sa kushton një ditë e zakonshme pushimi?

Kostoja e një dite ndryshon ndjeshëm edhe pa ndryshuar destinacion. Një familje mund të zgjedhë një mëngjes të plotë në lokal ose të marrë byrek; të pijë freddocappuccino e pije gjatë ditës ose të kufizohet te kafja e thjeshtë dhe uji; të zgjedhë një plazh me çadër 700-1,000 lekë ose një tjetër ku i njëjti shërbim kushton 2 mijë lekë e më shumë.

Për këtë arsye, më shumë sesa një shumë e vetme, llogaria mund të shihet përmes dy skenarëve: një ekonomik dhe një mesatar.

Për akomodimin, një familje që kërkon një alternativë më ekonomike, jo domosdoshmërisht buzë detit apo me të gjitha shërbimet e hotelit, mund ta nisë llogarinë nga rreth 7 mijë lekë nata.

Për një akomodim të kategorisë së mesme në pikun e sezonit, marrim si referencë rreth 13 mijë lekë nata.

Edhe mëngjesi mund të ndryshojë shumë. Në skenarin ekonomik, një familje që zgjedh byrek dhe kafe të thjeshtë mund ta mbajë shpenzimin rreth 800-1,200 lekë. Një mëngjes më i plotë në lokal mund të shkojë deri në rreth 3 mijë lekë.

Për dy ndalesa gjatë ditës, nëse konsumohen vetëm kafe të thjeshta dhe ujë, mund të llogariten rreth 600-800 lekë. Me kafe të ftohta, pije apo alkool, shpenzimi mund të kalojë 2 mijë lekë.

Në plazh, dy çadra me nga dy shezllone mund të kushtojnë rreth 1,400-2,000 lekë në alternativat më ekonomike. Nëse merret si referencë tarifa prej 2 mijë lekësh për secilin set, shpenzimi arrin në 4 mijë lekë.

Parkimi shton edhe rreth 500-1,000 lekë në ditë.

Foto e cmimit te parkingut

Diferenca më e madhe krijohet te ushqimi. Një familje që zgjedh restorante me gatime tradicionale dhe porosi të thjeshta mund ta mbajë një drekë rreth 4-5 mijë lekë. Një tavolinë me më shumë pjata, sallata, pije apo produkte peshku mund të shkojë në 8-9 mijë lekë. E njëjta logjikë vlen edhe për darkën.

Pastaj janë shpenzimet që bëhen thuajse pa u vënë re: ujë, fruta, akullore, cigare apo produkte të vogla nga minimarketi. Në një ditë të kursyer mund të jenë rreth 1 mijë lekë, ndërsa me më shumë blerje mund të arrijnë në 2,500 lekë.

Kështu, për një familje me katër persona, llogaria lëviz afërsisht në këto intervale:

  • Akomodimi: 7,000-13,000 lekë
  • Mëngjesi: 800-3,000 lekë
  • Dy ndalesa për kafe/pije: 600-2,000 lekë
  • Plazhi: 1,400-4,000 lekë
  • Parkimi: 500-1,000 lekë
  • Dreka: 4,000-9,000 lekë
  • Darka: 4,000-9,000 lekë
  • Ujë, akullore, fruta dhe blerje të vogla: 1,000-2,500 lekë

Në një skenar kursimi, ku familja zgjedh akomodim rreth 7 mijë lekë nata, ha byrek në mëngjes, pi kafe të thjeshtë, zgjedh çadrat më të lira dhe ha drekë e darkë tradicionale pa alkool apo porosi të shtrenjta, një ditë mund të kushtojë rreth 19-20 mijë lekë.

Në një skenar shpenzimi mesatar, duke marrë vlera të ndërmjetme brenda intervaleve të mësipërme, me akomodim rreth 13 mijë lekë, mëngjes më të plotë, kafe gjatë ditës, çadra me tarifë mesatare dhe vakte që nuk kufizohen vetëm te alternativat më ekonomike, fatura shkon në rreth 34-35 mijë lekë në ditë.

Foto e bere me AI

Për shtatë ditë, kjo do të thotë rreth 135 mijë lekë në skenarin me kursimtar dhe rreth 241 mijë lekë në skenarin mesatar.

