Asnjë bazë për gjetjen e fermave të adrenokromit të fëmijëve në Ukrainë

9
Foto: Profimedia

Pretendimi: Ushtarët rusë kanë gjetur fëmijë të dobët dhe të sëmurë në Ukrainë që u merrej në mënyrë profesionale gjaku dhe lëngjet nga veshkat, për të furnizuar tregtinë globale të adrenokromit

Verdikti: E paprovuar

——————————————————————

Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi i jashtëzakonshëm se ushtarët rusë në Ukrainë kanë gjetur fëmijë të dobët dhe të sëmurë, të cilëve u jepeshin lëngje nëpërmjet infuzionit, ndërsa trupave të tyre u merrej në mënyrë profesionale gjaku dhe lëngjet nga veshkat, për të furnizuar tregtinë globale të adrenokromit.

Si zakonisht, për të mbështetur këto pretendime të jashtëzakonshme nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë, aq më pak e jashtëzakonshme.

Asnjë media ndërkombëtare nuk ka raportuar një ngjarje të tillë, e cila, nëse do të ishte e vërtetë, do të ishte raportuar gjerësisht nga shtypi i etur për lexues, siç zaptoi peizazhin mediatik përmbajtja e dosjeve të lëshuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë lidhur me pedofilin dhe trafikantin amerikan Jeffrey Epstein.

Megjithëse postimi shoqërohet me tre imazhe që tregojnë fëmijë të dobët dhe të keqtrajtuar, asnjë nga këto imazhe nuk tregon fëmijë në Ukrainë.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi i sipërm tregon 5-vjeçaren vietnameze Nguyen Thuy Duong në 2013. Ajo ishte abuzuar brutalisht nga i ati. Imazhi i poshtëm majtas tregon foshnjen siriane Sahar Dofdaa, e cila vdiq në 2017 kur ishte vetëm një muajshe, si pasojë e paushqyerjes në Ghouta Lindore të Sirisë, ku një shtetrrethim i regjimit të atëhershëm kishte shtyrë qindra fëmijë në prag të urisë. Ndërsa imazhi i poshtëm djathtas tregon një fëmijë në një qendër trajtimi për kequshqyerjen në Sanaa, Jemen, më 30 tetor 2016, pas 20 muajsh lufte civile në vend mes një koalicioni të udhëhequr nga Arabia Saudite dhe grupit Houthi të lidhur me Iranin.

Pyetur nga AFP në 2023 në lidhje me akuzat për trafikim organesh që pretendohej se ishin kryer nga ushtarët ukrainas, Misioni i Monitorimit të të Drejtave të Njeriut të OKB në Ukrainë tha se “asnjë nga anëtarët e misionit të OKB-së nuk ka dëgjuar ndonjëherë për një gjë të tillë”.

Jakub Kalenský, eksperti kryesor për dezinformimin i Qendrës Europiane e Ekselencës për Kundërshtimin e Kërcënimeve Hibride, tha për AFP se “trillimi i gënjeshtrave për krimet ukrainase kundër fëmijëve ka qenë një nga qëllimet e preferuara të kanaleve dezinformuese të Kremlinit dhe ekosistemit që përsërit gënjeshtrat e tyre të paktën nga viti 2014.”

“Krijimi i historive dezinformuese për fëmijët e abuzuar dhe të lënduar synon të krijojë emocionet më të forta të mundshme tek audienca e synuar dhe kështu të eliminojë mendimin e tyre kritik”, tha Kalensky. “Deri më tani, nuk kemi parë asnjë provë që autoritetet ukrainase kanë kryer krime kundër fëmijëve. Përkundrazi, ka pasur shumë prova për krime ruse kundër fëmijëve ukrainas. Është një situatë tipike dhe cinike e ‘hajdutit’ që thërret ‘kapeni hajdutin’.”

Ndërkaq, në mars 2023, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste për presidentin rus Vladimir Putin dhe komisioneren ruse për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova, nën akuzat për deportim dhe transferim të paligjshëm të fëmijëve nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Federatën Ruse, të cilat karakterizohen si krime lufte.

Narrativa e trafikimit të fëmijëve për t’u nxjerrë adrenokromin që përdoret nga elitat për të zgjatur jetën dhe rininë e tyre u shfaq për herë të parë në 2017 në ShBA, si pjesë e teorisë konspirative QAnon. Kjo teori përshkruan presidentin amerikan Donald Trump si një hero i vetëm që po luftonte një kabal elitash që ishin pedofilë dhe vrasës fëmijësh. QAnon premtonte se këta komplotistë do të ekspozoheshin dhe ndëshkoheshin së shpejti në një “stuhi” që po vinte.

Një variant i hershëm i kësaj teorie konspiracioni, Pizzagate, pretendon se pjesëtarët e Partisë Demokrate të ShBA dhe disa restorante amerikanë ishin të përfshirë në një ring trafikimi fëmijësh dhe pedofilie. Ndikuar nga kjo teori, në 4 dhjetor 2016, një burrë nga North Carolina shkoi në picerinë Comet Ping Pong dhe shtiu me armë.

Sa i përket adrenokromit, kjo substancë prodhohet nga oksidimi i adrenalinës. Ajo është studiuar në vitet 1950-’70, por sot nuk ka asnjë përdorim mjekësor. 

Adrenalina prodhohet në gjëndrat mbiveshkore, oksidantët e të cilave (monoaminat) qarkullojnë në gjak. Meqenëse adrenokromi ekziston si pjesë e metabolizmit të adrenalinës, duke qenë një neurotransmetues, trupi e oksidon atë me shpejtësi. Pasi këta lajmëtarë kimikë oksidohen, ata humbasin funksionin e tyre.

Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) nuk e ka aprovuar përdorimin e adrenokromit. Mbi të gjitha, nëse një grup elitash do ta donte gjithsesi këtë substancë të deklaruar të padobishme nga shkenca, nuk do t’i duhej të rrëmbenin fëmijë nëpër tunele nëntokësore për ta përftuar atë. Adrenokromi mund të krijohet në laborator, madje mund të blihet në internet lehtësisht. Kompania kanadeze Toronto Research Chemicals shet 25 mg adrenokrom për 126 dollarë amerikanë, ndërsa laboratori Astatech Inc. ofron të njëjtën sasi për 464 dollarë amerikanë.

Adrenokromi mund të blihet lehtësisht në internet