Kjo makinë elektrike nuk po has vështirësi në maloren e Qafë-Thanës

9

Pretendimi: Kjo video tregon një turist me makinë elektrike që nuk ngjit dot maloren në Qafë-Thanë

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————————-

Një video që ka marrë mbi njëmijë pëlqime në Instagram pretendohet se tregon një turist me makinë elektrike që ka vështirësi në ngjitjen e malores në Qafë-Thanë, Shqipëri. Pamjet ndahen me pretendimin se makinat elektrike zhgënjejnë zotëruesit e tyre duke vënë në dyshim alternativën me miqësore me mjedisin të transportit.

Siç shumë komentues kanë vërejtur, megjithatë, vendndodhja e pretenduar e ngjarjes vihet në dyshim nga prania e një teksti të shkruar në alfabetin kinez në cep të videos, dhe fakti që të gjithë të pranishmit në video duken aziatikë.

Më tej, edhe targa e automjetit në video përkon me formatin e targave të makinave elektrike në Kinë, të cilat janë ngjyrë të gjelbër dhe përmbajnë një karakter kinez që përfaqëson provincën, një shkronjë që tregon qytetin dhe një varg alfanumerik me gjashtë karaktere, në të cilin “D” do të thotë “Makinë elektrike.”

Më specifikisht, targa e mësipërme nis me “豫K” që është kodi i targës së qytetit Xuchang në provincën Henan, rreth 7900 kilometra larg Qafë-Thanës.