Këto shifra nuk përfaqësojnë një mesatare zyrtare të pushimeve në Vlorë, por një përllogaritje orientuese të ndërtuar mbi çmimet e vëzhguara në terren dhe dy mënyra të ndryshme konsumi. Në to nuk përfshihen karburanti, aktivitetet, daljet e mbrëmjes apo shpenzime të paparashikuara.

Ajo që tregon llogaria është diçka tjetër: çmimi i pushimeve nuk mbaron te shifra që shfaqet në Booking.

Ai ndërtohet gjatë gjithë ditës.

Nga hoteli te parkingu. Nga çadra te dreka. Nga kafeja e pasdites te shishja e ujit që blihet rrugës.

Nëse hoteli është larg, mund të paguash më shumë për një tjetër më pranë detit. Nëse nuk gjen parking, mund të paguash një privat. Nëse një plazh nuk të përshtatet, mund të provosh një tjetër. Nëse një restorant është shumë i shtrenjtë, mund të kërkosh një alternativë.

Por ka edhe nevoja që nuk zgjedh kur do të të lindin.

“Mos të zëntë halli dhe të sëmuresh”, thotë Majlinda.

Në kulmin e sezonit, përgjatë vijës turistike nga Vlora drejt Radhimës dhe Orikumit, numri i njerëzve shumëfishohet. Baret, restorantet dhe strukturat turistike shtrihen pothuajse gjatë gjithë aksit. Shërbimet bazë nuk kanë të njëjtën dendësi.

Sipas listës së Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë sezonit veror funksionojnë qendra shëndetësore në Zvërnec, Plazhin e Vjetër, Radhimë dhe Orikum.

Por farmacia është një histori tjetër.

Baret, restorantet dhe plazhet vazhdojnë njëri pas tjetrit përgjatë bregut. Farmacitë jo. Në Google Maps, pikat e tyre grumbullohen në Vlorë, deri në zonën e Lungomares dhe Ujit të Ftohtë. Në vijën bregdetare nga aty drejt Radhimës e deri në Orikum nuk shfaqet asnjë farmaci. Nëse një pushuesi i duhet një ilaç i zakonshëm, kthimi drejt qytetit mund të bëhet pjesë e një dite që supozohej të kalonte pranë detit.

Dhe makina e kthen pushuesin te një nga problemet e para të ditës: trafiku.

Majlinda thotë se edhe alternativa për të lënë makinën nuk është gjithmonë e thjeshtë. Në kulmin e sezonit, sipas saj, një taksi nuk gjendet gjithmonë menjëherë dhe, kur gjendet, çmimi i udhëtimit është një histori më vete. Për një pushues në Radhimë apo Orikum që duhet të kthehet drejt Vlorës, edhe një nevojë e thjeshtë mund të kthehet në kohë të humbur dhe një tjetër shpenzim.

Ky është paradoksi i sezonit. I njëjti fluks që mban gjallë ekonominë e bregdetit vë në provë edhe kapacitetin e shërbimeve të tij.

Restorantet mbushen, por një pjesë e produkteve mungojnë.

Parkimet mbushen dhe makinat kalojnë në trotuare.

Plazhet mbushen dhe për një shezllon të tretë mund të duhet një çadër e dytë.

Rrugët mbushen dhe një lëvizje e shkurtër mund të kërkojë shumë më tepër kohë dhe para.

Genti dhe Majlinda e përjetojnë këtë nga dy pozicione të ndryshme.

Ai kërkon fleksibilitet. Kalon nga Booking në Airbnb, ndryshon standardin, kërkon ofertën më të mirë dhe është i gatshëm të bëjë kompromis me vendin ku fle.

Ajo kërkon më shumë siguri: një hotel të rregullt, parking, një mëngjes të thjeshtë, një plazh ku të kalojë ditën dhe një restorant ku ajo që shkruhet në menu të jetë edhe ajo që mund të porosisësh.

Megjithatë, të dy mbërrijnë te i njëjti shqetësim: përpara se të nisesh drejt jugut, duhet të parashikosh gjithnjë e më shumë gjëra.

Jo vetëm sa do të paguash.

Por edhe çfarë do të marrësh në këmbim.